Gjykata e Tenderëve e ka urdhëruar Korporatën Energjetike të Kosovës që ta anulojë tenderin në vlerë gati 1 milion euro për riparimin e kazanit në bllokun A5 të Termocentralit “Kosova A”. Në vendimin e OSHP’së thuhet se ky tender është përcjellë me shumë shkelje të dispozitave ligjore dhe nënligjore për prokurim publik
Korporata Energjetike e Kosovës e ka anuluar tenderin për riparimin e kazanit në bllokun A5, pas vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.
Njoftimi për anulim të aktivitetit të prokurimit është publikuar sot në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.
“Detyrohet Autoriteti Kontraktues për zbatimin e këtij vendimi si dhe brenda afatit prej dhjetë (10) ditëve pas pranimit të vendimit të dërgoj në OSHP njoftimin lidhur me veprimet që ndërmerren për zbatimin e tij, të gjitha këto nën paralajmërimin se në rast të moszbatimit të këtij vendimi, OSHP do të ndërmerr masat kundër Autoritetit Kontraktues në përputhje me nenin 131 të LPP”, thuhet në vendim.

Për këtë tender, ofertat i kishin dorëzuar katër kompani. Çmimi më i ulët me të cilin është ofertuar është 909 mijë 975 euro, teksa më i larti 2 milionë e 141 mijë e 589 euro. KEK kishte rekomanduar për kontratë atë me çmimin më të ulët.
“Korporata Energjetike e Kosovës shpërblen me kontratë Grupin e Operatorëve Ekonomik më të lirë të përgjegjshëm NTSH Ekoinvest; EFOR Endustriyel Tesisler Montaj Imalat ve Insaat A.S në vlerë totale të ofertës prej 909, 975.88 Euro me TVSH”, thuhej në vendimin e lëshuar nga Zyra Ekzekutive e Prokurimit të KEK, të lëshuar më 26 shtator 2024.

Dy kompani janë shprehur të pakënaqura me këtë vendim, për çka i janë drejtuar me ankesa Organit Shqyrtues të Prokurimit. Kompanitë që janë ankuar janë ‘I.E.C – BIO”, dhe (“Intering” SH.P.K.,)
Në vendimin e OSHP’së thuhet se ky tender është përcjellë me shumë shkelje të dispozitave ligjore dhe nënligjore për prokurim publik. Për një prej ankesave, Paneli Shqyrtues ka gjetur se janë shkelur nene të Ligjit të Prokurimit Publik, si: Nen 1 (Qëllimi) ; nenin 6 (Ekonomiciteti dhe Efikasiteti) dhe neni 7 (Barazia në Trajtim/ Jo-Diskriminimi).
“Sa i përket ankesës së dorëzuar nga OE ankues “I.E.C – BIO” por edhe ankesave tjera përfshirë gjithë procedurën e prokurimit PSH kontaton se nga inicimi i kësaj procedure deri te kjo fazë ku jemi tani ky aktivitet i prokurimit është përcjell me shumë shkelje të dizpozitave ligjore dhe nënligjore për prokurim publik”, theksohet në vendim.
Rrjedhimisht, OSHP e ka kthyer në pikën zero këtë tender, teksa i ka bërë thirrje KEK’ut që të veprojë në përputhje të plotë me Ligjin për Prokurimin Publik dhe legjislacionin tjetër në fuqi. Në të kundërtën, ka paralajmëruar inicimin e procedurave disiplinore ndaj zyrtarëve të prokurimit.
“Paneli shqyrtues pas administrimit dhe vlerësimit të provave, konstatimit të plotë të gjendjes faktike, duke u mbështetur në LPP si ligj material të zbatueshëm, pas shqyrtimit të pretendimeve ankimore, duke marrë parasysh të gjitha shkresat e lëndës dhe rekomandimet e ekspertit shqyrtues, deklarimeve në seancën dëgjimore, anulon në tërësi aktivitetin e prokurimit me titull “Riparimi i kazanit në bl. A5” me numër të prokurimit KEK-23-11526-5-1-1, të inicuar nga Autoriteti Kontraktues Korporata Energjetike e Kosovës, thuhet në vendim. /Reporteri/