Nënshkruhet marrëveshja për efiçiencë në ndërtesat publike

Është nënshkruar marrëveshja në mes të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë dhe Bankës Evropian për Rindërtim e Zhvillim për projektin “Efiçienca e energjisë në ndërtesat publike të Kosovës”. Ky projekt që kapë shumën e 86 milionëve është bashkëfinancim i Qeverisë së Kosovës, BERZH-it dhe si dhe grant investimi prej 20 milion euro nga BE-ja dhe Mbretëria e Danimarkës.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se janë të përkushtuar të mbështesin iniciativa të cilat, sipas tij, janë prioritet i qeverisë e po ashtu pjesë e Strategjisë për Energji.

“Ky hap ndikon direkt  në përmirësimin e kushteve për qytetarët që shfrytëzojnë shërbimet nga ky investim. ideja është të bëhet një investim në rreth 400 ndërtesa publike që ato të izolohen dhe të rriten masat e efiçiencës në to. Vlera totale e projektit është 86 milion euro që është bashkëfinancim i Qeverisë së Kosovës, BERZH-it dhe gjithashtu përfshinë e grant investimi prej 20 milion euro ku kontribuues janë BE-ja e Fondi Danez në Kosovë”, tha Murati.

Reklama e sponzorizuar

Sipas tij, objektivi kryesor është përmirësimi i efiçiencës.

“Projekti i sotëm është vetëm një fragment i punës disa vjeçare të qeverisë në këtë drejtim. Iniciativa të ngjashme në të kaluarën kemi nënshkruar edhe me komunën e Prishtinës e Prizrenit me vlerë totale prej 12 milion euro” tha tutje ai, derisa ka falënderuar BERZH-in për mbështetjen, që siç e ka quajtur Murati, kyçe për shumicën e projekteve në Kosovë.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se Kosova konsumon sot, mesatarisht katër herë më shumë energji për një njësi të bruto produktit vendor të prodhuar, në krahasim me mesataren e BE-së.

“Në kuadër të këtij konsumi enorm, stoku i ndërtesave konsumon mbi 40 për qind të energjisë që konsumohet në vend. Kjo e vë në perspektivë se sa e rëndësishme është që ndërtesat tona të jenë të izoluara mirë, në mënyrë që konsumi i gjithmbarshëm të ulet e ta lehtësojë edhe sistemin tonë elektroenergjetik, dhe koston e financimit të këtij konsumi”, tha ajo.

Rizvanolli, tha të kenë parë spitale të mbuluara me myk, çati që pikojnë në shkolla, në spitale e në ndërtesa publike.

“Këto kanë të bëjnë me shëndetin e qytetarëve, me shëndetin e fëmijëve tanë në shkolla, me shëndetin e zyrtarëve publik që kalojnë së paku 8 orë në ditë në ato ambiente. Tash e 4 vite si Ministri e Ekonomisë në bashkëpunim me Fondin për Efiçiencë të Energjisë kemi përfunduar së bashku 125 objekte publike në 21 komuna, në të cilat konsumi i energjisë është rritur deri në 80 për qind”, tha Rizvanolli.

Ndërkaq, Driton Hetemi drejtor menaxhues i Fondit të Kosovës për Efiçiencë, tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshje përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm në Kosovë.

“Projekti si i tillë vlen të përmendet se është më i madhi ndonjëherë në Kosovë sa i përket efiçiencës së energjisë. Ky projekt që do të zbatohet nga ne, ka për qëllim përmirësimin e kushteve në rreth 400 ndërtesa publike të nivelit lokal e qendror”, tha ai.

Hetemi, ka treguar se sipas studimit të fizibilitetit, ka dalë në që në Kosovë janë mbi 1000 ndërtesa publike në nivel qendror e mbi 1600 në nivel lokal që kanë nevojë për izolim.