Edhe këtyre ditëve, kur me një këmbë kemi shkelur në stinën e dimrit, një metër dru e cilësisë së mirë (dru bungu dhe qarri), në tregjet e druve kushton nga 50 deri në 55 euro. Gjatë vitit 2023 dhe 2022, metri i druve kushtonte hiç më pak se 70 euro dhe në raste edhe përtej këtij çmimi.
Buletini Ekonomik
Çmimi i druve për ngrohje sivjet është ulur ndjeshëm krahasuar me një vit më parë. Edhe këtyre ditëve, kur me një këmbë kemi shkelur në stinën e dimrit, i cili di të ketë shumë ditë të acarta dhe me temperatura nën zero gradë, një metër dru e cilësisë së mirë (dru bungu dhe qarri), në tregjet e druve kushton nga 50 deri në 55 euro. Shumë-shumë në disa tregje – drushitësit e mbajnë fillimisht çmimin e një metri dru edhe 60 euro, por pastaj gjatë akordimit të “pazarit” me klientin, e ulin këtë çmim në 55, madje edhe në 50 euro.
Në çmimet e lartcekura hyjnë edhe transporti dhe prerja e metrit (shkurtimi) sipas nevojës së stufës së klientit.
Thënë më shkurt, më 2024, çmimi i druve është goxha më i lirë se në vitin paraprak, kur një metër dru, në tregjet e druve në Prishtinë, që karakterizohen me ofertë të shumtë, në korrik të 2023-tës, kushtonte hiç më pak se 70 euro dhe në raste edhe përtej këtij çmimi. Po me këtë çmim të evidentuar, gjatë korrikut 2023 dhe në muajt e mëpastajmë, pra me 70 euro për një metër kub dru, tregtoheshin drutë edhe në nëntor të vitit 2022, në ditët kur kishte arritur të ftohtit dhe kur temperaturat e ulëta ishin bërë të zakonshme në prag të dimrit të pritshëm.
Një prishtinas i moshuar, i cili vazhdon të ngrohë ambientet e shtëpisë ende me dru, dhe i cili është një njohës i mirë i ecurive të lëvizjeve të çmimeve të druve, thotë se ulja e çmimit të druve krahasuar me vjet dhe parvjet është evidente, madje kjo ulje, sipas tij, është e ndjeshme dhe shkon nga 20 deri në 30 për qind. Dhe njohësit e tregjeve të druve, çmimet e larta të druve për ngrohje gjatë dy viteve të shkuara i shohin si një ndër shtytësit kryesor që kanë ndikuar te shumë qytetarë të Prishtinës, t’u kthehen sërish ngrohjes me rrymë, që edhe me çmimet e ngritura, gjatë periudhës 2022 dhe 2023, praktikisht ishte më e lirë se sa ngrohja me dru të shtrenjta.
Kalimi nga ngrohja me dru në atë me rrymë nga shumë qytetarë ka ulur interesimin e qytetarëve për të blerë dru, që do të thotë ka ulur kërkesën për këtë produkt. Po kështu edhe masat e ndërmarra nga ana e Qeverisë për të subvencionuar përdoruesit e pajisjeve efiçiente të energjisë, ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e numrit të qytetarëve që tani janë përcaktuar që shtëpitë e tyre t’i ngrohin me rrymë në vend të druve.
Këto shkaqe të rënies së çmimit të druve gjatë tërë vitit 2024, dhe tani në prag të dimrit i apostrofojnë edhe druvarët, tregtarët e druve, të cilët sivjet kanë bërë gjiro më të vogël të të ardhurave nga shitblerjet e druve, si rrjedhojë e uljes së kërkesës për dru. Njëri nga druvarët që me vite tregton dru në Prishtinë, duke kërkuar anonimitetin, shprehet i sigurtë për Buletin Ekonomik se çmimi aktual i tyre shumë shpejtë do të ngritet, për shkakun se sivjet do të mbajë dimër i ftohtë, sipas parashikimit të meteorologëve, dhe kushtimisht do të ketë probleme me furnizimin me energji elektrike.
Ai thotë se gjatë dimrit me ditë të ftohta, thjesht nuk do të ketë mjaftueshëm rrymë dhe si rrjedhojë do të ketë reduktime të kushtëzuara. Por, sipas tij, në çmimet e druve në të ardhmen e afërt do të ndikojë edhe mungesa evidente e druve në malet rreth e qark Prishtinës, prej nga gjithmonë është furnizuar tregu i kryeqytetit, por edhe mungesa e fuqisë punëtore për të përgatitur drurin për treg.
Malet rreth e qark kryqytetit por edhe ato në Gollak dhe përtej, tani duken ‘të shkretnuara’ nga degradimi si rrjedhojë e prerjeve pa kontroll të tyre. “Nuk ka punëtorë sivjet. Askush nuk vie në mal. Ndonjë punëtor që shprehet i gatshëm ta bëjë këtë punë kërkon shumë para, dhe nuk ka llogari ta paguajmë aq sa kërkon”, thotë ai. /Buletini Ekonomik/









