“Të arriturat dhe kontestimet zhvillimore” para zgjedhjeve të pritshme

Zhvillimet dhe të arriturat ekonomike, sidomos ato që kanë të bëjnë me periudhën pas vitit 2020, vazhdon t’i madhërojë pushteti aktual, duke radhitur përditë suksese dhe progres zhvillimor, ndërkohë që opozita dhe ekspertët gjithnjë e më shumë bëjnë publik numra, përqindje e grafikone të dështimeve të përmbushjes së parashikimeve të investimeve dhe të objektivave të tjera ekonomike të autoriteteve aktuale.

Buletini Ekonomik

Në Kosovë, për vite të tëra në periudhën e pasluftës, investimet në përgjithësi, edhe ato të huajat edhe investimet kapitale kanë qenë objektivat më të papërmbushura te planet dhe parashikimet ekonomike dhe zhvillimore. Investimet, thënë më së buti, kanë qenë të zbehta, kanë ngecur edhe sivjet, edhe vjet edhe në shumë vite më herët. Thjesht, ka fare pak investime në Kosovë në gjithë këto vite, prandaj ka edhe zhvillim të paktë ekonomik, ka shtim të papërfillshëm të të punësuarve, ka varfëri dhe po ashtu ka ikje goxha të madhe të popullsisë nga atdheu i tyre. Madje, po shihet se ka edhe ikje jashtë Kosovës të kapitalit dhe të parasë nëpërmjet investimeve direkte jashtë Kosovës.

Dhe, këto fakte, sidomos ato që kanë të bëjnë me periudhën pas vitit 2020, i madhëron pushteti aktual, duke radhitur përditë suksese dhe progres zhvillimor, ndërkohë që oponenca politike dhe ekspertët nga radhët e opozitës përditë e më shumë përmendin numra, përqindje e grafikone të dështimeve të përmbushjes së parashikimeve të investimeve dhe të objektivave të tjera ekonomike të autoriteteve aktuale.

Reklama e sponzorizuar

Albin Kurti thotë se solli “2.7 herë më shumë” investime të huaja direkte sesa qeveritë e kaluara, duke u mburrur se “po e bëjmë shtetin destinacion tërheqës të investimeve të huaja. Sipas tij, 705.6 milionë euro është mesatarja vjetore e investimeve të huaja direkte gjatë qeverisjes së tij.

Kurti, kohë më parë, shkroi në Facebook se me të kryeministër, ka pasur “2.4 herë më shumë” investime të huaja direkte sesa “mesatarja vjetore gjatë qeverive të kaluara”, për të cilën tha se “është 299.8 milionë euro nëse e marrim nga viti 2007 e këtej”. Ndërsa në edicionin e 21-të të Forumit Ekonomik të Vjenës, gjatë fjalimit të tij, të transmetuar nga zyra e kryeministrit, ka thënë se nga viti 2008 e deri në 2020, mesatarja e rritjes së GDP ka qenë 3.65%. Ndërkaq në periudhën 2021-2023, pra duke iu referuar Qeverisë së tij, thotë se kjo shifër ka shkuar në 6.2%.

Po kështu, ai ka thënë se kanë dyfishuar eksportet, kanë ulur papunësinë dhe kanë krijuar vende të reja të punës.

“Ne shtuam 24% vende të reja pune në krahasim me atë që gjetëm kur mora detyrën në 2020 dhe si rezultat papunësia ra nga pothuajse 26% në rreth 10%”, tha Kurti.

“Për ne rritja ekonomike do të thotë mirëqenie sociale. Rritja nuk duhet të frenohet për shtetin, por duhet të shpërndahet në shoqëri dhe të krijojë mundësi të barabarta për të gjithë. Çdo 8 euro e ekonomisë sonë në rritje, e cila u arrit pavarësisht krizës së shumëfishtë, u rishpërnda për ata më të cenuarit që po luftonin me krizën ekonomike – qytetarët dhe bizneset e vogla. Kjo na bëri qeverinë me paketën më të madhe të mbështetjes në rajon (në raport me GDP), siç konfirmohet nga Banka Botërore”, ka thënë Kurti ndër të tjera.

