KEK me 137 milionë Euro synon t’ia zgjasë jetëgjatësinë bllokut A3 edhe për 20 vjet

Korporata Energjetike e Kosovës po planifikon të investojë mbi 137 milionë euro në bllokun A3 të Termocentralit “Kosova A”, për rehabilitimin dhe modernizimin e tij. Me këtë investim, qëllimi është zgjatja e jetëgjatësisë së kësaj njësie edhe për 20 vjet, marrë parasysh që është lëshuar në funksion që nga viti 1970. Këtë tender, sipas njoftimit që është publikuar sot në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, KEK do ta japë me procedurë konkurruese me negociata, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Blloku “A3” i Termoncetralit “Kosova A” do t’i nënshtrohet rehabilitimit e modernizimit shumë shpejt. Tenderi tashmë është shpallur. Kostoja e parashikuar për këtë projekt është 137 milionë e 340 mijë euro, e punimet parashihet të zgjasin 24 muaj.

Në dosjen e tenderit janë renditur arsyet pse nevojitet rehabilitimi dhe modernizimi i kësaj njësie, teksa theksohet se qëllimi kryesor është zgjatja e jetëgjatësisë së kësaj njësie edhe për 20 vjet, shkruan Reporteri.net.

Reklama e sponzorizuar

“Qëllimi/objektivi kryesor i këtij modernizimi është të zgjasë jetëgjatësinë funksionale të impiantit për një periudhë të tjera 20-vjeçare”, thuhet në dosje.

Aty theksohet se kjo njësi luan rol vendimtar në plotësimin e 10 përqind të kërkesës për energji elektrike dhe se është thelbësore për furnizimin me rrymë të vendit.

“Rehabilitimi i Njësisë A3 në Termocentralin Kosova A është një hap vendimtar drejt modernizimit dhe optimizimit të performancës së tij. Projekti do të rrisë efikasitetin, do të përmirësojë pajtueshmërinë mjedisore dhe do të zgjasë jetëgjatësinë operative të njësisë. Duke investuar në rehabilitimin e Njësisë A3, Termocentrali Kosova A do të kontribuojë në një të ardhme të qëndrueshme energjetike, duke përmbushur kërkesat në rritje për energji të rajonit duke minimizuar ndikimin mjedisor”, theksohet në dokument.

Por, çka përfshin saktësisht ky rehabilitim e modernizim? Pjesët që do të rehabilitohen janë kaldaja, turbina, gjeneratorët, transformatorët dhe sistemet e kontrollit.

Ndërhyrje do të bëhen në sistemin e bojlerit, ku do të bëhet rinovimi ose zëvendësimi i komponentëve kritik të bojlerit, rreshtimi refraktar e sistemi i furnizimit me thëngjill; sistemi i turbinës dhe gjeneratorit, ku do të bëhet inspektimi dhe renovimi i tyre, duke u mos përjashtuar as instalimi eventual i turbinës dhe gjeneratorit të rid he riparimi dhe modernizimi i kullës ftohëse; sistemi i elektrikës, që do t’i nënshtrohet inspektimit, renovimit dhe modernizimit; sistemi i përgatitjes kimike të ujit apo “PKU”; Sistemi i Kontrollit dhe Instrumentimit; Sistemet e kontrollit të mjedisit; Sistemet e sigurisë, ku do të bëhet përmirësimi i valvulave të sigurisë, pajisjeve për lëshimin e presionit, detektorëve të flakës dhe mbrojtjeve të djegjes për të siguruar funksionim të sigurt dhe të besueshëm dhe Përmirësimet e efikasistetit, që parasheh optimizimin e sistemeve të qarkullimit të ujit dhe avullit, sistemet e ajrit me djegie dhe zbatimi i teknologjive moderne për rritjen e efikasitetit për të reduktuar humbjet e energjisë dhe për të përmirësuar efikasitetin e përgjithshëm të njësisë.

 

 

Deri tek plani për modernizimin e këtij blloku, KEK thotë se ka ardhur shkaku i mungesës së infrastrukturës së gazit natyror në Kosovë, e për të mundësuar kështu përdorimin e thëngjillit.

“Në veçanti, sa i përket aspiratave të Kosovës për anëtarësim në BE, TC Kosova A, Njësia A3 synon të përmbushë kërkesat e përcaktuara në Direktivën e BE-së për “Termocentrale me Djegieje te Madh” (LCP) dhe asaj per “Emisione Industriale” ( IED)”, thuhet në dosje.

Sipas KEK, ky projekt do të krijojë edhe vende pune, do të stimulojë rritjen ekonomike e do të kontribuojë në zhvillimin e sektorit energjetik.

 

 

Fuqia punëtore do të nevojitet në të gjitha fazat, e KEK thotë se me këtë do të ndikojë në uljen e shkallës së papunësisë.

“Projekti i rehabilitimit do të krijojë mundësi punësimi si gjatë fazës së rehabilitimit ashtu edhe në fazën e funksionimit. Gjatë fazës së rehabilitimit, do të kërkohet një forcë e konsiderueshme punëtore për aktivitete të tilla si përgatitja e kantierit, instalimi i pajisjeve dhe zhvillimi i infrastrukturës. Kjo do të ofrojë mundësi punësimi për punëtorët vendas, duke ulur shkallën e papunësisë dhe duke përmirësuar jetesën në Kosovë. Për më tepër, faza e funksionimit do të kërkojë një fuqi punëtore të kualifikuar për mirëmbajtjen, funksionimin dhe menaxhimin e njësisë së rehabilituar, duke kontribuar më tej në krijimin e vendeve të punës”, thuhet në dokument.

