Të dhënat e publikuara në disa raste për rënien e shitblerjes së banesave në vend, kohët e fundit janë sinjal goxha i qartë se edhe në Kosovë, ka nis të shpërfaqet kriza në sektorin e ndërtimeve. Ndërtuesit dhe institucionet përkatëse të shtetit duhet të bëjnë analiza serioze për paralajmërimet që vijnë nga sektori i ndërtimeve në Europë dhe në botë, dhe në bazë të tyre duhet menaxhuar zhvillimet e ndërtimeve.
Buletini Ekonomik
Në shumë vende të Europës dhe përtej, gjithnjë e më shumë dhe më publikisht, po flitet dhe po shkruhet për krizën që ka zënë ta kaplojë sektorin e ndërtimit. Në mediet ndërkombërtare, të cilat trajtojnë sektorë të ndryshëm të zhvillimeve ekonomike, duke u mbështetur në një raport të fundit të Institutit për Kërkime Ekonomike IFO në Mynih, të publikuar këto ditë, u raportua se “po vazhdon kriza në sektorin e ndërtimit të banesave në Gjermani”. Siç theksohet, përqindja e kompanive gjermane në sektorin e ndërtimit të banesave që ankohen për mungesë porosish, është rritur në muajin nëntor nga 49.9 për qind në tetor në 54 për qind, që do të thotë se më shumë se gjysma e firmave janë prekur nga ky problem.
Drejtuesi i hulumtimit të IFO, Klaus Volrabe, vlerëson se kriza në sektorin e ndërtimit të banesave në Gjermani ka marrë përmasa kronike.
“Nëse nuk merren masa të reja stimuluese, mungesa e banesave mund të bëhet një problem i përhershëm”, paralajmëroi ai.
Vlerësimi për situatën aktuale të biznesit është përkeqësuar krahasuar me muajin e kaluar, dhe parashikimet e kompanive gjermane për periudhën e ardhshme mbeten pesimiste. Në muajin tetor, 11.8 për qind e kompanive gjermane në sektorin e ndërtimit të banesave raportuan anulim të porosive, ndërsa në muajin nëntor ky numër ra lehtë në 10.5 për qind.
Ndërkohë, në Kosovë zhvillimet në sektorin e ndërtimeve vazhdojnë të përballen me paradokse evidente, por tani po ndodhë një ndryshim i tejdukshëm në sektorin kosovar të ndërtimeve – ndërtimet rriten, çmimet “fluturojnë”, ndërsa shitjet bien ndieshëm, për dallim me disa vite më parë, kur pati shumë banesa, ose kur kishte ndërtim të hovshëm dhe për rrethanat kosovare me çmime “të kripura”, dhe pati edhe shumë shitje. Dhe ky paradoks tashmë po ndodhë në Prishtinë, por edhe në qendrat e tjera komunale.
Me fjalë të tjera, epoka e artë e ndërtimeve në Kosovë, ajo e dy –tre vjetëve pas pandemisë COVID-19, kur realisht pati një lulëzim në sektorin kosovar të ndërtimeve, ka zënë të zbehet. Njëkohësisht, ndikimi i sektorit të ndërtimeve në rritjen e gjithmbarshme ekonomike ka rënë, ndërsa ka tendenca që ky ndikim të ulet gradualisht në vitet në vazhdim.
Tani po ndërtohet akoma goxha shumë në Republikën tonë, por nuk ka shitje me ritme imponuese siç kishte deri në vitet 2022-2023. Aktualisht, siç u tha më lartë, paradoksi në sektorin e ndërtimeve në Kosovë vazhdon, ndërtimet rriten, çmimet “fluturojnë”, por shitjet bien ndjeshëm. Nuk ka shitje, ndërkohë që çmimet e banesave ngriten edhe më shumë.
Edison Tërnava, përfaqësues i Asociacionit të Komunave të Kosovës, ka apostrofuar në medien ditë më parë këtë paradoks në tregun e ndërtimtarisë së vendit. Sipas tij, pra, ndonëse numri i projekteve të ndërtimit është në rritje, kërkesa për blerje të pasurive të patundshme ka pësuar një rënie drastike.
“Kemi rritje të ndërtimeve, por kemi rënie të shitjeve dhe ngritje të çmimeve. Kjo situatë kontradiktore është e shënuar nga një rënie e dukshme e shitjeve, e cila sipas të dhënave të Asociacionit arrin deri në 50-60% në krahasim me periudhën 2022-2023” ka thënë Tërnava.
