Zyrtarët e KEK-ut, por në njëfarë mënyre edhe ata të KEDS-KESCO-s deklarojnë atë që secili kosovarë që është paksa i informuar për zhvillimet energjetike në vend, e di se edhe në këtë fundvit, për shkak të mungesës së rrymës së prodhuar nga kapacitetet vendore, situata elektroenergjetike në vend do të varet, në radhë të parë, nga koha, ose nga temperaturat se a do të jenë shumë të acarta, nga gatishmëria teknike e kapaciteteteve ekzistuese të termocentraleve Kosova A dhe Kosova B, nga importi me çmime stratosferike, apo me çmime më të pranueshme dhe nga shpenzimi i kosovarëve, përkatësisht nga kursimi i rrymës.
Mehmet GJATA
Se a do të ketë energji të mjaftueshme për të përmbushur nevojat e kosovarëve gjatë festave të fundvitit, mbetet sot e kësaj dite çështje e hapur dhe e diskutueshme. Sepse, askush nga kompetentët, nga ata që e kanë mision dhe detyrim ta furnizojnë me rrymë Kosovën në çdo kohë dhe në çdo stinë, nuk mund të parashohin saktësisht se si do të jetë gjendja elektroenergjetike në vend në fund të dhjetorit, pra, as në ditët festive edhe të këtij fundviti.
Zyrtarët e KEK-ut, por në njëfarë mënyre edhe ata të KEDS-KESCO-s, deklarojnë atë që secili kosovar që është paksa i informuar për zhvillimet energjetike në vend, e di se edhe në këtë fundvit, për shkak të mungesës së rrymës së prodhuar nga kapacitetet vendore, situata elektroenergjetike në vend do të varet, në radhë të parë nga koha, ose nga temperaturat se a do të jenë shumë të acarta apo jo, dhe të cilat jo rrallë dinë të jenë shumë të acarta në muajin dhjetor në Kosovën me klimë tipike kontinentale, nga gatishmëria teknike e kapaciteteteve ekzistuese të termocentraleve Kosova A dhe Kosova B, nga importi me çmime stratosferike, apo me çmime më të pranueshme dhe nga shpenzimi i kosovarëve, përkatësisht nga kursimi i rrymës. Këto janë parakushtet që japin përgjigjen se a do të ketë Kosova energji elektrike gjatë festave të fundvitit në rrethanat e mungesës së rrymës së bollshme të prodhuar nga kapacitetet ekzistuese të termocentraleve të stërvjetruara Kosova A dhe Kosova B.
Gjithsesi, në njëfarë mase, furnizimi i konsumit të vendit në ditët e fundvitit do të varet jo pak edhe nga këmbimi i energjisë elektrike KESH-KEK, në bazë të marrëveshjeve ekzistuese për këmbim të energjisë ndërmjet dy shteteve shqiptare, gjegjësisht nga huazimi nga pala kosovare e një sasie më të konsiderueshme nga KESH-i, të cilën më pastaj, gjatë muajve të verës KEK-u do t’ia kthente KESH-it.
Njohësit e rrethanave theksojnë bindshëm se edhe po të punonin me kapacitet të plotë të të gjitha kapacitetet tona aktive të prodhimit të rrymës, dy blloqet e termocentraleve Kosova B (B1 dhe B2-shi) me kapacitet dy herë 260 megavatë-orë si dhe 2 blloqe të Kosovës A (A3 dhe A5, ose A3-A4, ose A4-A5, KEK- një bllok të Kosova A gjithmonë në kohët e fundit e ka lënë si rezervë në rast të ndonjë defekti të papritur), me gjithsej 260 megavatë, ose secili bllok me kapacitet 130 megavatë, dhe dhjetëra megavatë të tjerë, si rëndom, të sigurohen nga kapacitetet ekzistuese të pakta të energjisë së rinovueshme (nga disa minihidrocentrale aktive dhe nga parqet e energjisë në bazë të erës në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Kamenicës – me gjithsej bashkarisht 780-800 megavatë-orë energji elektrike), prap se prapë në rrethanat e rritjes së konsumit mbi 1.000 dhe përtej deri në 1.100 megavatë-orë, nuk do të ishte energji e bollshme.
Nuk është shumë premtues as këmbimi i energjisë elektrike me Shqipërinë, për shkaqe tash për tash të pashpjegueshme nga zyrtarët e KEK-ut, ndërkohë që tashmë janë krijuar parakushtet për të funksionuar shumë më mirë marrëveshja për këmbimin e rrymës Kosovë-Shqipëri, aq më parë, kur si rrjedhojë e reshjeve, tashmë liqenet akumuluese të hidrocentraleve shqiptare, kanë rikthyer gjendjen e volitshme me rezerva të ujit. Por nuk duhet patur shumë iluzione se në ditët e acarta, njësitë aktive të termocentraleve të stërvjetruara, do të punonin në mënyrën më ideale të mundshme.
Dy ndërprerje brenda një jave në fillim të këtij muaji (dhjetorit) të dy njësive prodhuese të termocentralit Kosova B (B1 dhe B2), prodhuesit më të madh të energjisë elektrike në Kosovë, ku mbështeten ende shpresat për të pasur rrymë vendi edhe në ditë të mira edhe në ditë të këqia, nuk janë sinjale edhe aq shpresëdhënëse, para festave të fundvitit dhe dimrit të pritshëm dhe të parashikuar nga sinoptikët se do të jetë i acartë dhe me të reshura të shumta. Ndërprerjet në B1 dhe në B2 brenda 6-7 ditësh, qofshin ato të planifikuara, siç thanë zyrtarët e KEK-ut me rastin e ndërprerjes së prodhimit të B1 për dy-tre ditë fare në fillim të këtij muaji, qofshin të paplanifikuara, siç është rasti me B2-shin, që më 5 dhjetor 2024 u tërhoq nga prodhimi për shkak të rrjedhjeve në kazan, flasin goxha shumë se mbështetja e furnizimit të konsumit të Kosovës te termocentralet e stërvjetruara (Kosova B ka nis punën që në fillim të viteve të 80-ta të shekullit të kaluar), nuk është edhe aq e sigurtë.
