Minimi i tretë i masave shkëmbore – të enjten për tri orë mbyllet sërish segmenti Kijevë-Dollc

Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar se të enjten më 04 dhjetor, do të ketë sërish ndërprerje të trafikut në rrugën Prishtinë-Pejë, segmenti Kijevë-Dollc.

Kjo do të bëhet për shkak të realizimit të minimit të tretë të masave shkëmbore.

“Ju njoftojmë se më datë 04.12.2024, (e enjte) në trasenë e Zgjerimit të Rrugës Nacionale N9.1 Prishtinë-Pejë, Segmenti Kijevë-Dollc LOT-3, do të realizohet Minimi Nr.3 i masave shkëmbore nga ana e majtë dhe e djathtë e zgjerimit të rrugës”, thuhet në njoftim.

Reklama e sponzorizuar

Ndërprerja e qarkullimit të trafikut do të bëhet nga udhëkryqi i Gjakovës në Klinë deri te udhëkryqi i rrugës për Gjurgjevik, në intervalin kohor nga ora 15:00 deri në ora 18:00.

Kjo ndërprerje do të vlejë për të gjitha automjetet, ndërsa udhëtarët dhe pjesëmarrësit në trafik këshillohen që të shmangin lëvizjet në kohën dhe segmentin e përmendur dhe të përdorin rrugë alternative për të minimizuar vonesat dhe shqetësimet.

Ekipet e kontraktuara për këtë projekt, përfshirë Organin Mbikëqyrës “ERALD-G”, operatorin ekonomik “LIKA COMPANY SHPK”, dhe Policia e Kosovës, do të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar rrjedhën e qetë dhe të sigurt të procesit.

Ministria e Infrastrukturës falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e tyre. /Telegrafi/