KEK beson se ky investim do të tërheq investime të mëtutjeshme dhe se mund të mund të çojë në krijimin e një infrastrukture më të fuqishme energjetike dhe të inkurajojë aktivitete dhe industri të tjera ekonomike në rajon.

“Furnizimi i besueshëm me energji tërheq investime, përmirëson standardet e jetesës dhe krijon kushte të favorshme për zhvillimin social dhe ekonomik”.

 

 

Pse procedura konkurruese me negociata?

Në dosje, KEK ka shpjeguar edhe arsyen e përdorimit të procedurës konkurruese me negociata.

Si arsye përmendet mos kryerja e studimit të fizibilitetit e vëllimi i madh i pajisjeve dhe kryerje të punimeve. Për këto arsye, KEK thotë se nuk mund të zgjedh kompaninë me tendering fillestar dhe se me këtë procedurë ështe e nevojshme të negociohet me të gjitha kompanitë e kualifikuara.

Aty premtohet se tenderi do të jepet pa asnjë diskriminim dhe në përputhje të plotë me Ligjin për Prokurim Publik. Kriter mbetet oferta më e lirë.

 

 

“Pas përfundimit të negociatave, autoriteti kontraktues do të përgatisë dosjen përfundimtare dhe do t’ua dërgojë të gjithë OE-ve që janë pajtuar me propozimet gjatë negociatave dhe me kushtet e kontratës dhe do t’i jepet Operatorit Ekonomik ose grupit të Ekonomisë. Operatorët që do të paraqesin çmimin më të lirë”, thuhet në dosje.

Kriteret për këtë tender

Kompanitë e interesuara për të kryer rehabilitimin dhe modernizimin e këtij blloku duhet të ofrojnë dëshmi se kanë pasur qarkullim vjetor 200 milionë euro gjatë tri viteve të fundit.

Për këtë tender, shuma e kërkuar për sigurim është 4 milionë euro, për një periudhë të vlefshme prej 180 ditësh.

“Me dorëzimin e ofertës përmes platformës elektronike, sigurimi i ofertës do të dorëzohet i skanuar së bashku me ofertën, ndërsa formulari origjinal i sigurimit të tenderit duhet të dorëzohet nga një ofertues, të cilin autoriteti kontraktor synon të japë kontratën”, specifikohet në dosje.

Tek kapacitetet teknike dhe profesionale, kërkohet një listë që specifikon secilin nga projektet e realizuara nga kompania, përmes certifikatave-referencave, që dëshmon realizimin e projekteve të ngjashme me vlerë minimale prej 120 milionë euro, e që janë finalizuar gjatë tri vjetëve të fundit.

Përfundimi me sukses i këyre projekteve nënkupton: 30% për “Turbinë dhe gjenerator me avull me kondensim, fuqi jo më pak se 150 MË, 40% për “Një kaldajë me avull me qymyr, përfshirë DeNOx, me prodhim avulli të freskët jo më pak se 350 t/h dhe rezultate të arritura të emetimit sipas IED”, 5% për “Zbatimin e projekteve DCS dhe EBoP në termocentrale me fuqi jo më pak se 150 MË” dhe 25% për projektet “Zbatimi i ESP dhe deSOx (d.m.th. injektimi i sorbentit, FGD, etj.) për termocentralet e ngjashme me qymyr që kanë arritur rezultate emetimi sipas IED”

Sa i përket personelit kërkohet të paktën një ekspert për turbinat me avull me përvojë inxhinierike mekanike dhe modernizim dhe rikonstruksion, eksperti për kalldaja me avull me djegie qymyrguri, rikonstruksione kaldajash ose përbërësish të tij, ekspert DCS dhe I&C për termocentralet, me përvojë inxhinierike elektronike dhe automatike, ekspert për sistemet e reduktimit të ndotjes së pluhurit, NOx, etj., me përvojë në inxhinieri mekanike ose ekuivalente (p.sh. inxhinier   procesi, inxhinier mjedisi etj.)  dhe të paktën një ekspert për sistemet dhe proceset e funksionimit të njësisë (inxhinier procesi dhe përvojë specifike në drejtimin dhe funksionimin në termocentrale. Ata duhet të dorëzojnë edhe listën e projekteve ku kanë marrë pjesë.

Kompanive të interesuara për këtë tender u është rekomanduar një vizitë në terren, që të njihen nga afër me natyrën e punës.

“Një vizitë jo e detyrueshme në terren do të mbahet në terren në TC Kosova A, për disa ditë nga data: 05.02.2025 deri më: 07.02.2025, duke filluar nga ora 11:00 (koha lokale) takimi do të jetë përballë Drejtoria e TC Kosova A. Është e dëshirueshme që çdo ofertues të marrë pjesë në vizitën në terren në mënyrë që ofertuesi të kuptojë të gjitha ndërlikimet e përfshira në zbatimin e këtij projekti përpara se të dorëzojë aplikacionin”, thuhet në dosje.

Afati i fundit për dorëzim të ofertave është 3 marsi.  Bazuar në aplikimet e pranuara, maksimumi 6 kandidatë do të ftohen për të dorëzuar tenderët e detajuar për këtë kontratë.

“Nëse më shumë se 6 kandidatë të përshtatshëm plotësojnë kriteret e mësipërme të përzgjedhjes, pikat e forta dhe të dobëta përkatëse të aplikimeve të këtyre kandidatëve do të rishqyrtohen për të identifikuar gjashtë aplikacionet më të mira për procedurën e tenderit. Të vetmit faktorë që do të merren parasysh gjatë këtij riekzaminimi janë – Eksperiencë në zbatimin e projekteve të ngjashme – certifikata referenca. Vlera financiare e punimeve të kryera në bazë të certifikatave referencave”, thuhet në njoftimin për kontratë.