12 mijë euro gjobë për KRU “Prishtina”, faturoi 472 konsumatorë kundërligjshëm

Autoriteti Rregullativ i Ujit më 21 janar 2025 ka vendosur një gjobë prej 12 mijë eurove ndaj Kompanisë rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, pasi kanë gjetur se e njëjta kompani ka bërë shkelje ligjore gjatë faturimit të ujit, shkruan Gazeta Express.

Pas një inspektimi të realizuar dhe një raporti të përgatitur në tetorin e vitit të kaluar, ARRU kanë gjetur se KRU “Prishtina” vazhdon të faturojë në mënyrë të kundërligjshme 472 konsumatorë shtëpiakë.

Këtyre konsumatorëve, siç thuhet në vendimin e ARRU për gjobë, fare nuk u janë lexuar orët e ujit dhe të njëjtët janë faturuar me tarifa fikse. Kjo mënyrë e faturimit sipas ARRU-së është në kundërshtim me bazën ligjore dhe gjithashtu potencohet se ka shkaktuar edhe humbje për KRU “Prishtina”, meqë s’është faturuar uji që është hargjuar nga konsumatorët.

Reklama e sponzorizuar

KRU “Prishtinës” i mundësohet të paguaj vetëm 50 % të kësaj gjobe, nëse detyrimi kryhet brenda 15 dite nga marrja e vendimit dhe gjithashtu kjo kompani detyrohet që të marrë masat e nevojshme për të evituar shkeljet e evidentuara.

Gazeta Express së shpejti do t’i njoftojë lexuesit e saj edhe për vendimin e fshehur nga ARRU për shtrenjtimin  e faturimit të ujit për m3 për të gjitha kategoritë amvisëri, biznese dhe institucione.