Vazhdon problemi me rrymë, lagje të tëra të Pejës prej katër ditësh funksionojnë me energji elektrike njëfazore

Lagje të mëdha të Pejës, nga Spitali i Përgjithshëm Rajonal deri tek Stacioni Rajonal Policor, përfshirë biznese dhe ekonomi familjare, tash e katër ditë po furnizohen me energji elektrike njëfazore.

Situata ka vështirësuar zhvillimin e veprimtarive, veçanërisht për bizneset, duke nxitur pakënaqësi të madhe në mesin e qytetarëve.

Në një deklaratë të mëparshme, KEDS sqaroi se mbingarkesa në sistem është shkaku kryesor.

Reklama e sponzorizuar

“Mbingarkesa, si e tillë, po shkakton telashe në disa zona kyçe. Si rrjedhojë, një pjesë e konsumatorëve janë duke u ballafaquar me sfidë të furnizimit me energji elektrike, pasi po rrezikohen asetet dhe po vjen deri te djegia e tyre. Në raste të caktuara, kjo përfshin kabllot e deri te transformatori,” thuhet në njoftimin e KEDS-it.

Kompania shtoi se, përkundër sfidave, po arrin të furnizojë mbi 95% të konsumatorëve.

“Konsumi, që po arrin nivele rekorde historike deri në 1500 MW/h, po mbulohet komplet nga prodhimi vendor dhe importi, i cili po arrin deri në 500 megavatë në orë. Apelojmë tek të gjithë konsumatorët që të bëjnë kursim maksimal të energjisë, posaçërisht të kujdesen për ngrohjen me rrymë, në mënyrë që të lehtësohet gjendja dhe rrjeti distributiv ta përballojë më lehtë.”

Problemet me furnizimin janë raportuar edhe në disa komuna të tjera, duke nxitur reagime të ashpra nga qytetarët.

Dhjetëra qytetarë protestuan para zyrave të KEDS-it duke akuzuar kompaninë për mungesë përgjegjësie dhe për dështimin për ta zgjidhur problemin.

“Nuk është normale që në këtë kohë të ftohtë të kemi vetëm një fazë të rrymës. Bizneset po pësojnë humbje, dhe familjet po vuajnë në kushte të vështira. KEDS duhet të marrë masa të menjëhershme”.

Ministria e Ekonomisë, nga ana tjetër, duke mbështetur deklaratën e KEDS-it, ka bërë të ditur se këto vështirësi nuk janë rezultat i mungesës së energjisë, por i mbingarkesës së sistemit elektro-energjetik.

“Me uljen e temperaturave dhe duke qenë në prag të fundvitit, konsumi i energjisë elektrike është rritur ndjeshëm në rajon dhe në disa vende evropiane. Aktualisht, rrjeti i shpërndarjes dhe transmisionit ka arritur kapacitetin maksimal të shfrytëzimit (mbi 1400 MW gjatë ditës dhe mbrëmjes)”.

“Kjo mbingarkesë po rrezikon stabilitetin e sistemit dhe furnizimin e disa zonave,” tha Ministria në një njoftim.

Banorët e fshatit Grazhdanik të Prizrenit, kanë thënë se nesër e (ënjte) do të protestojnë para KEDS-it.