Komisioni i Pavarur i Mediave miraton ndryshimet në rregullore, Besnik Berisha zgjidhet kryetar i ri

Komisioni i Pavarur i Mediave në mbledhjen e mbajtur sot ka miratuar plotësim/ndryshimin e rregullores së brendshme, e që përfshin zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarit të ri, para se t’i skadon mandati kryetarit aktual.

Kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti, deklaroi se ndryshimi i rregullores kërkon diskutim publik, por që kjo u kundërshtua nga anëtarët, të cilët deklaruan se kjo është çështje e brendshme dhe se nuk ka arsye për diskutim, transmeton Telegrafi,

“Unë nuk jam dakord me asnjërën prej tyre. Ndryshimi i rregullores kërkon diskutim publik… duhet të respektohet ky nen i ligjit të KPM-së. Nuk pajtohem edhe me të dytën…. zgjedhja e Kryetarit duhet të bëhet në seancën vijuese dhe argumenti se mund te mbetemi pa kryetari nënkupton se anëtari më i vjetër është përfaqësues i KPM-së. Kjo deri në konstitutimin e një organi të ri anëtarëve të rinj dhe sikur ishte më herët kur të vijnë anëtarët e ri dhe siç thotë rregullorja me 2/3 zgjidhet nënkryetari dhe Kryetari i ri”, ka thënë Mehmeti.

Reklama e sponzorizuar

Po ashtu, Mehmeti deklaroi se “ai asnjëherë nuk i ka ikur përgjegjësisë, jemi në mbledhjen e rregullt, dhe ky nuk është institucion që unë e marrë me veti”.

Megjithatë, pro ndryshimit të rregullores votuan tre anëtarë.

Pas ndryshimit të rregullores, anëtarët votuan  për zgjedhjen e kryetarit të ri, ku me katër vota për u zgjedh Besnik Berisha.

“Më katër vota për Besnik Berisha zgjedhet kryetar. Ju falënderoj për praninë, dhe kërkoj që të vazhdoni punën si institucion shumë i rëndësishëm, ku vendimet që merren prekin mediat dhe qytetarët, dhe të jeni transparentë maksimal”, theksoi Mehmeti.

Anëtarët e Komisionit të Pavarur për Media po ashtu kanë demantuar raportimet në rrjete sociale se KPM ka planifikuar të shkarkojë kryetarin e KPM-së, duke thënë se janë të rreme dhe propagandë. Ndërsa, kanë thënë se ditëve në vijim do të marrin masa për këtë. /Telegrafi/