Deputetët e PE-së kërkojnë qartësim të integrimit të Kosovës dhe heqje të masave ndëshkuese

Në Parlamentin Evropian u zhvillua një debat i rëndësishëm mbi draft-raportet për Kosovën dhe Serbinë, ku shumica e deputetëve kërkuan qartësim të procesit të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Ata shprehën shqetësimin se Kosova po rrezikon të mbetet një zonë gri në hartën e Evropës dhe theksuan se e ardhmja e vendit është e lidhur ngushtë me BE-në.

Deputetët kërkuan nga BE-ja heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat i konsideruan të paarsyeshme dhe në kundërshtim me përkushtimin e vendit ndaj vlerave evropiane. Ata theksuan se këto masa po pengojnë progresin në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe po dëmtojnë përpjekjet e Kosovës për integrim.Në debat u shpreh gjithashtu shqetësim për situatën e sigurisë në veri të Kosovës, sidomos pas sulmeve të dhunshme të ndodhura atje. Deputetët kërkuan që autorët e këtyre sulmeve të nxirren para drejtësisë dhe theksuan se normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është kusht i domosdoshëm për përparimin e të dyja vendeve drejt BE-së.

Reklama e sponzorizuar

Sa i përket Serbisë, deputetët kërkuan që ajo të dëshmojë me vepra se është e përkushtuar ndaj integrimit në BE dhe të bëjë progres në normalizimin e raporteve me Kosovën. Ata theksuan se Serbia duhet të respektojë të drejtën e protestave paqësore dhe të ndërpresë akuzat ndaj vendeve të BE-së.