Në Gjykatën e Apelit, këtë të enjte u shqyrtua ankesa e Prokurorisë Speciale në Prishtinë, e cila ka kërkuar të anulohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë në rastin ndaj ish – sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Betim Reçica dhe tre zyrtarëve tjerë Isa Berisah, Leonora Limani dhe Mirdit Emini.
Kundër aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë, Prokuroria ka parashtruar ankesë me pretendimin se janë shkelur dispozitat e procedurës kontestimore, konstatimit të gabuar apo jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale.
Po ashtu, edhe mbrojtësi i palës së dëmtuar Sallahu, avokati Flamur Bllacaku, ka parashtruar ankesë kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, i cili ka thënë se aktgjykimi i shkallës së parë nuk i plotëson kushtet dhe standardet dhe se i njëjti është i bazuar në një super-ekspertizë e cila edhe është vërtetuar se nuk është e punuar sipas standardeve të kërkuara, kjo pasi që ka pasur edhe kontradikta në mes të ekspertëve. Tutje, ai tha se në caktimin e ekspertizës nga mbrojtja, këta të fundit kanë trajtuar vetëm rastin e ekspertizës financiare.
Lidhur me këtë, avokati Bllacaku tha se konsiderojnë aktgjykimi i shkallës së parë është i përpiluar në formë jo të drejtë, nuk i plotëson kushtet dhe është në kundërshtim më normat ligjore dhe si i tillë i njëjti duhet të prishet.
Tutje, lidhur me ankesën e parashtruar të Prokurorisë Speciale, mbrojtësi i të akuzuarit Betim Reçica, avokati Driton Muharremi ka thënë se e kundërshtojnë ankesën e Prokurorisë pasi që ashtu si aktakuza edhe ankesa është e mangët e pa prova e duke anashkaluar të gjitha ekspertizat që janë kryer. Tutje ai tha se ekspertiza e Prokurorisë ka qenë qesharake.
Po ashtu, avokati Muharremi tha se aktgjykimi i shkallës së parë është i drejtë dhe i ka arsyetuar të gjitha pikat e aktakuzës duke i propozuar Gjykatës së Apelit që ta vërtetojë aktgjykimin e shkallës së parë.
Ndërkaq, i akuzuari Isa Berisha në mos prezencë të mbrojtësit të tij, avokatit Florent Latifaj, ka deklaruar se e kundërshton ankesën e Prokurorisë Speciale dhe propozon që të vërtetohet aktgjykimi i shkallës së parë.
Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Mirdit Emini, avokati Driton Musliu ka thënë se super-ekspertiza e ka demantuar plotësisht tezën e aktakuzës së Prokurorisë dhe se ka bazë të mjaftueshme që të vërtetohet aktgjykimi i shkallës së parë.
Po ashtu, edhe mbrojtësi i të akuzuarës Leonora Limani, avokati Alban Makolli i ka propozuar Gjykatës së Apelit që përkitazi me ankesën e Prokurorisë ta refuzoj ndërsa ankesën e palës së dëmtuar ta hedh si të palejuar. Ndryshe, ai ka thënë se aktgjykimi i shkallës së parë nuk është i përfshirë në asnjë shkelje të karakterit procedural dhe se i njëjti është i përpiluar drejtë dhe konform dispozitave ligjore.
Ndryshe, me 7 maj 2024 Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj ish – sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Betim Reçica dhe tre zyrtarëve tjerë Isa Berisah, Leonora Limani dhe Mirdit Emini.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 15 shkurt 2021, Betim Reçica po akuzohet se si ushtrues i detyrës së drejtorit të Prokurimit Publik në Ministrinë e Infrastrukturës gjatë vitit 2017, me qëllim të përfitimit financiar për kompaninë “Gjoka Konstruktion”, ushtroi ndikim të drejtpërdrejtë te Isa Berisha, kryetar i Komisionit Rivlerësues dhe Leonora Limani e Mirdit Emini, anëtarë të këtij komisioni, që ishin vartës të tij, duke i vënë në presion kohor që rivlerësimin e tenderit për ndërtimin e Autoudhës së Gjilanit ta kryejnë për 10 ditë.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Reçica kishte kërkuar nga anëtarët e këtij komisioni që të shkojnë në takim me ministrin Pal Lekaj, e që pastaj ta shpallin fitues OE “Gjoka Konstruktion” edhe pse nuk i përmbushte kriteret e tenderit më mirë se “Papenburg Adriani”, që e kishte rekomanduar Komisioni Rivlerësues, i cili për shumën prej 1 milion e 630 mijë e 487 euro kishte ofruar çmim më të ulët. Me këto veprime, akuzohet se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”.
Reçica akuzohet edhe se si sekretar i përgjithshëm në MI nxori vendim për pagesën e shtesave në pagë për 14 zyrtarë të kësaj ministrie edhe pse ishin të angazhuar në detyra të rregullta. Po ashtu, akuzohet se ka nxjerrë dy vendime të kundërligjshme, me qëllim që të bëhet kompensimi financiar për dy zyrtarë të angazhuar në Komisione për realizimin e projekteve kapitale në MI, Hysen Merovcin dhe Ardian Begaj. Me këto veprime, Reçica ngarkohet me veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritet zyrtar”.
Reçica ngarkohet edhe për “Shpëlarje të parave” se gjatë vitit 2019, mjetet financiare të cilat i kishte përfituar nga aktiviteti kriminal, i cili ishte i ndërlidhur me veprat e sipërcituara, e me qëllim që këto para të kundërligjshme të duken si të ligjshme, ka blerë veturë që e ka regjistruar në emër të vëllait.
Ndërsa, të akuzuarit Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini po akuzohen se për rivlerësimin e ofertave të operatorëve ekonomikë të paraqitura në tenderin për ndërtimin e Autoudhës së Gjilanit, nuk kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare për të shpallur fitues operatorët ekonomikë që ofertuan çmimin më të ulët, që ishte kriteri kryesor për shpalljen e fituesve. Me këto veprime, ngarkohen se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar”.
Gjithnjë sipas PSRK-së, Betim Reçica akuzohet edhe se në cilësinë ushtruesit të detyrës se drejtorit të Prokurimit Publik në MI, me qëllim të përfitimit financiar për kompaninë “Gjoka Konstruktion”, ka ndryshuar raportin e Komisionit rivlerësues dhe e ka shpallur këtë OE të përgjegjshëm përkundër faktit se e ka ditur se nuk i ka plotësuar kushtet ligjore.
Me këto veprime, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”.