Unaza e Tiranës hapet për qarkullimin e automjeteve më 31 dhjetor

Autoriteti Rrugor Shqiptar, (ARRSH) njoftoi se, Unaza e Tiranës do të hapet për qarkullimin e automjeteve me 31 dhjetor, ndërsa punimet e tjera plotësuese do të vazhdojnë edhe përgjatë vitit 2025.

Sipas ARRSH-së, ndërtimi i Unazës së Madhe të Tiranës, po merr pamjen e saj të plotë dhe ky është një investim që do të lehtësojë trafikun në rrugët interurbane.

Përgjegjësi i Menaxhimit të Kontratave, Gëzim Noni, në një intervistë për Tv Klan, foli rreth punimeve në secilin lot të këtij projekti, ku po punohet me ritme të shtuara.

Reklama e sponzorizuar

Sipas tij, aktualisht ekipet po punojnë me ritme të shpejta në 6 nga 7 lotet e saj, për të qenë gati në fund të këtij viti.

“Ndërsa loti 2, që nis pas Urës së Tiranës në drejtim të Paskuqanit, ka përfunduar, në lotet 6 dhe 7, në afërsi të Freskut, po hidhen shtresat asfaltike. Shumë shpejt asfalti do të nisë të hidhet edhe në lotin 4”, tha Noni.

Në këtë aks janë ndërtuar edhe rrugë dytësore të cilat lidhin unazën me zona të tjera të kryeqytetit.

Unaza e madhe e Tiranës ka një gjatësi totale 28.7 kilometra. Shpejtësia e projektuar e lëvizjes është 90 km në orë, një shpejtësi e kufizuar kjo në projektim, siç shpjegojnë ekspertët e ARRSH, për shkak të shumë hyrje-daljeve.

Në të gjitha zonat ku kalon, ky segment rrugor pritet të gjallëroj më shumë jetën e komuniteteve dhe të rrisë vlerën e pronave dhe të investimeve të banorëve të komuniteteve.