Të dhëna, të bëra publike nga individë ambientalistë, por edhe ca të shifrave që vijnë nga institucione të ndryshme dhe nga shoqëria civile, flasin se Kosova ka nivel alarmant ndotjeje, dimrit dhe verës, në vendbanimet urbane dhe rurale, në tokë dhe në ujëra, por edhe pasoja të përmasave të frikshme edhe alarmuese në shëndetin e kosovarëve, siç u konstatuan këto ditë edhe nga Agjencia Evropiane e Mjedisit. Sipas kësaj Agjencie, në vitin 2022, në Kosovë ekspozimi ndaj niveleve të larta të PM2.5 rezultoi në: 2,400 vdekje të atribuara, 254 vdekje për 100,000 banorë të rrezikuar dhe 2,640 vite jetë të humbura për 100,000 banorë të rrezikuar, duke e vendosur Kosovën ndër vendet me ndikimin më të lartë relativ në Evropë.
Mehmet GJATA
Kosova vazhdon të jetë njëra ndër vendet me ambient të ndotur dhe të degraduar, si rrjedhojë në radhë të parë të prodhimit të pjesës dërrmuese të energjisë elektrike nga qymyri për dekada me radhë (aktualisht mbi 90 për qind e megavatëve te energjisë elektrike janë nga prodhimi në bazë të thëngjillit), por edhe të ndotësve të tjerë siç janë numri i madh i automjeteve të stërvjetëruara në qarkullim, mbushja e tokës së Kosovës me produkte të plastikës dhe prerja e egër dhe pa kontroll e maleve të vendit.
Ndotjes dhe degradimit në përmasa goxha alarmuese në Kosovë, pos emetimeve nga termokapacitetet e energjisë elektrike, i kontribuojnë edhe pakujdesi i publikut me shkarkimet, hedhjet e mbeturinave, por edhe neglizhenca e kahmotshme dhe e përvitshme e autoriteteve dhe zyrtarëve për të monitoruar në vazhdimësi dhe përditë përqëndrimin e ndotësve në ajër, në tokë dhe në ujëra, dhe për të ndërmarrë masat e nevojshme për mbrojtjen e ambientit.
Sipas të dhënave të raportit të fundit të Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA), të bëra publike të martën (më 10 dhjetor 2024) edhe në disa medie të vendit, numri i vdekjeve në Kosovë gjatë vitit 2022, që janë të lidhura me ekspozimin ndaj grimcave të imëta PM2.5 është frikësues.
Në këtë raport saktësohet se më 2022 kanë ndodhur rreth 239 mijë vdekje në Bashkimin Europian gjatë vitit 2022, të cilat janë të lidhura me ekspozimin kundrejt grimcave të PM2.5, ndërsa vetëm në Kosovë, ky numër ishte 2,400 veta. Në raportin e EEA-së sqarohet se PM2.5 përfaqësojnë grimca mikroskopike, si pluhur, tym, blozë dhe materiale të tjera që shpërndahen në ajër. Për shkak të madhësisë së tyre të vogël, këto grimca depërtojnë lehtësisht në sistemin e frymëmarrjes dhe mund të hyjnë në qarkullimin e gjakut, duke shkaktuar stres oksidativ, inflamacion dhe një gamë të gjerë sëmundjesh kronike.
Sipas të dhënave për vitin 2022, në Kosovë ekspozimi ndaj niveleve të larta të PM2.5 rezultoi në: 2,400 vdekje të atribuara, 254 vdekje për 100,000 banorë të rrezikuar dhe 2,640 vite jetë të humbura për 100,000 banorë të rrezikuar, duke e vendosur Kosovën ndër vendet me ndikimin më të lartë relativ në Evropë. Kosova renditet pranë Maqedonisë së Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinës për ndikimin më të lartë relativ të PM2.5, ndërsa vendet me ndikimin më të ulët përfshijnë Islandën, Finlandën, Suedinë dhe Norvegjinë.
