Kosova ka potenciale të shumta në agroturizëm për ta zhvilluar kulturën. Fatmir Selimi, ekspert i bujqësisë, magjistër i agroekonomisë, theksoi se agroturizmi ka potencial goxha të madh në Kosovë edhe pse, sipas tij, kjo te ne më shumë shihet si turizm i ruralit e nuk shihet si pjesë përbërëse e agroturizmit, i cili përfshin disa pika të cilat mund të ndikojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale.
Ai në “Mirëmëngjesi Kosovë”, në RTK, tha se kjo formalisht ndikon edhe në prodhimtarinë bujqësore sepse prodhohen produkte ushqimore të cilat ndikojnë në konkurrueshmërinë e prodhimtarisë bujqësorë në Kosovë e kjo ndikon që në zonat rurale të punësohen njerëz dhe të krijojnë të ardhura më të mira.
Tutje, ai tha se duhet të kihet kujdes që burimet natyrore të shfrytëzohen në mënyrë më të mirë që mos të tejkalohet shfrytëzimi i tyre, sidomos maleve dhe ujit dhe tokës, të cilat i kemi sepse, sipas tij, si vend i vogël jemi duke humbur shumë edhe tokë edhe kemi probleme me ujë.
“Toka bujqësore punohet konsiderueshëm në Kosovë, mirëpo migrimi ka ndikuar goxha shumë që njerëzit të ikin, fshatrat janë duke u boshatisur dhe lëvizja në zonat urbane është duke ndikuar mos të punohet toka, mirëpo ka bujq të vyeshëm të cilët marrin tokat me qira dhe i punojnë, dhe janë prodhues fantastikë. Ne nëpërmjet agroturizmit duhet t’i ndihmojmë të krijojnë të ardhura dhe të mos lëvizin nëpër zonat urbane”, pohoi Selimi.
“Të gjitha regjionet, duke ia nisur prej Gollaku, Bjeshkët e Rugovës, pjesa e Prevallës, pjesa e Brezovicës, Juniku, të gjitha kanë një potencial fantastik, janë vende fantastike të cilat njerëzit nuk i kanë parë dhe, fatkeqësisht, janë duke u larguar”, shtoi ai.