Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Turmp, është zotuar të martën se do të vendosë tarifa ndaj Bashkimit Evropian dhe Kinës.
Ai ka thënë se administrata e tij po shqyrton një tarifë ndëshkuese prej 10 për qind ndaj importeve kineze, sepse fentanili po dërgohet nga Kina në SHBA përmes Meksikës dhe Kanadasë.
Trump bëri kërcënimet e tij të fundit për tarifa para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, një ditë pasi mori pushtetin pa vendosur menjëherë tarifa, siç kishte premtuar gjatë fushatës zgjedhore, raporton Reuters.
Tregjet financiare dhe grupet tregtare shijuan përkohësisht qetësinë të martën, por komentet e tij të fundit theksuan dëshirën e kamotshme të Trumpit për tarifa më të gjera dhe një afat të ri – 1 shkurt – për tarifa prej 25 për qind ndaj Kanadasë dhe Meksikës, si dhe tarifa ndaj Kinës dhe BE-së.
Presidenti amerikan ka thënë se BE-ja dhe vendet e tjera kanë, po ashtu, tregti të çekuilibruar dhe shqetësuese me SHBA-në.
“Bashkimi Evropian është shumë, shumë i keq me ne”, është shprehur Trump, duke përsëritur komentet e bëra të hënën. “Do të ketë tarifa për ta. Kjo është e vetmja mënyrë… do të ketë barazi”.Trump ka thënë të hënën se po konsideronte vendosjen e tarifave ndaj Kanadasë dhe Meksikës, përveç nëse ato ashpërsojnë masat ndaj trafikimit drejt SHBA-së të emigrantëve ilegalë dhe të fentanilit, përfshirë kimikalet përbërëse nga Kina.
Këshilltari për tregti i Shtëpisë së Bardhë, Peter Navarro, i ka thënë televizionit CNBC, të martën, se kërcënimi i Trumpit për tarifa ndaj Kanadasë dhe Meksikës është për t’i bërë trysni dy vendeve.
“Arseja pse ai po shqyrton 25, 25 dhe 10 [për qind], apo çfarëdo që të jetë, ndaj Kanadasë, Meksikës dhe Kinës, është sepse 300 amerikanë vdesin çdo ditë” nga mbidoza me fentanil, ka thënë Navarro.
Të hënën, Trump ka njoftuar ashpërsim të masave ndaj imigracionit, përfshirë një ndalim të gjerë të azilit.
Ai, po ashtu, ka nënshkruar një memorandum tregtar dhe ka detyruar agjencitë federale që të bëjnë një shqyrtim gjithëpërfshirës të një varg çështjeve tregtare deri më 1 prill.
Këtu përfshihen analiza të deficiteve të vazhdueshme tregtare të SHBA-së, praktikat e tregtisë së pabarabartë dhe manipulimin e valutave në mesin e vendeve partnere, përfshirë Kinën.
Meksika dhe Kanadaja kanë reaguar me tone të buta ndaj afatit të 1 shkurtit të vënë nga Trump.
Presidentja meksikane, Claudia Sheinbaum, ka thënë se do të nënvizojë sovranitetin dhe pavarësinë e Meksikës, dhe se do t’i përgjigjet veprimeve amerikane “hap pas hapi”.
Por, ajo ka shtuar se marrëveshja e tregtisë së lirë SHBA-Meksikë-Kanada nuk mund të rinegociohet deri më 2026, një koment që kishte për synim parandalimin e ideve që Trump të kërkojë një ndryshim të parakohshëm të paktit që gjeneron mbi 1.8 trilionë dollarë çdo vit. /REL/