A kanë qytetarët njohuri se si regjistrohet prona në Kosovë?

Virgjina Dumnica, menaxhere e projektit “Zbatimi i Ligjit për Kadastrën” nga Shoqata e Juristëve “Norma”, duke folur për udhëzuesin për regjistrimin e të drejtave pronësore, tha se qytetarët tanë nuk kanë njohuri se si të regjistrohet prona. “E bëjnë te noteri një kontratë, e fusin në sirtar në shtëpi dhe mendojnë se u kry puna”, tha ajo në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK.

Sipas saj, një pjesë e qytetarëve e dinë çfarë është prona, por nuk dinë si të regjistrohet. Ajo tregoi se kanë bërë një anketë të rastit, nga e cila kanë nxjerrë rezultate që të rinjtë nuk dinë fare çfarë është prona, prandaj e kanë bërë një udhëzues dhe kanë filluar një fushatë vetëdijesuese me grupe të  ndryshme të qytetarëve.

Haxhi Gashi, profesor në UP, tha se “pa e regjistruar pronën nuk është prona jote”. “Mesazhi është që të udhëzohen qytetarët që mendojnë se, duke e mbajtur në mënyrë faktike pronën, janë pronarë. Sistemi ynë juridik ligjor në Kosovë çfarë e kemi, edhe po të kesh një kontratë noteriale, edhe po të kesh një vendim në gjykatë që  e ke fituar rastin në gjykatë, patjetër duhet ta regjistrosh në pronën kadastër. E drejta e pronës është që personi i cili e ka emrin në kadastër, ai e ka certifikatën e pronësisë dhe mund të bëjë çfarëdo me atë pronë, të shesë, ta fusë në hipotekë, të investojë. Ndërsa të tjerët, kur shohin që prona është shitur diku, krijojnë një kontest të ri dhe përfundon lënda në gjykatë”, dha sqarime Gashi.

Reklama e sponzorizuar

Ndër të tjera, ai pohoi se “jorastësisht i kemi të mbushur gjykatat me lëndë, por kjo është një histori e gjatë në Kosovë, për shkak se s’kemi kulturë të përgjithshme që t’i zhvillojmë me kohë procedurat e trashëgimisë”.

Po ashtu, ai bëri me dije se ka raste që edhe pse personi ka vdekur 50 vjet më parë, ende ekziston prona e regjistruar në emër të tij.

“Askush s’ka të drejtë, sipas ligjit, ta shesë pronën kur nuk e ka mbi vete, por shitet, madje ka edhe shmangie të qarkullimit bankar”, tha Gashi.

“Është një ligj i ri për kadastrën. Kjo iniciativë është që të sqarojmë dhe t’i vetëdijesojmë qytetarët se pa e regjistruar pronën, ke krijuar probleme për veten, për pasardhësit tuaj e për investime”, shtoi ai.