Rafuna: Kosova të përmirësojë imazhin, të dëshmojë se është vend i sigurt

Lulzim Rafuna, drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës, numëroi sfidat e ekonomisë së Kosovës gjatë vitit që po lëmë pas, ndër to mungesën e fuqisë punëtore dhe tensionet politike. Ai theksoi rëndësinë e përmirësimit të imazhit të Kosovës, si një destinacion i sigurt dhe i përshtatshëm për investime.

Rafuna, në programin e mëngjesit në RTK, tha se ky vit ka qenë me shumë sfida, sipas tij, ajo që ka dominuar ka qenë sfida e mungesës së fuqisë punëtor, madje edhe ajo që ka qenë nuk ishte e kualifikuar për tregun e punës.

“Duke u bazuar në këtë të dhënë, Oda Ekonomike e Kosovës gjatë tërë vitit ka paraqitur kërkesë te institucionet e vendit që ta kemi një plan se si t’i kthejmë ata të rinj e të reja të cilët kanë dalë jashtë, që t’i kthejmë në formë të investitorëve. Në qoftë se ata e kanë filluar të punojnë atje ose kanë filluar të krijojnë ndonjë produkt, kjo është një formë që janë duke e përdorur edhe vendet e rajonit dhe kish qenë mirë që edhe ne ta përdorim këtë formë”, tha Rafuna.

Reklama e sponzorizuar

Ai shtoi se Kosova rininë e ka pasur gjithmonë si aset me të cilën është mburrur dhe atë e ka përdorur si mjet për t’i motivuar investitorët e huaj, për të ardhur për të investuar në Kosovë.

“Këto kanë qenë sfidat më të theksuara këtë vit. Pastaj, sfidë tjetër ishte pasiguria që kemi pasur për shkak të tensioneve politike kohë pas kohe, sepse çdo tension politik, çdo mbyllje rruge, çdo sulm ndaj ushtarëve të KFOR-it ka qenë një mesazh jo i mirë për investitorët e huaj. Bile kam pasur rast edhe kur më kanë pyetur që a mos do të ketë luftë, deri në momentin kur erdhi drejtori i CIA-së në Kosovë. Prej atij momenti më nuk pati deklarata të tilla. Të them të drejtën, nuk kemi arritur që ta menaxhojmë mirë, të tregojmë që Kosova është një vend shumë i mirë për të bërë biznes”, tha Rafuna.

Ai theksoi rëndësinë e përmirësimit të imazhit të Kosovës si një destinacion i sigurt dhe i përshtatshëm për investime.