Diskutohet për qasjen në financa dhe gjithëpërfshirjen financiare

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) me mbështetjen e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Shkollës së Frankfurtit për Financa dhe Menaxhim, ka organizuar punëtorinë informuese për përfaqësuesit e institucioneve financiare vendore, si pjesë e nismës “WE Finance Code”.

Në hapje të punimeve Guvernatori Ahmet Ismaili, falënderoi pjesëmarrësit për pjesëmarrjen e tyre në këtë nismë dhe shprehu kënaqësinë që institucionit që drejton po koordinon këtë projekt në nivel vendi, pasi që sipas tij “WE Finance Code” ofron një mundësi shtese për të mbështetur objektivin e Planit Strategjik për qasje në financa dhe gjithëpërfshirje financiare, me theks për qasje për gratë ndërmarrëse.

Në fjalën e tij hyrëse po ashtu, shefi i Zyrës së BERZH-it në Kosovë, Sergiy Maslichenko, falënderoi BQK-në për angazhimin siç e quajti ai në, përfshirjen ekonomike dhe promovimin e barazisë gjinore në sektorin financiar të vendit.

Reklama e sponzorizuar

“WE Finance Code” është një projekt global që ka për qëllim forcimin e potencialit ekonomik të grave, përmes së cilit ofruesit e shërbimeve financiare, rregullatorët, bankat dhe akterët tjerë financiar bashkëpunojnë për të mbështetur financimin e ndërmarrjeve në pronësi nga gratë.

Kjo punëtori kishte për qëllim prezantimin e institucioneve financiare me projektin, diskutimin e sfidave dhe mundësitë e bashkëpunimit, ndërsa bashku me nismat tjera për të avancuar mbledhjen dhe më pas përpunimin e të dhënave mbi bazë të gjinisë dhe shumë më tepër, është faza e parë drejt zbatimit të këtij projekti, me qëllim të arritjes së rezultateve sa më të larta.

Gjatë takimeve vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB), që janë mbajtur në vjeshtën e këtij viti në Washington D.C., Guvernatori Ismaili dhe Zëvendëspresidenti i BERZH-it, z. Mark Bowman, kanë nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit lidhur me mbështetjen e qasjes në financa për gratë ndërmarrëse në kuadër të kësaj nisme.

Kjo Marrëveshje paraqet përkushtimin dhe zotimin e BQK-së për të mbështetur dhe kontribuar në nismat dhe zhvillimet e nevojshme në sektorin financiar, të cilat mundësojnë rritjen e qasjes në financa për gratë në biznese të vogla dhe të mesme, në funksion të rritjes së përfshirjes financiare, mbrojtjes së konsumatorit dhe edukimit financiar përmes që është në linjë me Planin Strategjik të BQK-së.

“WE Finance Code” u lansua vitin e kaluar nga Banka Botërore në takimet vjetore në Marakesh, ku edhe BQK-ja ishte pjesëmarrëse e kësaj nisme, dhe nënshkrimi i saj pikërisht në takimet vjetore, duke ju bashkuar rreth 30 bankave qendrore dhe institucioneve rregullatore.