Në këtë raport thuhet se sipas analizave, sëmundja ishemike e zemrës dhe kanceri i mushkërive përbëjnë pjesën më të madhe të vdekjeve nga ndotja e ajrit. Për sëmundje të tjera si goditja në tru, diabeti, dhe sëmundjet pulmonare obstruktive kronike, ndikimi i morbiditetit është gjithashtu i lartë, duke përfaqësuar një barrë të rëndësishme shëndetësore. Ndërkohë, të dhëna të bëra publike nga individë ambientalistë dhe dashamirës të natyrës së pastër, por edhe ca të shifra sporadike që vijnë nga institucione të ndryshme dhe nga shoqëria civile, flasin se Kosova ka nivel alarmant ndotjeje, dimrit dhe verës, në vendbanimet urbane dhe rurale, në tokë dhe në ujëra, por edhe pasoja të përmasave edhe më alarmuese se të Agjencisë Evropiane të Mjedisit të ndotjes së ajrit, ujërave dhe tokës në shëndetin e kosovarëve.
Luan Shllaku, një aktivist i zellshëm i mbrojtjes së ambienit në Kosovë, kohë më parë në një televizion të vendit kishte deklaruar se rreth 470 vdekje ndodhin brenda një viti nga sëmundjet që shkaktohen si pasojë e ndotjes nga termocentralet Kosova A dhe B. Shllaku ka thënë se këto të dhëna janë nxjerrë nga një raport i bërë bashkë me Institutin “Musine Kokalari”, ndërsa, sipas tij, sëmundjet si pasojë e ndotjes prekin sidomos njerëzit nga zona e ndikimit të termocentraleve.
Ndërkohë, një raport i vitit 2019 i Bankës Botërore ishte edhe më alarmues. Në raportin e BB-së thuhej saktësisht se ndotja e ajrit vret rreth 760 njerëz çdo vit në Kosovë.
“Komuna e Obiliqit ka rreth 30 për qind më shumë pacientë me sëmundje kronike të frymëmarrjes dhe 30 për qind më shumë raste të tumoreve malinje (kanceri) sesa pjesët tjera të Kosovës si pasojë e ndotjes së mjedisit”, kanë konstatuar mjekët vendas.
Sipas të dhënave të Balkan Green Foundation, “njerëzit që jetojnë në zona të kontaminuara (lexo: njerëzit që jetojnë rreth e qark kompleksit elektroenergjetik të Kosovës) humbasin rreth pesë vjet jetë për shkak të ndotjes së ajrit”.
Në fillim të nëntorit të sivjetshëm, me rastin e lansimit në Prishtinë të raportit të UNICEF-it “Analizë mbi gjendjen klimatike për fëmijët”, u shpalos edhe një raport i cili hedh dritë mbi mënyrën se si ndryshimet klimatike, sfidat mjedisore dhe energjetike ndikojnë në të drejtat e fëmijëve si dhe qasjen në shërbimet jetike në Kosovë, përfshirë shëndetin, arsimin dhe sanitarinë. Sipas raportit të publikuar, mjedisi dhe ndryshimet klimatike përbëjnë tre nga pesë faktorët kryesorë që rrezikojnë shëndetin nga sëmundjet e ndryshme tek fëmijët nën 5-vjeç në Kosovë dhe gjithë Ballkanin Perëndimor. Cilësia e ajrit në Kosovë, u tha edhe me këtë rast, se është në nivel ndër më të ulëtin në Evropë, me më shumë se 25 herë sesa kufiri i sigurt i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për fëmijët.
Ndërkohë, sërish këtyre ditëve, banorët e Obiliqit dhe vendbanimeve që shtrihen në afërsi të kompleksit elektroenergjetik të Kosovës, kanë alarmuar publikisht (për të satën herë) për ndotjën enorme dhe disa herë mbi çdo standard të mbrojtjes së ambientit nga termocentralet Kosova A dhe Kosova B dhe për pasojat e rënda shëndetësore që po shkaktojnë “fabrikat” e prodhimit të rrymës ndër banorët e këtyre vendbanimeve.
Edhe në fund të gushtit dhe në fillim të shtatorit të sivjetshëm ishin po banorët e Obiliqit dhe të fshatrave përreth termocentraleve Kosova B dhe Kosova A, të cilët alarmuan opinionin për nivelin enorm të lartë të ndotjes së ambientit nga tymi dhe grimcat e hirit, nga “vjellja” e termocentraleve të vjetra të Kosovës. Dhe, kaherë është e ditur qartë nga opinioni dhe nga institucionet se ndotja e ajrit në Kosovë vazhdon t’i tejkalojë të gjithë kufijtë e lejueshëm, ndërsa termocentralet e Kosovës konsiderohen ndër ndotësit më të mëdhenj në Evropë. Sipas banorëve të Obiliqit, elektrofiltrat ekzistues, edhe pse janë shumë të vjetër dhe janë vetëm pjesërisht të efektshëm në parandalimin e ndotjes nga djegja e qymyrit, kur janë jashtë përdorimit fare, në fshatrat përreth kompleksit elektroenergjetik te vendit, e bëjnë jetën shumë vështirë.