“Mosha” e termocentraleve tona (Kosova A është akoma më e vjetër se Kosova B), përkundër përpjekjeve të padiskutueshme të KEK-ut, që nëpërmjet riparimeve të shpeshta dhe të shumta t’ua kthejnë freskinë e tyre dhe t’ua zgjasin vitet e prodhimit, ka ndikimin e drejtpërdrejt në funksionimin e tyre, në ndërprerjet e paparashikuara për shkak të ndonjë defekti teknik në stabilimente e kështu me radhë.
Defektet teknike në termocentralet e stërvjetrua, thjesht, asnjë herë nuk mund të parashikohen. Por, paralajmërim i keq është edhe e dhëna se nga e premtja e kaluar (13 dhjetor 2024) sërish është rënduar gjendja elektroenergjetike në vend. Të premtën, që në orët e para të mëngjesit është tërhequr nga prodhimi njësia A3 e termocentraleve Kosova A, ndërsa më herët ka dalë jashtë funksioni prodhues edhe njësia A5, kështu që nga e premtja në prodhim nga kapacitetet vendore ishte blloku A4 nga Kosova A dhe të dy blloqet e Kosovës B.
Ndërkohë siç ka njoftuar të hënën, zëdhënësja e KESCO-s, Margarita Rashiti, sasia e siguruar nga kapacitetet e KEK-ut as për së afërmi nuk i përmbushë nevojat e shtuara të konsumit të vendit, që si rrjedhojë e temperaturave të ulëta, thuaja vazhdimisht ka kaluar përtej njëmijë megavatëshit, ndërsa kohë pas kohe shpenzimi i rrymës në vend ka shkuar edhe në 1.100 megavatë, ndërsa në orët e pikut edhe deri në 1.200 megavatë.
Sipas Rashitit, vetëm gjatë ditës së premte dhe një pjese të ditës së shtunë (13 dhe 14 dhjetor), janë importuar energji elektrike në vlerë 3, 75 milionë euro.
Me fjalë të tjera, defektet teknike në stabilimentet e ‘moshuara” të termocentraleve të KEK-ut mund të ndodhin edhe gjatë festave të fundvitit. Dhe, nëse do të mbajnë temperatura të ulëta dhe ditë të acarta në fund të dhjetorit, siç parashikojnë meteorologët, atëherë domosdo bëhet i diskutueshëm furnizimi i bollshëm dhe stabil me rrymë i vendit në fundvit.
Siç u tha më lartë, nuk është shumë premtuese as këmbimi i energjisë elektrike me Shqipërinë, për shkaqe të pashpjegueshme nga zyrtarët e KEK-ut. Sipas tyre, edhe po qe se kapacitetet potencialisht të mundshme për të prodhuar në KEK, dy njësitë e Kosovës B dhe dy blloqet e Kosovës A, gjatë dimrit do të operonin thuaja në mënyrën ideale, pa ndonjë prishje të madhe teknike dhe pa ndonjë ndërpreje të gjatë, prap se prap do të ndihet mungesa e rrymës për shkak të rritjes enorme të shpenzimit dimëror. Prandaj, parashikimet e njohësve të mirë të zhvillimeve energjetike, edhe të inxhinierëve me përvojë në KEK, të mbështetura, gjithsesi, në kapacitetet ekzistuese të prodhimit të rrymës, dhe në rritjen e madhe të konsumit si rrjedhoje e uljes së temperaturave mbeten jo edhe aq optimiste sa i përket furnizimit me rrymë të konsumit të Kosovës gjatë festave të fundvitit.
Shumë zëra, ndër ta ekspertë dhe inxhinierë të angazhuar në sistemin energjetik të Kosovës, parashohin se edhe në ditët në vijim të dhjetorit, por edhe në muajt në vijim do të ketë mungesë evidente të energjisë dhe sipas tyre, do të ishte fat i mirë të ketë sa më pak mungesë dhe sa më pak restriksione të rrymës në këta muaj. Gjithsesi, mbetet çështje se a do të tregohet e gatshme KESCO të paguajë paratë e kërkuara për të importuar sasinë e munguar të rrymës, që në ditët e acarta ka kosto theksueshëm më të lartë se gjatë ditëve të ngrohta. Dhe së fundi, alternativë tjetër për ta zbutur mungesën e rrymës dhe importin e shtrejntë gjatë ditëve të festave të fundvitit mbetet, gjithsesi, kursimi dhe përkushtimi i konsumatorëve për të racionalizuar shpenzimin e rrymës gjithkund ku është e mundshme. Shpenzimi racional i rrymës, ose kursimi i këtij produkti të shtrenjtë gjithnjë ku ka mundësi të bëhet që në këto rrethana mbetet alternativa kushtimisht më e pranueshme, më e zbatueshme lehtësisht dhe me shumë efekte në zbutjen e mungesës së energjisë elektrike edhe në fundvit. Sido që të jetë, mbetet çështje e diskutueshme furnizimi stabil i kosovarëve me energji elektrike gjatë festave të fundvitit. Kështu është dhe do të jetë gjithnjë, derisa Kosova të prodhojë mjaftueshëm rrymë për nevojat vetanake. /Buletini Ekonomik/