Tregjet e gjelbra të Prishtinës “vërshohen’” nga mandarinat e Shqipërisë

Mandarinat nga Shqipëria, siç thonë shitësit, janë cilësore, dhe ka vite që janë shumë të pëlqyeshme nga konsumatorët kosovarë, dhe ardhja me shumicë e tyre në këtë kohë ka ndikuar shumë edhe në uljen e çmimit të mandarinave.

Buletini Ekonomik

Në ditët e fundit, saktësisht nga 10 deri më 14 nëntor, tregjet e gjelbra të kryeqytetit janë dominuar nga mandarinat e importuara nga Shqipëria. Në të gjitha tregjet e gjelbra, por edhe në dyqanet e specializuara të pemëve dhe të perimeve në Prishtinë, kanë “vërshuar” mandarinat cilësore dhe, sipas tregtarëve prishtinas, të kërkuara shumë nga blerësit.

Reklama e sponzorizuar

Mandarinat nga Shqipëria, siç thonë shitësit, janë cilësore, dhe ka vite që janë shumë të pëlqyeshme nga konsumatorët kosovarë. Ardhja me shumicë e tyre në këtë kohë ndikon shumë edhe në uljen e çmimit të mandarinave, të cilat deri më tani në tregjet tona vinin të importuara nga Turqia, Greqia dhe më pak edhe nga Ulqini dhe me çmime të kripura.

Një kilogram i këtij fruti, deri tani ka kushtuar 1,5 deri në 2 euro. Ndërsa me arritjen e kontigjenteve të mandarinës nga Jugu i Shqipërisë, kryesisht nga Konispoli dhe rrethinat e tij, çmimi i një kilogrami është ulur në 1 euro.

“Shumica e blerësve nuk e bëjnë të diskutueshëm çmimin e mandarinave nga Shqipëria. E pëlqejnë këtë frut, i cili tashmë pas sa viteve të plasimit me shumicë në tregjet e Kosovës, është bërë sikur të ishte prodhim i vendit. Thënë shkurt, mandarina nga Shqipëria është cilësore, e freskët dhe nuk ndodhë të ketë ankesa për cilësinë e saj’, thotë një tregtar në Tregun kryesor të Gjelbër (te ambientet e RTK-së).

Ai thotë se tani, më kot kërkon mandarina të prodhuara në vende të tjera, pasi që mandarinën nga Shqipëria thjeshtë e pëlqejnë kosovarët, prandaj edhe e duan.

Një tregtar tjetër, shumë pranë parafolësit dhe me shtand të stërmbushur me mandarina shqiptare, pret që çmimi aktual prej 1 euro, në ditët në vazhdim të ulet edhe më, sado që nuk ka ankesa për lartësinë e tij. Edhe në shumicën e marketeve, supermarketeve dhe shitoreve të specializuara të pemëve dhe perimeve, të cilat i kanë stërmbushur shtandet e tyre me mandarinë nga Shqipëria, çmimi i tyre është 1 euro, por edhe 1,2 euro e përtej.

Një produkt tjetër që vie këto ditë në tregjet tona, po kështu nga Shqipëria, është domatja, por çmimi i këtij perimi tani është thuaja i dy-trefishuar krahasuar me çmimin e domateve para disa javësh dhe muajsh. Dje në tregjet tona, një kilogram domate nga serrat shqiptare kishte çmimin 1,70 deri në dy euro. Në supermarkete, çmimi i këtyre domateve shkon edhe në 2,5 euro e përtej.

Në tregjet e gjelbra të kryeqytetit edhe këtyre ditëve bien në sy edhe dy tre produkte bujqësore që vazhdojnë të kenë çmime të pranueshme dhe të kapshme edhe për qytetarin e rëndomtë. Sivjet, çmimi i qepëve në Kosovë ka muaj që është standardizuar te 50-60 centëshi për një kilogram dhe ky çmim është ndjeshëm më i ulët se ai pas një viti e sa (saktësisht në muajt e pranverës të vitit të kaluar), kur një kilogram qepë në tregjet e Prishtinës tregtohej 1,6 euro deri në dy euro (nëpër minimarkete, markete të mesme dhe supermarkete) dhe 1,3 deri në 1,5, 1,6, 1,7 euro në tregjet e gjelbra.

Edhe purrini (preshi) këtyre ditëve imponohet me çmim të pranueshëm. Në tregjet tona një sasi preshi (tre copë të lidhur), që gjithsesi mund të peshojnë mbi një kilogram, vazhdon të tegtohet me 50 centë. Tregtarët e vjetër të pemëve dhe perimeve që me vite të tëra kanë shtandet e veta në Tregun e Gjelbër kryeqytetas, i kanë thënë Buletinit Ekonomik se këtë çmim kaq të kapshëm të preshit, kaherë, ndoshta edhe me vite nuk ka ndodhur ta ketë ky perim. Sivjet, preshi duket të jetë edhe cilësor, ndërsa tregtarët, nuk e kanë shumë të qartë se a është prodhim vendor, apo i importuar. Deri sivjet, preshi në sasi më të mëdha, për nevojat e tregjeve të Kosovës është importuar nga Shqipëria.

Këtyre ditëve në tregjet tona bie në sy edhe çmimi i ulur disa herë krahasuar me muaj më parë i spinaqit. Tani, një kilogram spinaq tregtohet më 80 centë dhe 1 euro, që është ulje drastike me çmimin e para dy tre muajsh, kur kilogrami i spinaqit kishte çmim stratosferik dhe tregtohej nga 5, 6 euro dhe përtej. Çmimet e perimeve të tjera, sipas vlerësimit të qytetarëve, por edhe njohësve të ecurive të çmimeve të produkteve bujqësore, janë shumë të larta. /Buletini Ekonomik/