Ndërkohë, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime, Kurti tha se Kosova ka potencial të madh për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm. Ai, duke folur për prioritete ekonomike dhe reformat e Qeverisë që ka ndërmarrë për të përmirësuar klimën e të bërit biznes dhe nxitjen e investimeve të huaja, vuri në dukje se “vendi ynë ka potencial të shndërrohet në një qendër rajonale për investime. Disa nga faktorët që e mbështesin potencialin janë stabiliteti institucional në vendin tonë, afërsia me tregjet perëndimore, rritja ekonomike prej 6.2% në vitet e fundit, projekteve infrastrukturore, rinia e madhe, fuqia punëtore të cilat janë bazë e fuqishme për zhvillim të mëtejmë”.

Ai ka ripërsëritur se “në Kosovën e pasluftës, nuk ka pasur asnjë protestë të vetme, në të cilën nuk figuron parulla: duam punë, duam paga më të larta, sigurisht, kushte më të dinjitetshme të punës, padyshim, por siç ka thënë ai, tani nuk ka më parulla “duam punë”, që është pasojë e drejtpërdrejtë e 75 mijë vendeve të reja të punës në 425 mijë nga 350 mijë sa ishin në pranverën e vitit 2021”.

Pak a shumë në këtë frymë dhe me të njëjtin zell paraqesin në publik “të arriturat’ e pushtetit aktual edhe ministrat e ministrive që kanë të bëjnë me ekonominë, me projeksione e vizione zhvillimore -Hekuran Murati, Artane Rizvanolli dhe në raste edhe Rozeta Hajdari.

Në anën tjetër, përfaqësues të opozitës, emra të radhitur ndër njohës të proceseve ekonomike, përgënjeshtrojnë, po kështu publikisht, thuaja të gjitha këto paraqitje të autoriteteve. Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, njëri ndër eksponentët që vazhdimisht ka kritikuar qeverinë aktuale për shumë ngecje dhe dështime të zhvillimeve ekonomike, së fundi ka kritikuar Qeverinë Kurti për investimet kapitale, duke thënë se është i katërti vit me radhë i humbur në këto investime.

Sipas Hotit, nga 913 milionë euro të parapara për investime kapitale, për nëntë muaj janë shpenzuar vetëm 325 milionë euro, dhe ka shtuar se “realizimi tepër i ulët, në veçanti nga disa ministri, tregon dembelinë dhe mungesën e kompetencës të ministrave, si dhe dështimin e kryeministrit për mbikëqyrjen e punës e ministrave”.

Ai ka renditur edhe përqindjen e realizimit nëpër secilën ministri, ku ajo e Industrisë, Drejtësisë, Financave, Bujqësisë, figurojnë me përqindje shumë të ulët të realizimit. Pas tyre, renditen Ministria e Arsimit, Ekonomisë, Shëndetësisë, e Punëve të Brendshme dhe Kulturës. Në një tabelë të realizimit ë investimeve kapitale, Hoti ka veçuar, sidomos huqjet investive të Ministrisë së Bujqësisë.

“Jo vetëm që shuma e investimeve kapitale në bujqësi është tepër e ulët, vetëm 3.8 mil euro, por edhe ato nuk realizohen. Nuk figuron asnjë projekt për ujitje të tokave bujqësore”, ka shkruar Hoti.

Por, përfaqësues të LDK-së, numerikisht më të shumtë dhe kontestues më të zëshëm të ministrit Murati, deklarojnë se “ky raport (i Bankës Botërore) është ri-konfirmim i asaj që ne si LDK e kemi potencuar vazhdimisht. Kjo Qeveri nuk ka plan për zhvillim ekonomik; por ka vetëm propagandë dhe keqqeverisje. Si rezultat i mungesës së vizionit dhe projekteve zhvillimore të kësaj qeverie, të rinjtë tonë po e braktisin vendin dhe largohen nga Kosova”.

