Sektori i ndërtimtarisë dhe pasurive të paluajtshme në Kosovë po përballet me sfida të mëdha, përfshirë rritjen e çmimeve të materialeve ndërtimore e mungesën e fuqisë punëtore, duke ndikuar kështu drejtpërsëdrejti në ngritjen e çmimit të patundshmërive, raporton Ekonomia Online.
Ekspertët kanë parashikuar një vazhdim të këtyre trendëve të rritjes së çmimeve deri në vitin 2025, duke theksuar nevojën për masa konkrete për stabilizimin e tregut. E me çmimet më të larta për metër katror në Kosovë prinë Prishtina. Lagjja “Pejton”, përjashtuar qendrën, është një ndër më të shtrenjtat, me çmime që arrijnë deri në 2500 euro për metër katror.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka thënë se duke marrë parasysh që ka mungesë të fuqisë punëtore dhe çështje të tjera, do të ketë ndikime që edhe vitin e ardhshëm të ketë ngritje të çmimeve të banesave.
“Është paralajmëruar që deri në vitin 2025 do të kemi një trend pozitiv të zhvillimit të sektorit të ndërtimtarisë. Definitivisht ndërtimtaria në vete, në aspektin ekonomik, ka një multidimensionalitet. Është e rëndësishme në aspektin e tregtisë, edukimit, në aspektin financiar e bankar. Në këtë drejtim, duke pasur parasysh faktin se fuqia punëtore është sot ndër problemet kryesore, ky sektor do të ballafaqohet me ngritje të çmimeve. E tërë kjo do të reflektohet edhe në rënien e interesimit për blerjen e banesave. Përveç kësaj i shtohet fakti që përveç fuqisë punëtore, sot materialet ndërtimore janë shtrenjtuar, pjesa dërmuese janë të importuara. Gjitha këto do të ndikojnë që të kemi ngritje graduale të çmimeve”, ka thënë ai.
Gërxhaliu ka theksuar se institucionet financiare dhe Qeveria duhet të hartojnë politika mbështetëse për të orientuar investimet drejt prodhimit vendor dhe teknologjive moderne, duke u larguar nga fokusi ekskluziv në ndërtimtari.
E drejtori i agjencisë “ACCESS Real Estate”, Burim Halili, ka thënë se viteve të fundit patundshmëritë kanë pësuar ngritje të mëdha të çmimeve dhe se këto çmime janë rritur nga 40 deri në 80 për qind më shumë. “Çmimet kanë ndryshuar afërsisht edhe nga zonat, ndryshimi varion diku nga 40 për qind deri në 70-80 për qind. Ndryshimet janë jashtëzakonisht të mëdha sa i përket në patundshmëri, por këto ndryshime nuk janë vetëm në vendin tonë, janë edhe në rajon e Evropë. Nëse i qasemi Prishtinës, kemi disa lagje që kanë pësuar ndryshime në çmime jashtëzakonisht të mëdha, është Lagja e Muhaxherëve që ka çmimin gati të dyfishuar me çmimet që ka pasur para tri katër vjet më parë. Dragodani është që kalon minimalisht 60 për qind që ka ngritje të çmimeve. Pastaj vijnë Emshiri diku 40-50 për qind, lagja e Spitalit është diku 40 për qind, Prishtina e Re 20-30 për qind, Rruga B ka së paku 50 për qind ngritje të çmimeve”, ka thënë ai.
Sipas Halilit, çmimet e larta të materialeve ndërtimore dhe mungesa e fuqisë punëtore, një pjesë e së cilës është larguar jashtë vendit pas liberalizimit të vizave, janë ndër arsyet kryesore të këtyre rritjeve.
Ai ka shtuar se ngritjet e çmimeve që pritet të ndodhin edhe vitin e ardhshëm janë ngritje të zakonshme.
“Arsyet pse kanë ndryshuar këto çmime, ne fillim të këtij viti kemi pasur ngritje të çmimeve te artikujt e ndërtimit. Po edhe një arsye tjetër është se edhe fuqia punëtore është larguar, këtu ka ndikuar pak liberalizimi i vizave për shkak se zakonisht ata që shkojnë punojnë në shtetet e tjera janë punëtorë të ndërtimtarisë. Sa i përket viti të ardhshëm, në patundshmëri zakonisht ngritjet janë çdo vit”, tha Halili.
Halili për EO ka treguar çmimet për metër katror për lagjet e Prishtinës, ku sipas tij, varijojnë nga 2000 deri në 2500 euro.
“Duke filluar nga lagja Pejton ku objekteve janë më në qendër dhe buzë rrugës kryesore, çmimet afërsisht varijojnë 2500 euro metri katror, pastaj të tjerat që largohen shkojnë te 2000. Pastaj me çmimet më të larta duke, përjashtuar qendrën, vjen Lagja e Muhaxherëve e cila ka çmime sot diku afër 2000 euro metri katror, pastaj vjen Rruga B, Dragodani, Kalabria dhe e kemi lagjen e Spitalit deri diku që kanë çmim më të ulët janë edhe Prishtina e Re edhe zona Matiçanit”, ka thënë ai. /EO/