KDI: Emërimi i gruas së Aliut dhe nipit të Bislimit në KOSTT, shembull flagrant i nepotizimit

Instituti Demokratik i Kosovës ka reaguar lidhur me vendimet e marra në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, të cilat I ka cilësuar si goditje ndaj luftës kundër korrupsionit dhe standardeve demokratike.

Në këtë seancë, Kuvendi me votat e deputetëve të VV’së emëroi në Bordin e Drejtorëve të KOSTT gruan e Ministrit Liburn Aliu, Lumnije Zeka, dhe nipin e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, Gëzim Tosunin.

Sipas KDI’së, kjo paraqet shembull flagrant të nepotizmit dhe konfliktit të interesit, raporton Express.

Reklama e sponzorizuar

“Ky vendim përveç se cenon integritetin e institucioneve publike, zhvlerëson edhe premtimet dhe angazhimet e partisë në pushtet për institucione të pavarura. Për më keq, kjo vendimmarrje është në funksion të përdorimit të institucioneve për interesa private dhe politike të individëve të lidhur me pushtetin”, thuhet në njoftimin e KDI’së.

Sa i përket shqyrtimit dhe miratimit të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme në të dy leximet brenda një peridhe të shkurtër kohore, Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se kjo është goditje për proceset parlamentare.

Sipas KDI, nxitimi për miratimin e këtij projektligji është për qëllime electorale.

“ Ky projektligj, i proklamuar si ndër më të rëndësishmit në luftën kundër korrupsionit, nuk do të duhej të miratohej pa konsultime publike, pa debat parlamentar dhe pa përfshirjen e publikut. Ky nxitim në miratimin e tij, lë të kuptohet se projektligji po përdoret për qëllime elektorale, në vend që të shërbejë si mekanizëm kundër pasurimit të paligjshëm të zyrtarëve publik”, thuhet në reagim.

Këto zhvillime janë tregues të një tendence shqetësuese për të dobësuar shtetin e së drejtës dhe për të favorizuar interesat e ngushta politike të partisë në pushtet. Kuvendi i Kosovës, në vend që të jetë gardian i përpjekjeve në luftën kundër korrupsionit, po keqpërdoret nga shumica parlamentare për motive elektorale, duke kompromentuar kështu integritetin institucional.