Ministri Peci njofton edhe për 14 milionë euro shtesë për bujqësinë

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci ka deklaruar se në kohën kur e ka marrë drejtimin e kësaj ministrie e kishte gjetur të zhytur në borxh prej 41 milionë euro, raporton Ekonomia Online.

Ndërsa, pasardhësit në Ministrinë e Bujqësisë, ai ka bërë të ditur se do t’ia dorëzoj ministrinë me 110 milionë euro në dispozicion, raporton Ekonomia Online.

“Me marrjen e mandatit si Ministër i Bujqësisë, jam përballur me vështirësinë nr. 1 e që ka qenë buxheti i disponueshëm në vlerën 0 euro, ndërsa borxhet e obligimet e lëna nga parardhësit tejkalonin vlerën e 40 milionë eurove. Viti 2022, ka qenë viti i parë ku është shpaguar për së pari herë në tërësi djersa dhe mundi i fermerit”, ka thënë ministri Peci.

Reklama e sponzorizuar

Ai ka shkruar se kjo ka pasuar edhe gjatë vitit 2023 me 0 borxhe ndaj fermerëve, si dhe sipas tij do të përmbyllet suksesshëm edhe për vitin 2024, po ashtu me 0 borxhe ndaj fermerëve në kategorinë e pagesave direkte-subvencioneve.

“Unë kam patur fat sfidues që në vitin 2021 t’i trashëgoj mbi 40 milionë euro borxhe, obligime e detyrime mirëpo ndihem krenar që si rezultat i përkushtimit dhe menaxhimi të përgjegjshëm të financave publike, Ministri i Ardhshëm i Bujqësisë në vitin 2025, nuk do të trashëgojë obligime mirëpo do t’i ketë në dispozicion 110 milionë euro buxhet. Nga këto, 90 milionë euro janë buxhet nacional, ndërsa 20 milionë euro të siguruar nga donatorët e organizatat ndërkombëtare”, ka theksuar Peci.

Ai ka falënderuar kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Financave Hekuran Murati për mbështetjen e vazhdueshme karshi sektorit të bujqësisë.

“Nga borxhet, korrupsioni dhe zhvatja tek mundësitë, transparenca dhe mundësitë e barabarta!”, ka përfunduar mesazhin e tij ministri Peci.