Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë që ka nisur para pak minutash e ka nisur me problemin e furnizimit me energji elektrike në disa rajone të Kosovës, shkruan Express.
Kurti ka thënë se shqetësimet për gjendjen janë përcjellë tek operatorët KOSTT dhe KEDS dhe është kërkuar përkushtim në terren për të sanuar prishjet dhe që të ketë komunikim sa më të qartë dhe të shpesht me qytetarët.
Kreu i Qeverisë ka thënë se kanë kërkuar edhe finalizimin me urgjencë të punimeve në nënstacionin e ri të Ferizajt, meqë do të zgjidhte problemin për këtë qytet dhe vendet përreth.
“Këto shqetësime i kemi përcjellë tek operatorët e rrjetit, KOSTT Dhe KEDS dhe kemi kërkuar nga ta angazhim maksimal në disa drejtime. Përkushtim në terren për prishjet, komunikim të qartë dhe të shpeshtë me qytetarët dhe finalizim me urgjencë të punimeve në nënstacionin e ri të Ferizajt që do të zgjidh problemin për këtë qytet dhe do të zgjidh problemin edhe për vende të tjera”, ka thënë Kurti, raporton Express.
Kurti ka kërkuar nga qytetarët që racionalizojnë konsumin e energjisë elektrike sidomos nga ora 18:00 deri në mesnatë.
“Qytetarët i lusim të racionalizojnë konsumin e energjisë elektrike sidomos nga ora 18:00 deri në mesnatë, në të mirë të sigurisë të furnizimit për vete dhe të vendit tonë”, ka thënë Kurti.