Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se Kosova është ndër shtetet me sasinë më të vogël të ujit në rajon.
Kurti ka shtuar se burimet tona i ngjajnë një pjate të kthyer përmbys ku uji që buron në vendin tonë përfundon jashtë vendit.
“E sa për të rikujtuar rëndësinë qenësore që Liqeni i Ujmanit ka për vendin tonë, ai është liqeni më i madh i ynë. Me kapacitet maksimal 328.75 milionë m³ ai si i vetëm ka vëllim trefish më të madh sesa tre liqenet e tjera kryesore, Radoniqi, Batllava dhe Badovci, marrë së bashku. Gjendja aktuale, na mëson se në njërën anë kemi pak burime të ujit e në anën tjetër ato janë të centralizuara. Gjithashtu, na dikton nevojën jetike që burimet ujore t’i menaxhojmë mirë, t’i mbrojmë me kujdes dhe t’i shtojmë me prioritet”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Kryeministri tutje ka shtuar se në këtë drejtim, projektet përfshijnë ndërtimin e rezervuarëve të rinj si ai në Firajë (16.5 milionë m³), Shtime (113 milionë m³), Pollatë (37.5 milionë m³), Desivojcë, Kremenatë, Gjyrishevc, Kuçicë, dhe Dragaqinë, të cilët së bashku shtojnë një kapacitet prej 204 milionë m³.
“Ato janë pjesë thelbësore e strategjisë sonë për të përballuar sfidat klimatike, duke përfshirë thatësirat dhe përmbytjet, dhe për të garantuar furnizim të qëndrueshëm me ujë për të gjithë vendin. Projekte të tjera, si rehabilitimi i rrjeteve të ujësjellësit në Gjakovë, Gjilan, Ferizaj dhe Prizren, investimet tona në impiante të ujërave të zeza që tashmë kanë përfunduar në Pejë, Gjakovë, Prizren, trefishimi i stacioneve hidrologjike dhe meteorologjike, duke krijuar një sistem të avancuar të paralajmërimit të hershëm për përmbytjet dhe thatësira, gjithashtu kontribuojnë në reduktimin e humbjeve të ujit, përmirësimin e cilësisë dhe rritjen e kapacitetit për përdorimin e ujit të pastër për pije dhe ujitje”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri u shpreh se sot mori pjesë në konferencën përmbyllëse të projektit “Promovimi i Qasjes Universale në Ujë të Pastër”, organizuar nga Rilindja e Gjelbër dhe financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
“U jam falënderues për ftesën dhe mirënjohës për bashkëpunimin në këtë nismë, që njëherësh është edhe dëshmi e angazhimit tonë të përbashkët për një të ardhme më të mirë”, tha Kurti. /Telegrafi/