Nga e premtja, në prodhim nga kapacitetet vendore janë blloku A4 nga Kosova A dhe të dy blloqet e Kosovës B, që do të thotë se Kosova gjithsej ka në dispozicion për nevojat e konsumit të vet dikur rreth 650 megavatë-orë rrymë, plus dhjetëra megavatë nga kapacitetet e disponueshme të energjisë së rinovueshme. Ndërkohë, konsumi këtyre ditëve thuaja vazhdimisht tejkalon 1,000 megavatëshin. Sipas zëdhënëses së KESCO-s, vetëm gjatë ditës së premte dhe një pjesë të ditës së shtunë (13 dhe 14 dhjetor), KESCO ka importuar energji elektrike 3, 75 milionë euro.
Buletini Ekonomik
Nga e premtja e kaluar (13 dhjetor 2024) sërish është rënduar gjendja elektroenergjetike në vend. Të premten, që në orët e para të mëngjesit është tërhequr nga prodhimi njësia A3 e termocentraleve Kosova A, ndërsa më herët ka dalë jashtë funksioni prodhues edhe njësia A5, kështu që nga e premtja në prodhim nga kapacitetet vendore janë blloku A4 nga Kosova A dhe të dy blloqet e Kosovës B.
Me fjalë të tjera, Kosova gjithsej ka në dispozicion për nevojat e konsumit të vet dikur rreth 650 megavatë-orë rrymë, plus dhjetëra megavatë nga kapacitetet e disponueshme të energjisë së rinovueshme.
Dihet, blloqet e Kosovës A, veç e veç kanë kapacitet diku te 130 megavatëshi, përkatësisht nga termocentralet e stërvjetruara Kosova A, nga e premtja, sistemit elektroenergjetik të vendit i sigurohen gjithsej 130 megavatë (vetëm prodhimi i A3-shit), ndërsa nga të dy blloqet e Kosovës B, prodhohen rreth 520 megavatë-orë, ose secili bllok i Kosovës B nga 260 megavatë. Ndërsa, kjo sasi e siguruar nga kapacitetet e KEK-ut as për së afërmi nuk i përmbushë nevojat e shtuara të konsumit të vendit.
Siç kanë njoftuar sot nga KESCO, këtyre ditëve, konsumi mesatar ditor si rrjedhojë e temperarturave të ulëta, thuaja vazhdimisht ka kaluar për tej njëmijë megavatëshit, ndërsa kohë pas kohe shpenzimi i rrymës në vend ka shkuar edhe në 1.100 megavatë, ndërsa në orët e pikut edhe deri në 1.200 megavatë.
Margarita Rashiti, zëdhënëse e KESCO-s, i ka thënë sot Buletini Ekonomik se KEDS-KESCO mungesën e madhe të energjisë elektrike po e kompenzojnë me import gjatë këtyre ditëve. Sipas saj, vetëm gjatë ditës së premte dhe një pjesë të ditës së shtunë (13 dhe 14 dhjetor), KESCO ka importuar energji elektrike në vlerë 3, 75 milionë euro.
Edhe sot, sipas zyrtares së KESCO-s, për të zbutur mungesën e energjisë elektrike KESCO vazhdon të importojë një sasi jo të paktë të rrymës. Ndërsa zyrtarët e KEK-ut nuk iu kanë përgjigjur interesimit të Buletinit Ekonomik rreth rikthimit të kapaciteteve prodhuese të Kosovës A dhe shkaqeve të tërheqjes së tyre nga procesi i punës.
Pokështu, për shkak të mbylljes së shërmbimit informativ të KEK-ut, nuk dihet se pse KEK-u nuk është duke huazuar energji elektrike nga Shqipëria në bazë të marrëveshjes në fuqi, aq më shumë në këto ditë kur në Kosovë ka mungesë të madhe të rrymës dhe kur në Shqipëri pas reshjeve të bollshme, janë mbushur liqenet akumuluese të hidrocentraleve në Kaskadën e Drinit dhe janë krijuar kushte të favorshme për të pasur më shumë energji elektrike dhe kjo do të thotë se tani ka rrethana më të favorshme për të këmbyer rrymë në realacionin KESH-KEK. /Buletini Ekonomik/