Kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it, Evetar Zeqiri, pas takimit që pati me ministren Artane Rizvanolli dhe përfaqësuesin e KEDS, tha se sistemi elektroenergjetiik është duke u përballur me ngarkesa të mëdha.
Ai tha se “është duke bërë maksimumin që të operojë me kapacitet e tona”, ndërsa tha se ngarkesat më të mëdha janë dë disa komuna të caktuara si Ferizaj, Malisheva e Fushë Kosova.
Për këtë të fundit ai tha se është finalizuar ndërtimi i nënstacionit dhe më nuk do të ketë probleme të ngarkesës, raporton Gazeta Express.
“Ne kemi finalizuar ndërtimin e nënstacionit në Fushë Kosovë, i cili është përuruar javën e kaluar. Ky nënstacion e ka zgjidhur problemin e Fushë Kosovës dhe Obiliqit dhe më nuk do të ketë probleme me ngarkesë”.
Ndërsa, për Ferizaj ai tha se janë duke punuar.
“Çështja e Ferizajt është në ditët e fundit të punimeve. Kemi shpresuar që ta përfundojmë deri në fund të vitit, por ngarkesa është shumë e madhe. Kemi tri nënstacione në Ferizaj, cdo nënstacion arrin vlerën deri në 10 mln. Po flasim për investime shumë të mëdha, janë investime komplekse. Si rezultat i ngarkesës së madhe kërkohet reduktim i pjesshëm i ndonjë zone”.
“Ne po i adresojmë të gjitha problemet, jemi në fazat finale të kompletimit të punimeve. Jemi ballafaquar me shumë pengesa ligjore, administrative, pengesa të ronarëve të tokave. Vendime gjyqësore të padrejta. Autoritetet e rendit lokale s’kanë bashkëpunuar në mënyrë të duhur”.
Zeqiri tha se nuk ka pasë mungesë të energjisë, por se ngarkesat po shkaktojnë probleme dhe se kanë qenë të detyruar vetëm në këto zona të ketë reduktime.
Ai shtoi gjithashtu se po punojnë edhe në Malishevë.
“Problemi është i përkohshëm. Prodhimi është në maksimum, po funksionojmë në katër blloqe. Pra nuk bëhet fjalë për mungesë të energjisë, por ngarkesë”.
Ndërkaq, ministrja Rizvanolli tha se ka kërkuar nga KOSTT dhe KEDS që të komunikojnë me qytetarët më shpesh dhe të marrin parasysh ankesat e tyre.
“Unë i përcolla ankesat e të qytetarëve për energji dhe veçanërisht zonat e caktuara që kanë qenë të ndikuara. Kërkova nga të dy operatorët që të bëjnë maksimumin dhe të sanojnë në masën e mundshme të gjitha lokacionet që ka probleme, qoftë për shkak të prishjeve ose mbingarkesës. Të kenë komunikim sa më të shpeshtë dhe të qartë me qytetarët për natyrën e shkakun e problemeve dhe për atë çka është duke u bërë”.
“Nga qytetarët kërkojmë që t’i përcjellin informimet”.
Edhe përfaqësuesi i KEDS u ankua për ngarkesa.