Në Shqipëri rriten lehtë investimet e huaja direkte

Sipas Bankës së Shqipërisë, 20% e investimeve të huaja direkte janë në sektorin e pasurive të paluajtshme.

Në 412 milionë euro ka arritur vlera e investimeve të huaja direkte në Shqipëri në fund të tremujorit të tretë, thuajse në të njëjtin nivel me periudhën korrik-shtator të një viti më parë. Nga të dhënat e Bankës së Shqipërisë rezulton se investimet e huaja direkte janë rritur me 0.1% në krahasim me vitin e kaluar. Komponenti që ka kontribuar më tepër në këtë rritje të lehtë është fitimi i riinvestuar, i cili është zgjeruar me 15% në terma vjetorë. Shuma e fitimit të riinvestuar vlerësohet të jetë 234 milionë euro, ndërkohë që injektimi në kapital u vlerësua 178 milionë euro, ose 17% më pak se një vit më pare, raporton Scantv.

Por, në cilët sektorë janë realizuar këto investime e huaja në Shqipëri?

Reklama e sponzorizuar

Gati 20% e investimeve të huaja direkte kanë qenë në pasuri të paluajtshme, 19% në sektorin e ndërmjetësimit financiar, 14% në hidrokarbure, ndërkohë investimet në energjitikë kanë qenë në masën 11% dhe në komunikacion në masën 4%. Po shqiptarët, sa kanë investuar jashtë vendit? Zotërimet tona jashtë, pra mjetet financiare në formën e investimeve direkte jashtë vlerësohen në rreth 57 milionë euro, në rënie me rreth 7%. Investimet e portofolit, pra investimet në aksione, obligacione dhe letra të tjera me vlerë, rezultuan në një fluks neto dalës prej 118 milionë euro.

Sektori i Korporatave Depozituese ka zgjeruar zotërimet jashtë në letra me vlerë të borxhit, me rreth 109 milionë euro. Në të njëjtën kohë, ka vijuar rënia e detyrimeve ndaj jorezidentëve, në drejtim të tkurrjes së ekspozimit të letrave me vlerë të borxhit me 19 milionë euro (si pasojë e rritjes së pjesëmarrjes së bankave rezidente në eurobondin e Qeverisë së Përgjithshme).