“Ngritje drastike të çmimeve, kërkesa për blerje ka ra nëse flasim për periudhën 2022 deri në fund të 2023 ose fillim 2024 është 50-60% rënie e shitjeve ndërsa ndërtimi ka vazhdu”, ka shtuar ai.
Ndërkohë, të dhëna që vijnë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), flasin edhe më tutje për rritje të indeksit të tërësishëm të kostos së ndërtimit në Kosovë. Sipas ASK-së indeksi i tërësishëm i Kostos së Ndërtimit në vend (IKN) pati rritje për 0.9% në tremujorin e tretë 2024, krahasuar me tremujorin e dytë 2024. Ndërkaq, krahasuar tremujorin e tretë të këtij viti me të njëjtën periudhë të vitit paraprak (TM3 2023), Indeksi i Kostos së Ndërtimit pati rritje për 4.5%.
Sipas ASK-së, rritje kishte te energjia (20.1%), pagat (1.3%), materialet (0.7%), makineritë (0.4%) dhe kostot tjera (0.2%). Agjentët e pasurive të paluajtshme pohojnë se shtrenjtimi i çmimeve të apartamenteve, qoftë me arsye, qoftë jashtë çdo logjike të tregut, ka filluar të ndikojë në trendin e rënies së kërkesës për banesa, ndërsa sipas tyre, rritja e çmimeve në qendër të kryeqytetit sidomos, ka zhvendosur kërkesën në periferi, duke bërë që në pjesët periferike të ngritet tashmë çmimi i metrit katror ndjeshëm.
Por blerësit potencial të patundshmërive në kryeqytet tashmë janë përqendruar për shkak të çmimit më të ulët edhe në disa qendra të tjera që nuk janë në largësi gjeografike nga Prishtina. Për shkak të çmimeve më të favorshme të një metri katror, dhe autostradave ndërlidhëse me Prishtinën, nuk janë të paktë blerësit që po kontraktojnë banesa në Lipjan, Ferizaj, Vushtrri, duke e anashkaluar edhe Fushë-Kosovën e mbipopulluar nga banesat në ndërtesa kolektive.
Të dhënat flasin se në të gjitha qendrat e komunave të Kosovës (tash e sa vite ndërtohet me ritëm të lartë, diku më shumë e diku më pak) dhe thuaja në të gjitha qendrat komunale, jo vetëm që nuk ka rënie fare të çmimeve të banesave, por ka lëvizje të ngritjes së çmimeve. Si gjithnjë, prinë Prishtina edhe për nga oferta edhe për nga çmimet e larta. Megjithë këto çmime të larta, sipas ndërtimtarëve në Prishtinë, por as në mbarë Kosovën nuk ka banesa të finalizuara të pashitura.
Në anën tjetër, sipas njohësve të sektorit të ndërtimeve, në Kosovë tani tregu duket të jetë i stërngopur me banesa. Aktualisht mendohet se rreth 300 mijë banesa në Kosovë, në kryeqytet dhe në qendrat e tjera komunale, janë bosh, të pabanuara, sado që janë të shitura dhe kanë pronarë. Të dhënat e publikuara në disa raste për rënien e shitblerjes së banesave në vend kohët e fundit janë sinjal goxha i qartë se edhe në Kosovë, ka nis të shpërfaqet kriza në sektorin e ndërtimeve. Ndërtuesit dhe institucionet përkatëse të shtetit duhet të bëjnë analiza serioze për këto paralajmërime që vijnë nga sektori i ndërtimeve në Europë dhe në botë, dhe në bazë të tyre duhet menaxhuar zhvillimet e ndërtimeve.
Pikë së pari nëse vlerësohet se tregu i Kosovës është i stërmbushur me banesa dhe tani në muajt dhe vitet në vazhdim, do të ketë gjithnjë e më pak blerës të banesave, duhet një orë e më parë të reduktohet numri i lejeve të ndërtimit në të gjitha komunat e vendit, pastaj duhet të reflektojnë ndërtimtarët në parashikimet e të ardhmes së tyre për të mbijetuar në tregun e ndërtimeve, ku sinjale të tejdukshme sikur parajamërojnë ditët e vështira që do të vijnë. /Buletini Ekonomik/