Mungesa e rrymës pas tërheqjes nga prodhimi të B1-shit kompenzohet me huazim nga Shqipëria dhe me import

Foto: Termocentrali Kosova B-KEK

KESH dhe mbarë zinxhiri elektroenergjetik shqiptar kanë dëshmuar solidaritet mbresëlënës pas dëmtimit të kanalit të Ibër-Lepencit, dhe me orë të tëra kanë vënë në dispozicion të Kosovës sasi imponuese të megavateve me energji. Dje, por edhe sot për orë të tëra, nga Shqipëria janë huazuar 150 megavat/orë energji elektrike, të cilën Kosova do ta kthejë gjatë muajve të verës, kur në vend krijohen kushte solide për të pasur më shumë prodhim në termocentrale.

Buletini Ekonomik

Situta elektroenergjetike në Kosovë, pas dëmtimit të kanalit Ibër-Lepenc në fshatin Varagë të Zubin-Potokut nga sulmi terrorist, siç është vlerësuar tashmë nga autoritetet e Kosovës, mbetet e brishtë dhe komplekse. Duhet thënë se pas ndaljes së prodhimit në njësinë B1 të termocentraleve Kosova B, në natën ndërmjet të dielës dhe të hënës, ose siç saktëson KEK-u nëpërmjet një komunikate, në minutat e para pas mesnate, në prodhim, nga kapacitetet vendore gjenden njëri bllok i termocentraleve Kosova B (B2-shi) me kapacitet 260 megavatë-orë si dhe 2 blloqe të Kosovës A (A3 dhe A5), me gjithsej 260 megavatë, ose secili bllok me kapacitet 130 megavat. Dhe dhjetëra megavatë të tjerë, si rëndom, sigurohen nga kapacitetet ekzistuese të pakta të energjisë së rinovueshme (nga disa minihidrocentrale aktive dhe nga parqet e energjisë në bazë të erës në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Kamenicës).

Reklama e sponzorizuar

Gjithsej, brenda dy ditëve të ardhshme, sa do të zgjatë një kontroll teknik i pajisjeve dhe eliminimi i defekteve në bllokun B2, sipas një planifikimi të mëhershëm, siç ka paralajmëruar sot KEK-u, nëpërmjet një komunikate, Kosova do të ketë gjithsej 520-550 megavatë-orë energji elektrike në dispozicion nga kapacitetet prodhuese vetanake. Kjo sasi e energjisë, natyrisht që nuk është e mjaftueshme për të përmbushur nevojat e shtuara të konsumit të Kosovës me rrymë.

Në KESCO kanë thënë se një sasi goxha e madhe e rrymës po importohet për ta kompenzuar mungesën e energjisë elektrike nga termocentralet e vendit, ndërsa zyrtarë të KEK-ut, i kanë thënë sot Buletinit Ekonomik, se megjithë mungesën e rrymës nga B2-shi, sistemi elektroenergjetik i vendit dhe furnizimi i konsumit edhe sot, edhe gjatë ditëve pas dëmtimit të kanalit Ibër – Lepenc, është mbajtur relativisht stabil.

Sipas zyrtarëve të KEK-ut, furnizimi i konsumit të vendit me rrymë, me fare pak restriksione, është arritur edhe në saje të huamarrjes së energjisë elektrike nga Shqipëria. KESH dhe mbarë zinxhiri elektroenergjetik shqiptar kanë dëshmuar solidaritet mbresëlënës pas dëmtimit të kanalit, dhe me orë të tërë kanë vënë në dispozicion të Kosovës sasi imponuese të megavatëve. Dje, por edhe sot për orë të tëra, nga Shqipëria janë huazuar 150 megavat/orë energji elektrike, të cilën Kosova do ta kthejë gjatë muajve të verës dhe gjatë kohës së natës, kur në vend krijohen kushte solide për të pasur më shumë prodhim në termocentrale.

Sot, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar nëpërmjet një njoftimi se gjatë dy ditëve “do të kryhet një kontroll teknik i pajisjeve dhe eliminimi i defekteve”.

“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njofton opinionin se sonte, në minutat e para pas mesnate është ndalur njësia B1, sipas një planifikimi të mëhershëm. Gjatë kësaj ndalese të shkurtër dy-ditore, do të kryhet një kontroll teknik i pajisjeve dhe eliminimi i defekteve. Ky proces pritet të përfundojë nesër gjatë ditës, dhe njësia do të kthehet në prodhim në mbrëmje, rreth orës 20:00”, thuhet në njoftim.

Kjo ndalesë, KEK-u thotë se “është e nevojshme për të siguruar që njësia të jetë në kushte optimale për prodhim dhe për të garantuar vazhdimësinë dhe sigurinë e furnizimit me energji elektrike”.

Ndërkohë, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, po kështu, nëpërmjet një njoftimi të plasuar në FB ka njoftuar për një zgjidhje, siç e ka cilësuar ajo, ‘të re inxhinierike’ në pjesën e dëmtuar të kanalit, për të ruajtur sigurinë e kanalit për shkak të rrjedhjeve të ujit në pjesën e kanalit të dëmtuar nga sulmi terrorist.

Rizvanolli ka thënë se “për të realizuar punët në kanal, furnizimi i kanalit me ujë është ndërprerë mbrëmë në mesnatë. Si rrjedhojë, komunat që furnizohen me ujë nga Ibër-Lepenci mund të kenë reduktime gjatë ditës së sotme. Intervenimet në kanal sapo kanë përfunduar dhe furnizimi i kanalit me ujë ka rifilluar, ndërsa nivelet e ujit në Termocentralin Kosova B janë monitoruar dhe kanë qenë të mjaftueshme përgjatë gjithë kohës. Sikurse edhe gjatë dy ditëve të kaluara, prioritet i parë do të mbetet furnizimi i mjaftueshëm i termocentralit me ujë për ftohje, për të zgjeruar pastaj furnizimin për KRU-të sa më herët që është e mundshme”, ka thënë Rizvanolli.

Ajo ka inkurajuar qytetarët të ndjekin njoftimet e Kompanive Rajonale të Ujësjellësit për informata të sakta rreth furnizimit me ujë, dhe njëkohësisht ka falënderuar ekipin e Ibër-Lepencit dhe kontraktorit për punën në kanal, si dhe ministrin Sveçla dhe zëvendësministrin Durmishi që kanë përcjellur nga afër punën në terren gjatë gjithë natës. /Buletini Ekonomik/