B1-shi rikthehet, të gjitha termocentralet e Kosovës në prodhim

Termocentrali 'Kosova B'

Sot në prodhim gjenden të gjitha blloqet aktive të ternmocentraleve të Kosovës, B1 dhe B2 të Kosovës B dhe A3 dhe A5 të Kosovës A. Në këtë mënyrë, situata energjetike në Kosovë, tashmë duket shumë më e konsoliduar dhe më stabile, sepse Kosova ka në dispozicion diku rreth 800 megavatë-orë, ose plus 260 megavatë, aq sa është kapaciteti i B1-shit të rikthyer.

Buletini Ekonomik

Blloku B1 i termocentraleve Kosova B, është rikthyer në prodhim pas dy ditësh të një remonti të planifikuar. Tani në prodhim gjenden të gjitha blloqet aktive të ternmocentraleve të Kosovës, B1 dhe B2 të Kosovës B dhe A3 dhe A5 të Kosovës A. Në këtë mënyrë, situata elektroenergjetike në Kosovë, e keqësuar ndjeshëm, pas dëmtimit të kanalit Ibër-Lepenc në fshatin Varagë të Zubin-Potokut nga sulmi terrorist, dhe pas tërheqjes nga prodhimi të njësisë B1 të termocentraleve Kosova B, në natën ndërmjet të dielës dhe të hënës, tashmë duket shumë më e konsoliduar dhe më stabile. Sepse, pas rikthimit të bllokut B1 të martën në orët e pasditës dhe sinkronizimit të tij në sistemin elektroenergjetik të vendit sot (e mërkurë, 4 dhjetor 2024), në prodhim nga kapacitetet vendore gjenden dy blloqet e termocentraleve Kosova B (B1 dhe B2-shi) me kapacitet dy herë 260 megavatë-orë si dhe 2 blloqe të Kosovës A (A3 dhe A5), me gjithsej 260 megavatë, ose secili bllok me kapacitet 130 megavat. Dhe dhjetëra megavatë të tjerë, që si rëndom, sigurohen nga kapacitetet ekzistuese të pakta të energjisë së rinovueshme (nga disa minihidrocentrale aktive dhe nga parqet e energjisë në bazë të erës në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Kamenicës).

Reklama e sponzorizuar

Më konkretisht, siç ka njoftuar sot Skënder Bucolli, zëshënës i KEK-ut, pas rikthimit të B1-shit, saktësisht siç ishte planifikuar, brenda dy ditëve sa ka zgjatë një kontroll teknik i pajisjeve dhe eliminimi i defekteve në bllokun B1, Kosova nga mbrëmë (diku rreth orës 17 është sinkronizuar B1-shi) ka gjithsej 780-800 megavatë-orë energji elektrike në dispozicion nga kapacitetet prodhuese vetanake.

Kjo sasi e energjisë, edhe nëse nuk mjafton për të plotësuar në të gjitha orët nevojat e konsumit të Kosovës në rritje për shkak të ditëve të ftohta dhe temperaturave të ulëta, është e mirëseardhur për stabilitetin e sistemit elektroenergjetik të vendit, por edhe për të minimizuar ndjeshëm importin e energjisë elektrike. Thjesht, nga mbrëmë janë 260 megavatë-orë (kaq është kapaciteti i B1-shit të rikthyer në punë) më shumë, ose 260 megavatë-orë më pak energji e importuar.

Sipas zyrtarëve të KEK-ut, furnizimi i konsumit të vendit me rrymë, edhe në rrethanat e mbajtjes së temperaturave të ulëta, tashmë ka më shumë mundësi të arrihet edhe në saje të huamarrjes së energjisë elektrike nga Shqipëria. Në liqenet akumuluese të hidrocentraleve shqiptare është përmirësuar gjendja e rezervave të ujit si rrjedhojë e të reshurave, ndërsa KESH-i dhe mbarë zinxhiri elektroenergjetik shqiptar u dëshmuan maksimalisht bashkëpunues dhe të gatshëm për të këmbyer rrymë, në këtë rast huadhënie Kosovës, pas dëmtimit të kanalit, dhe me orë të tërë kanë vënë në dispozicion të Kosovës sasi imponuese të megavatëve.

Gjatë ditëve kur ndodhi dëmtimi i kanalit Ibër-Lepenci dhe pasojave që solli ky dëmtim, nga Shqipëria janë huazuar 150 megavat/orë energji elektrike, të cilën Kosova do ta kthejë gjatë muajve të verës dhe gjatë kohës së natës, kur në vend krijohen kushte solide për të pasur më shumë prodhim në termocentrale. /Buletini Ekonomik/