Kuvendi i hap rrugë anëtarësimit të Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave Evropiane

BQK - Buletini Ekonomik

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se me miratimin e Ligjit për bankat, Ligjit për shërbimet e pagesave dhe ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e terrorizmit, Kuvendi i Kosovës i ka hapur rrugë anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave Evropiane (SEPA).

Sipas Bislimit këto ligje përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt integrimit në tregun e vetëm të BE-së dhe përmirësimit të transparencës financiare në vend.

“Me këto ligje në fuqi, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) tashmë mund të miratojë rregulloret e nevojshme për zbatimin e tyre, që do të mundësojë finalizimin e aplikimit zyrtar për anëtarësim në SEPA. Kosova ka bërë tashmë para-aplikimin për anëtarësim në SEPA më 14 tetor 2024, duke dorëzuar dokumentacionin përkatës në DG FISMA dhe Këshillin Evropian të Pagesave (EPC). Aktualisht, vendi është në pritje të komenteve dhe rekomandimeve nga këto institucione, duke hapur kështu rrugën për dorëzimin e aplikimit final”, ka shkruar Bislimi në Facebook.

Reklama e sponzorizuar

Ai ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në SEPA do të sjellë përfitime të prekshme dhe konkrete për qytetarët e vendit.

“Pagesat ndërkufitare do të bëhen më të lira, duke kursyer deri në 55 milionë euro në vit nga remitancat dhe tregtia ndërkombëtare, një lehtësim i madh për familjet që pranojnë para nga të afërmit jashtë vendit dhe për bizneset që operojnë me partnerë ndërkombëtarë”, ka shkruar Bislimi.

Sipas tij përpunimi i transaksioneve do të jetë shumë më i shpejtë, shpesh brenda sekondave, duke rritur efikasitetin dhe duke ulur vonesat në kryerjen e pagesave.

“Siguria financiare do të rritet, duke garantuar mbrojtje më të madhe ndaj mashtrimeve dhe aktiviteteve të paligjshme. Gjithashtu, transparenca në transaksione do të përmirësohet ndjeshëm, duke ndihmuar në uljen e ekonomisë joformale dhe në luftën kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave. Përfundimisht, anëtarësimi në SEPA do ta lidhë Kosovën më ngushtë me ekonominë evropiane, duke e integruar atë më mirë në tregun financiar ndërkombëtar dhe duke forcuar lidhjet ekonomike me vendet e BE-së, që kontribuon në stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik të vendit”, ka shkruar Bislimi.