Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se të enjten 2 mijë e 133 prona i janë bartur zyrtarisht ndërmarrjes Trepça.
Ai ka thënë kjo ndërmarrje po ringritet falë rikthimit të pronave.
Kurti ka thënë se Trepçën do ta fusin nën ombrellën e Fondit Sovran për të rritur investimet e prodhimin.
“Në një nga pronat e saj të rikthyera në veri të Mitrovicës është vendosur Policia e Kosovës. Kurse dje 2,133 prona janë bartur zyrtarisht në emër të saj, në Trepça Sh.A. Më herët, ia kemi rikthyer Terminalin Doganor që në nëntor të vitit të kaluar ka shënuar rekord të të hyrave prej kur u rifunksionalizua në 2021. Nga minierat po nxjerren xehe gjithnjë e më shumë, ndërkohë që shpenzimet janë zvogëluar e të hyrat janë rritur. Nga gërryerja prej keqpërdorimeve dhe skandaleve, Trepçën do ta fusim nën ombrellën e Fondit Sovran, drejt investimeve të mëdha dhe prodhimit të hovshëm. Trepça është krenari dhe aset. Krenari që e çmojmë dhe aset që e zhvillojmë”, ka shkruar Kurti.