Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka mbajtur takim me bizneset ku është bërë prezantimi i përfitimeve nga Marrëveshja e Tregtisë së Lirë, ndërmjet Kosovës dhe EFTA-s, raporton Ekonomia Online.
Ministrja Hajdari ka thënë se kjo marrëveshje është një arritje e madhe për ekonominë e Kosovës.
Sipas saj, përfitimet e kësaj marrëveshje janë eliminimi i tarifave doganore për të gjitha produktet industriale dhe për shumicën e produkteve bujqësore.
Ajo tha se marrëveshja lehtëson edhe tregtinë e shërbimeve, një sektor ku Kosova sipas saj ka treguar një arritje të jashtëzakonshme, si dhe përmes kësaj marrëveshje Kosova bëhet një destinacion më i favorshëm për investime të huaja.
“Për të shënuar këtë arritje të madhe fal potencialit tuaj si industri në rritje, dhe gjithë ky negocimi është fal kontributi të ndërmarrësve tanë. Kjo është një arritje e madhe që konfirmon synimin dhe përkushtimin tonë për rritjen dhe integrimin e industrisë tonë në tregun ndërkombëtar, për rritjen e punësimit, rritjen e të ardhurave kombëtare, qëndrueshmërinë e shtetit tonë dhe mirëqenien e qytetarëve tanë. Kosova po bëhet një destinacion dinamik dhe tërheqës për investime, me mundësi rritje në sektor kyç, si prodhimi, teknologjia informative. Fal potencialit tuaj që keni ne si Kosovë nënshkruam marrëveshjen për tregtinë e mallrave dhe të shërbimeve. Kjo marrëveshje eliminon tarifa doganore për të gjitha produkte industriale, për shumicën e produkteve bujqësore përveç disa produkteve, si dhe të gjitha shërbimet që janë produkte shërbyese profesionale janë pa kuota. Se dyti nuk bëhet fjalë vetëm për tregtin e mallrave, marrëveshja lehtëson edhe tregtinë e shërbimeve një sektor ku Kosova ka treguar një arritje të jashtëzakonshme. Bizneset kosovare do të kenë më shumë hapësirë për të bashkëpunuar me shtet anëtare të EFTA-së. Së treti përmes kësaj marrëveshje Kosova bëhet një destinacion më i favorshëm për investime të huaja me një regjim fiskal konkurrues dhe një taks mbi fitimin e korporatave prej vetëm 10 për qind”, ka thënë ajo.
Zef Dedaj, kryenegociator i delegacionit të Kosovës ka thënë se Kosova është i vetmi vend në rajon që ka negociuar edhe shërbimet.
“Sa i përket produkteve industriale, të gjitha produktet do të kenë qasje të plotë në këto tregje. Ne kemi negociuar me katër oferta, si përfundim të gjitha kanë qasje të plotë dhe tarif doganore zero. Për disa produkte kemi gëzuar të drejtën të mbrojmë tarifën prej 10 për qind. Edhe të produktet bujqësore kemi arritur që të kem qasje të plotë ne tregjet e EFTA, por që disa prej tyre kanë zero tarifë doganore, e për disa do të këtë tarifë doganore. Kosova është i vetmi vend në rajon që ka negociuar edhe shërbimet”, ka thënë ai.
Bulina Gashi, U.D Drejtore e Departamentit të Tregtisë në MINT, ka thënë se sipas marrëveshjes taksa doganore do të behët duke u eliminuar gradualisht.
“Eliminimi gradual i taksës doganore për mallrat industriale me origjinë nga EFTA. Për periudhën 3-vjeçare, detyrimi doganor ulet progresivisht nga 7% në 3% dhe hiqet plotësisht në vitin e dytë. Për periudhën 5-vjeçare, ulja bëhet nga 8% në 6%, 4%, 2% dhe hiqet plotësisht në vitin e pestë. Kjo qasje graduale lejon industrinë të adaptohet me ndryshimet e reja. Sektorët: Metale baze dhe artikujt prej tyre. Mobilerite. Plastik gome dhe artikujt prej tyre. Tekstil dhe artikuj tekstili. Letër dhe artikujt prej letre”, ka thënë ajo.
Haki Huruglica, zyrtar i lartë për Koordinim të Politikave në MINT, ka shpjeguar më detaje për secilin vend të EFTA-së se si do të mund të eksportohen produkte ushqimore në këto vende.
“Eksportet në Zvicër dhe Lihtenshtajn, nga hyrja në fuqi e marrëveshjes, shumica e produkteve bujqësore dhe ushqimore do të mund të eksportohen në këto dy vende, pa paguar tatimin doganor. Përjashtim nga ky lirim bëjnë: mishi dhe të brendshmet e ngrënshme të mishit, jashtë kuotave të përcaktuara, produktet bulmetore dhe produkte të ngrënshme me origjinë prej kafshëve, zarzavatet(perimet) e ngrënshme, jashtë kuotave të përcaktuara”, tha ai.
Huruglica tha se eksportet në Norvegji, nga hyrja në fuqi e marrëveshjes, shumica e produkteve bujqësore dhe ushqimore do të mund të eksportohen në Norvegji, pa paguar tatimin doganor.
“Përjashtim nga ky lirim bëjnë: mishi dhe të brendshmet e ngrënshme të mishit; produktet bulmetore dhe produkte të ngrënshme me origjinë prej kafshëve; perimet e freskëta brenda periudhave të caktuara të vitit; ushqimet e përgatitura prej mishit. “Eksportet në Islandë, nga hyrja në fuqi e marrëveshjes, shumica e produkteve bujqësore dhe ushqimore do të mund të eksportohen në Islandë, pa paguar tatimin doganor. Përjashtim nga ky lirim bëjnë mishi dhe të brendshmet e ngrënshme të mishit; produktet bulmetore dhe produkte të ngrënshme me origjinë prej kafshëve, ushqimet e përgatitura prej mishit”, ka thënë ai.
EFTA (European Free Trade Association) është Shoqata Evropiane e Tregtisë së Lirë dhe përbëhet nga katër shtete anëtare Zvicra, Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni.
Këto vende nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian, por kanë marrëveshje të ndryshme tregtare me BE-në dhe mes vete.