Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave të Shqipërisë, shpenzimet kapitale shënojnë mosrealizim në raport me planin e periudhës në nivelin -30 për qind apo 24 miliardë lekë të pa shpenzuara. Ndërsa në raport me janar-tetor 2023, rezultojnë me rritje në 2.4 për qind.
Qeveria shqiptare ka disbursuar afro 56 miliardë lekë apo 570 milionë euro për investime publike përgjatë periudhës janar-tetor 2024.
Referuar të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, shpenzimet kapitale kanë një mosrealizimin në raport me planin e periudhës në nivelin -30 për qind apo 24 miliardë lekë të pa shpenzuara. Ndërsa në raport me janar-tetor 2023, rezultojnë me rritje në 2.4 për qind, ka raportuar ScanTV.
Nëse do të bëjmë një krahasim të buxhetit të shpenzuar për investime në 10 mujor, në 5 vitet e fundit vihet re një luhatje e vazhdueshme. Në 2020 shpenzimet kapitale për këtë periudhë regjistrohen në 57.1 miliardë lekë, duke pësuar rritje në 2021 në 58.2 miliardë lekë dhe nga 2022-shi janë luhatur në vlera 54-56 miliardë lekë.
Ky 10 mujor nuk bën diferencë nga trendi i ndjekur në vitet e fundit sa i takon realizimit të shpenzimeve kapitale. Shkak për disbursimin në ulje të fondeve janë shpesh procedurat e prokurimit që ndjekin institucionet të cilat marrin një kohë të konsiderueshme si dhe terrenet e vështira ku po realizohen projektet.
Me aktin normativ të miratuar në muajin Gusht, qeveria rriti financimin për shpenzimeve kapitale në 150 miliardë lekë, nga 135 miliardë lekë që ishte në aktin normativ të muajit Shkurt, me një kapërcim prej 11%. Në raport me shifrën totale vjetore të shpenzimeve kapitale, deri më tani realizimi është në nivelin 37 %.
Tashmë, është bërë praktikë që qeveria rishikon sërish buxhetin në mbyllje të vitit për të bërë rialokime të nevojshme, duke marrë fonde nga projekte që kanë pasur ecuri të dobët, për ti çuar ato në projekte me perfomancë më të mirë, në mënyrë që të përfundojnë sa më shpejt.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri me dije se së shpejti do të ketë një tjetër akt normativ për rishikimin e buxhetit 2024, ku do të ndahet bonusi i pranverës për pensionistët si dhe mund të ketë sërish rishikime në zërin e investimeve kapitale.
Shumica e buxhetit të shpenzimeve kapitale për vitin 2024 shkon për financimin e projekteve në vazhdim si: Unaza e madhe e Tiranës, Ndërtimi i Tunelit të Llogarasë, Rruga e Arbrit, Segmenti Orikum-Dukat, apo projektet e nisura në infrastrukturën e ujësjellës-kanalizimeve dhe projektet e zhvillimit urban të implementuara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Si dhe vijon financimi për projektin e rindërtimit, zë në të cilën u shtuan sërish fonde me aktin e fundit normativ.