Ndryshojnë çmimet në Bursën shqiptare të energjisë elektrike

Fotografi ilustruese

Enti Rregullator i Energjisë në Shqipëri ka miratuar tarifat që do të aplikojë Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike për vitin 2025 për Tregun e Ditës në Avancë dhe Tregun Brenda së Njëjtës Ditë.

Në total janë 19 lloje tarifash për anëtarët e bursës apo anëtarët e klerimit, teksa referuar vendimit përfshihet ndryshimi i 5 tarifave ekzistuese dhe shtimi i një tarife të re.

Sipas ERE-s, shoqëria parashikon një rritje të shpenzimeve operative, duke përfshirë kostot për personelin, shërbimet e platformave dhe integrimet e tregjeve.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkohë që rritja e tarifave dhe shtimi i një tarife të re janë të lidhura me faktorë si rritja e shpenzimeve operative, volumet e ulëta të energjisë së tregtuar dhe ulja e vazhdueshme e kursit të këmbimit. Tarifa e re, e quajtur Tarifa Teknike do të aplikohet çdo vit për anëtarët e bursës, duke mbuluar kostot e mbështetjes teknike të ofruara nga ALPEX, ndërsa masa e saj është 2 000 euro.

Ndërkaq, sipas listës së miratuar, tarifa e anëtarësimit do të jetë në masën 10 mijë euro, ndërsa tarifa vjetore për anëtarin ndahet sipas ditës së tregtimit. Kështu, Tarifa Vjetore për Anëtarin e Bursës për Tregun e Ditës në Avancë është 14,000 euro, ndërsa për Tregun Brenda së Njëjtës Ditë, 8 mijë euro.

Paralelisht është përcaktuar se për anëtarët e klerimit tarifa e aderimit do të jetë 7,000 euro, ndërsa tarifa vjetore 3,000 euro. Këto tarifa janë pa TVSH, ka raportuar Scantv.

Operimet e Bursës shqiptare nisën në prill të vitit 2023, ndërsa për Tregun Brenda së Njëjtës Ditë, në dhjetor të vitit 2024.

Ndërkohë, në Kosovë, nga stafi i Bursës shqiptare të energjisë elektrike, nuk ka ndonjë njoftim publik për tarifat që do të aplikojë kjo bursë për vitin 2025.