Shqipëria do të ketë linjë nënujore të transmetimit të energjisë elektrike me Italinë

Linja nënujore e transmetimit të energjisë elektrike Shqipëri-Itali është pjesë e korridorit 8, që lidh Evropën me Bullgarinë, duke kaluar përmes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Në Abu Dhabi është nënshkruar të mërkurën marrëveshja e investimit për lidhjen nënujore të rrjetit të shpërndarjes së energjisë me Italinë në detin Adriatik, si dhe për investimet në rritjen e prodhimit nga burimet e rinovueshme në Shqipëri.

Për palën shqiptare marrëveshja u nënshkrua nga zv/kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Reklama e sponzorizuar

Nga vlerësimet paraprake, kostoja e këtij investimi pritet të jetë rreth 1 miliardë euro. Përpara nënshkrimit të marrëveshjes është zhvilluar samiti global “Abu Dhabi Sustainability Week”, ku të pranishëm ishin edhe kryeministri Edi Rama dhe homologia e tij italiane, Giorgia Meloni.

Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal në bashkëpunimin në sektorin energjetik.

“Dua të theksoj se partneriteti i Shqipërisë me Emiratet bashkuara Arabe është i rëndësishëm për një rajon që shumë luftëra keqkuptime, i kanë dhënë formë të shkuarës sonë. Bashkëpunimi dhe dëshira për të qenë pjesë e familjes së madhe europiane duhet mbështetur me hapa konkrete. Bashkëpunimi që ka nisur mes kompanisë shtetërore KESH synon të zhvillojë deri në 3 giga vat të energjisë së ripërtëritshme. Është një kontribut i rëndësishëm jo vetëm për paqen por edhe bashkëpunimin në rajon. Më lini ta përmbyll duke shprehur mirënjohnjen time edhe për dikë që sa hyri në sallë, që është kryeministrja Meloni e cila është këtu për të bekuar këtë marrëveshje mes Emirateve të Bashkuara dhe Shqipërisë”.

Sipas kryeministrit, prodhimi i energjisë elektrike në Shqipëri është 100% nga burime të ripërtëritshme dhe se Shqipëria është pjesë e listës së vendeve evropiane kur vjen fjala për përqindjen e energjisë të përtëritshme.

Linja nënujore e transmetimit të energjisë elektrike Shqipëri-Itali është pjesë e korridorit 8, që lidh Evropën me Bullgarinë, duke kaluar përmes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Sikurse për projektet rrugore e hekurudhore, edhe linjat e transmetimit energjetik ndjekin të njëjtën gjurmë kalimi, duke nisur nga Bari e Brindisi në Itali, për të vazhduar në Vlorë e Durrës, drejt Elbasanit, Qafë Thanës ku bëhet lidhja me Maqedoninë e Veriut e për të përfunduar në Varna e Burgas në shtetin bullgar, ka transmetuar Scantv.

Zhvillimet e para konkrete për ndërtimin e segmentit energjetik nënujor Itali – Shqipëri u shënuan në 24 maj 2007, kur në Bari u nënshkrua një deklaratë e përbashkët nga ministrat e ekonomisë së 2 vendeve për një projekt bashkëpunimi të integruar italo-shqiptar në sektorin elektroenergjetik. Ndërkohë që, në vitin 2008, Ministria italiane e Zhvillimit Ekonomik bëri me dije detajet e projektit të asaj kohe, që përfshinte ndërtimin e një linje nënujore me kapacitet 500 – 1000 MW, me një gjatësi mbi 200 km nga Foggia në Durrës.

Investimi i vlerësuar në atë kohë ishte mbi 300 mln euro, por projekti nuk u realizua ndonëse u cilësua si inovativ për lidhjen elektrike përmes mjeteve të tregut.

Pas shumë vitesh në heshtje, ndërtimi i kabllos nënujore u rikthye në vëmendje në vitin 2023, kur përmes një takimi të zhvilluar nga OST shqiptare me drejtuesen e Operatorit të Sistemit të Transmetimit Italian (TERNA), u nda mendimi i përbashkët mbi nisjen e punës për hartimin e projektit të fizibilitetit teknik dhe ekonomik. Po ashtu, në dhjetor 2023 u njoftua arritja e dakordësisë me qeverinë italiane dhe me Emiratet e Bashkuara, që kishin vendosur të ishin pjesë e projektit, për ndërtimin e kësaj linje energjetike. Gjithashtu, në gusht të vitit 2024 u zhvillua një takim mes përfaqësuesve të operatorëve të transmetimit të 2 vendeve.

Aktualisht, sistemi shqiptar i transmetimit është i lidhur me sistemet fqinje të Kosovës, Malit të Zi dhe Greqisë, me 6 linja interkoneksioni të shkëmbimit ndërkufitar, ndërsa në proces është edhe lidhja me Maqedoninë e Veriut.