Ndërsa deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, një kundërshtuese e vazhdueshme e kryeministrit Kurti dhe sidomos e ministrit Murati dhe të dhënave të tij për të arriturat zhvillimore, në një reagim ka thënë se “Qeveria ka gënjyer kur ka thënë se papunësia në Kosovë është 4 për qind”.

“Banka Botërore po thotë se në Kosovë është shkalla më e ulët e punësimit në rajon, vetëm 37% e qytetarëve në moshë punë janë të punësuar, këtë e thotë edhe Agjencia e Statistikave të Kosovës, këtë jemi duke e thënë edhe ne që një kohë të gjatë se vendi është katandisë si mos me keq”, ka thënë Bajrami, duke shtuar se “shqetësim mbetet që mbi 30 për qind e të rinjve të moshave 15-24 vjeç sot nuk janë në punë, as në shkollë as duke u trajnuar”.

Edhe përfaqësues të tjerë të LDK-së, por edhe të subjekteve të tjera politike, të njohur tashmë në publik, po kështu, si oponentë agresivë kundrejt vlerësimeve të përfaqësuesve qeveritar për të arriturat zhvillimore, për raportin e Bankës Botërore kanë konstatuar se “raporti në fjalë konfirmon dështimin e Qeverisë së Kosovës udhëhequr nga Albin Kurti”. Problematike, sipas tyre, janë gjetjet për nivelin e ulët të punësimit, ku vetëm 37.1% e popullsisë në moshe pune punon.

“Punësimi në Kosovë: 2/3 e popullsisë në moshë pune, nuk punojnë. Norma e punësimit në Kosovë është më e ulëta në Evropë, me vetëm 37.1% të popullsisë në moshë pune të punësuar, krahasuar me vendet e rajonit, ku mesatarja është 48.5%, ndërsa në Bashkimin Evropian, ku është 54.5%”, ka thënë Berat Rukiqi, një tjetër përfaqësues i LDK-së, që në shumë raste zëshëm mohon të arriturat e kësaj qeverie. Kësaj radhe e kishte me insistimin e ministrit se “Qeveria Kurti qëndron pakrahasueshëm më mirë sesa qeveritë e kaluara, sa i përket punësimit”.

Dhe, dallimet në prezantimin e proceseve zhvillimore të të arriturave dhe huqjeve në sektorët ekonomik, por edhe interpretimin e të dhënave të institucioneve me renome ndërkombëtare për zhvillimet prej më të ndryshmeve ekonomike , kanë qenë thuaja vazhdimisht prezente në skenën politike kosovare. Tash, në prag të fillimit zyrtar të fushatës parazgjedhore për zgjedhjet e pritshme parlamentare të 9 shkurtit 2025, kanë marrë hov dhe janë bërë të zhurmshme polemikat pozitë-opozitë dhe në raste edhe të bezdisshme jo pak për publikun. Në raste, te publiku i rëndomtë, sidomos, te ai që nuk është boll i informuar për proceset zhvillimore në Kosovë, këto polemika agresive deri në fyerje individuale dhe në nivele institucionesh, krijojnë paqartësi evidente, dilema, ngatërresa, por edhe përceptime të gabueshme.

Ndërkohë edhe njohësit e çështjeve ekonomike, të përcaktuar politikisht për taborre të ndryshme politike, tani në pragfushatë, interpretojnë me leksik të ndryshëm proceset ekonomike në Kosovë. Ndër ta, dikush sheh rezultate të dobëta në tregun e punës, ritëm të ngadalshëm të rritjes, papunësi të lartë e progres të kufizuar në infrastrukturë, duke përmendur disa nga kritikat që iu bënë Kosovës në fushën e ekonomisë na Raportin e Progresit për vitin 2024. Të tjerë, po kështu, njohës të ekonomisë, në këto vite shohin zhvillim, prosperitet, punësim më të madh, e kështu me radhë. Na mbetet të shpresojmë që këto ndasi të mos ashpërsohen edhe në javët në vijim, kur bëhen më të afërta zgjedhjet. /Buletini Ekonomik/