Është shtyrë për vitin 2026 afati i zbatimit të normës tatimore progresive për pronat komerciale. Ky vendim nuk parasheh dyfishim të tatimit në pronë, por një rritje progresive, vlerësojnë në Ministrinë e Financave.
Ministria e Financave përmes një reagimi kanë thënë se pretendimi se tatimi në pronë për pronat komerciale dyfishohet, nuk është i saktë, pasi bëhet fjalë për ndryshim të mënyrës së përllogaritjes së ngarkesës tatimore, duke e ndryshuar nga shkalla e sheshtë, në shkallë progresive.
Siç sqarojnë ata, shkalla tatimore progresive nënkupton që tatimpaguesit që kanë në pronësi prona te paluajtshme me vlerë më të vogël, në fakt u bie të paguajnë më pak.
“Pra dikush me pronë 100,000 euro, me ligjin e vjetër i bie të paguajë së paku 150 euro ne vit (0.15% e vlerës), kurse me ligjin e ri kjo shume zbret në 100 euro ne vit (0.10% për 100,000 euro e para te pronës), që i bie që për pronat me vlerë të vogël i bie të zvogëlohet barra tatimore”, thuhet ndër të tjera në reagimin e qeverisë.
Sipas Ligji Nr. 08/L-224, Neni 9, që është ndryshim dhe plotësim I ligjit NR. 06/L-005 PËR TATIMIN NË PRONËN E PALUAJTSHME parashihet që:
Për vlerën e pronave deri në njëqindmijë (100,000.00) euro aplikohet shkalla tatimore që mund të variojë prej 0.10% deri 1%;
Për vlerën e pronave mbi njëqind mijë (100,000.00) euro aplikohet shkalla tatimore që mund të variojë prej 0.20% deri 1%
Për vlerën e pronave mbi pesë qind mijë (500,000.00) euro aplikohet shkalla tatimore që mund të variojë prej 0.30% deri 1%,
Për vlerën e pronave mbi një milion (1,000,000.00) euro aplikohet shkalla tatimore që mund të variojë prej 0.40% deri 1%,
Dhe për vlerën e pronave mbi pesë milionë (5,000,000.00) euro aplikohet shkalla tatimore që mund të variojë prej 0.5 deri në deri 1%.
Ndërkohë, analisti ekonomik, Ismet Mulaj, duke folur për Radio Kosovën thotë se me përllogaritjet e reja për tatim të pronave komerciale, bizneset e mesme do të dëmtohen ndjeshëm.
“Nuk mund t’ia rritesh tatimin në pronë një biznesi që qarkullon p.sh. deri në 30 mijë euro në vit, t’ia dyfishosh tatimin në pronë, ashtu vetëm e ngulfat atë biznes. Duhet të gjendet një formë e cila bizneset e vogla i liron prej tatimit në pronë. Kosova e ka një traditë të tyre ku familjet kanë mbijetuar nga bizneset e vogla sepse ato krijojnë vende pune, e nuk mund të krijojmë biznese të mëdha sepse atëherë ato dirigjohen nga qeveritë dhe politika dhe pra shumica e ligjeve shkojnë në funksion të bizneseve të mëdha”.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, vlerëson se kjo formë do të sjellë pasoja të mëdha për bizneset.
“Biznesi nuk është në ditët më të mira të tij, ka shumë sfida. Edhe tani jemi duke parë që kuvendi nuk është duke funksionuar, kërkesa jonë është të bëhet një plotësim ndryshim i kësaj dispozite, por të mos ngarkohen bizneset me tatim shtesë, sidomos në këtë periudhë ku me të vërtetë po ballafaqohen me shumë sfida.”
E shtyrjen e këtij vendimit e ka mirëpritur Asociacioni i Komunave të Kosovës ku ka lobuar dhe ka argumentuar se kjo normë tatimore është ngarkesë dhe barrë e rëndë e shtuar për pronarët e pronave të paluajtshme komerciale.