Përurohet rruga Nacionale N2 Prishtinë – Mitrovicë

Dje është bërë përurimi i rrugës Nacionale N2 Prishtinë – Mitrovicë, segmenti Stanovc – hyrja e Vushtrrisë.

Në përurim ka marrë pjesë edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili përurimin e quajti si të arritur të përbashkët, transmeton Telegrafi.

“Rruga Prishtinë -Mitrovicë po bëhet. Ka nisur në vitin 2009, e ka moshën pothuajse të pavarësisë së Kosovës. Është dashtë që të ndërrohet operatori ekonomik, në mënyre që të ecim përpara.

Reklama e sponzorizuar

Unë falënderoj ministrin Liburn Aliu, zv.ministrin Hysen Durmishi, dhe gjithë stafin për punën që kanë bërë”, tha ai.

Kurti theksoi se “Për 10 muaj po e përurojmë në një gjatësi prej 5 km, ka ngelur edhe një pjesë shumë e rëndësishme, dhe cila do të kushtojë rreth 15 milionë euro”.

Ndërsa, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu u shpreh se rruga ka një rëndësi të veçantë.

“Në vitin 2023, ka filluar prokurorimi i kësaj rruge, në fund të shkurtit 2024 është nënshkruar kontrata, dhe tani po e përurojmë këtë segment. Pas një auditimi që kemi bërë, jemi detyruar me shkëput kontratën me operatorin e kaluar. Rruga ka një rëndësi të veçantë”, deklaroi Aliu.