Rrezikohet, para së gjithash shëndeti i qindra banorëve në radhë të parë nga pasojat e tymit dhe grimcave të hirit që dalin pa kontroll nga oxhakët e termocentraleve të Kosovës A dhe Kosovës B, keqësohet gjendja e qindra të sëmurëve kronikë si pasojë e ndotjes së pamatë të ajrit, ujit dhe tokës, por edhe paraqiten raste të reja të të sëmurëve numerikisht të shumtë…
Sipas njoftimit të Komunës së Obliqit, të dhënat e vitit 2023 tregojnë se sëmundjet respiratore kanë arritur në 17 mijë e 912 raste, ndërsa ato të qarkullimit të gjakut në 7 mijë e 355 raste në këto vendbanime. Po ashtu, sipas këtij njoftimi, çdo vit në Obiliq regjistrohen mesatarisht 50 raste të reja me sëmundje kancerogjene.
Të dhënat më të fundit të bëra publike nga raporti i Agjencisë Evropiane të Mjedisit të martën, ato nga autoritetet e Komunës së Obiliqit për ndotjen enorme dhe disa herë mbi çdo standard të mbrojtjës së ambientit nga termocentralet aktuale të Kosovës, të ambientalistëve të shumtë, janë vetëm edhe ca informacione shtesë për pasojat e ndotjes së ambientit në Kosovë, ose përkujtues të ripërsëritur, ndër qindra sish të bërë deri më tash, në adresa të autoriteteve dhe zyrtarëve për pasojat aktuale, por edhe ato të deritashme të shkaktuara nga ambienti i ndotur përtej çdo parashikimi. Dhe, prap Kosova vazhdon të jetë një ndër vendet me ambient ndër më të ndoturin dhe të degraduarin, dhe ende nuk ka ndonjë veprim konkret as nga KEK-u, as nga institucionet e tjera të shtetit për të parandaluar, ose për të minimizuar sa më shumë pasojat e ç’ekuilibrimit të tejdukshëm të ambientit nga ndotja.
Duket e diskutueshme edhe vëmendja e Qeverisë aktuale e përqëndruar në Strategjinë energjetike 2022-2031, ku vlerat mjedisore sikur janë lënë anash. Në Strategjinë Energjetike thuaja se përciptazi flitet për ndotjen e ajrit dhe synimet për ta evituar apo zbutur këtë problem, sado që konstatohet se “ndotja e ajrit është ende problem serioz në Kosovë, pjesërisht si rezultat i mospërputhjes së termocentraleve me linjit me kufijtë e përcaktuar në PKRE”.
Sipas raportit të zbatimit të Komunitetit të Energjisë të vitit 2021, që e citon Strategjia, “vlerat aktuale të emetimeve në Kosovë, krahasuar me kufijtë, ishin 197% në rastin e SOx , 223% për NOx dhe 177% për pluhurin”. Por, zyrtarët, as nga KEK-u dhe as nga pushteti nuk është se janë “lodhur’ shumë as kundrejt alarmeve publike të bëra këtyre ditëve nga banorët e Obiliqit dhe vendbanimeve që shtrihen në afërsi të kompleksit elektroenergjetik të Kosovës, për ndotjen enorme dhe disa herë mbi çdo standard nga termocentralet Kosova A dhe Kosova B. Fushata paraelektorale mbase do t’ia përkujtojë ndonjë pretendenti për deputet, së paku të premtojë në këto ditë para 9 shkurtit, për të bërë të jetueshme edhe Kosovën, edhe komunën e Obiliqit. Ndërsa, tashmë kosovarët janë të stërngopur edhe me premtimet për të krijuar ambient më të pastër, më të shëndoshë dhe më normal, dhe pesimistë, gjithsesi, se do të realizohet ndonjë nga premtimet për mbrojtje të mjedisit. /Buletini Ekonomik