Vala, këto ditë ngriti çmimet e pakove të kombinuara PREPAID, diku rreth një të pestën e çmimit të deritashëm, ose diku rreth 20 për qind, në kohën kur në mbarë botën – çmimet e thuaja të gjitha shërbimeve dhe produkteve kanë tendenca uljeje, derisa edhe çmimet e telefonisë mobile në këto tregje janë ulur realisht. Një çmim plus që klintela kosovare e paguan për telefoninë mobile të VALA-s…
Buletini Ekonomik
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar të hënën se Telekomi i Kosovës është “duke ecur në drejtimin e duhur dhe nuk do të ketë kthim prapa”. Sipas saj, Telekomi po përballet me sukses me goditjet nga kontratat e dëmshme që u lidhën gjatë qeverisjeve të kaluara, kontrata që synonin degradimin dhe privatizimin e ndërmarrjes për përfitime të paligjshme të kompanive private.
“Telekomi do të përballojë me sukses edhe këtë goditje, TË FUNDIT, nga kontratat e dëmshme kriminale që u lidhën në kohë të qeverisjeve të kaluara që të vetmin qëllim kishin degradimin e privatizimin e Telekomit, ndërkohë që u krijonin mundësi të pabesueshme për pasurim të paligjshëm kompanive private në kurriz të Telekomit, e blenin vota përmes punësimeve partiake në masë, pa konkurse”, ka shkruar Rizvanolli.
Rizvanolli njoftoi se investimet në rrjetin e Telekomit janë në progres, ku aktualisht po vazhdohet në Istog dhe në aksin rrugor Prishtinë-Pejë, për të përfunduar me Klinën. Ky modernizim synon përmirësimin e shërbimeve të telefonisë mobile VALA me teknologji 5G dhe 4G+. Mirëpo, ministrja Rizvanolli, edhe kësj radhe nuk e tha një fjalë të vetme, për çmimet të reja të rritura të telefonisë mobile VALA. Ministrja sërish u bë memece dhe nuk e sqaroi fare opinionin për çmimet e ngritura të pakove të kombinuara PREPAID, me të cilat opinioni u përballë që në ditën e parë të nëntorit.
Me fjalë të tjera, Vala, ngriti çmimet (diku rreth një të pestën e çmimit të deritashëm, ose diku rreth 20 për qind), në kohën kur në mbarë botën çmimet e thuaja të gjitha shërbimeve dhe produkteve kanë tendenca uljeje, derisa edhe çmimet e telefonisë mobile në këto tregje janë ulur realisht. Prandaj, bëhet e diskutueshme deklarata e ministres Rizvanolli se Telekomi i Kosovës është “duke ecur në drejtimin e duhur dhe nuk do të ketë kthim prapa”. Nuk mund të ecët në drejtimin e duhur në asnjë mënyrë dhe asnjë herë me ngritje çmimesh dhe me veprime të njëanshme, siç veproi Telekomi i Kosovës dhe VALA, me çmimet e ngritura së fundi.
Veprimet e njëanshme të stafeve të deritashme të kësaj kompanie publike, që ka të gjitha parakushtet më të favorshme për të afaruar suksesshëm, e kanë sjellë Telekomin dhe VALA-n në gjendjen me degraedim të paimagjinueshëm afaristë dhe rrezikim serioz të ekzistencës, duke u krijuar, siç ripërsëriti sot ministrja Rizvanolli “mundësi të pabesueshme për pasurim të paligjshëm kompanive private në kurriz të Telekomit”. Por, duhet thënë edhe faktin e pamohueshëm se edhe ngritja dhe mbajtja e çmimeve enorme të larta të telofonisë mobile të Kosovës (edhe VALA-s, pra), ishte doemos një nga shkaqet e dekadencës së Telekomit të Kosovës dhe arritjes së kësaj kompanie në gjendjen ku ishte vetëm disa muaj më parë.
Me çmimet e fryra tej mase, bëhej përpjekje për t’i kompenzuar humbjet e shkaktuara nga keqmenaxhimi dhe keqpërdorimi ordiner i parasë publike. Tani, në kohën kur, siç tha ministrja Rizvanolli, se “Telekomi po përballet me sukses me goditjet nga kontratat e dëmshme që u lidhën gjatë qeverisjeve të kaluara, kontrata që synonin degradimin dhe privatizimin e ndërmarrjes për përfitime të paligjshme të kompanive private”, pse të ngriten çmimet, të cilat realisht për klientelën kosovare ka kohë që janë shumë më të larta se sa ato të proklamuara. Sepse, klienti kosovar i Vala-s, pos çmimit të ditur dhe të caktuar nga kompania, një çmim plus, por jo edhe aq të ditur për konsumatorin e rëndomtë, e ka paguar dhe vazhdon ta paguajë, edhe ndërmjet parasë publike, që është para edhe e konsumatorit të VALA-s, nëpërmjet intervenimeve financiare (infuzioneve financiare në forma të ndryshme dhe në raste jo të pakta) nga Qeveria e Kosovës, për ta shpëtuar Telekomin nga rrëbimi total, ose së paku për të zbutur gjendjen kaotike dhe të pasigurtë të afarizmit të kësaj kompanie.
Nuk ka pasur asnjë arsye të vetme për të ngritur tani çmimet e telefonisë mobile, aq më shumë, kur siç dihet, në Kosovë çmimet e telefonisë mobile janë enorme të larta, jo vetëm krahasuar me potencen financiare të popullisë shumicë, por edhe për faktin se gjithandej edhe telefonia mobile ka zënë të ulë çmimet e shërbimeve të veta. Telekomi i Kosovës, do të duhej të reflektonte nga pasojat që solli monopoli në këtë sektor. Duhet të këndellet Telekomi i Kosovës, por jo me çmime të ngritura, në asnjë mënyrë. Ndërsa është mirë nëse “Telekomi i Kosovës do të vazhdojë të përballojë me sukses goditjet nga kontratat e dëmshme kriminale që u lidhën në kohë të qeverisjeve të kaluara, që të vetmin qëllim kishin degradimin e privatizimin e Telekomit”, siç tha sot ministrja Rizvanolli. /Buletini Ekonomik/