Rivaliteti tekanjoz i tregtarëve kundrejt konsumatorëve bojkotues në Kosovë

Derisa në shumë vende të rajonit, pas bojkotit të ambienteve të tregtimit me ditë të caktuara, pasuan ulje çmimesh, në Kosovë, tregtarët abuzivë e shpërfaqën në vepër rivalitetin tekanjoz kundrejt konsumatorëve bojkotues, duke ngritur, pa asnjë logjikë dhe asnjë arsye të vetme, çmimet e shumë produkteve. Janë rritur tani ndjeshëm edhe çmimet në gastronominë e vendit.

Buletini Ekonomik

Tregtarët kosovarë kanë shfrytëzuar maksimalisht periudhën e fushatës elektorale, kohën e zgjedhjeve dhe paszgjedhjeve, duke shfrytëzuar tjetërsimin e vëmendjes të pushtetit dhe të subjekteve opozitare nga jeta reale e përditshme në Kosovë, për të ngritur në mënyrën më abuzive të mundshme çmimet e shumë produkteve, sidomos të atyre ushqimore. Në këtë periudhë janë ngritur çmimet e produkteve elementare ushqimore, të artikujve të shportës, por edhe të shumë produkteve të higjienës sidomos, dhe të produkteve të ndryshme industriale.

Reklama e sponzorizuar

Njëkohësisht, sipas të dhënave që vijnë nga raftet e ambienteve tregtare, këto ditë, më saktësisht qëkur ka zënë të jetësohet në një farë mase thirrja për bojkot të supermarketeve dhe marketeve për shkak të çmimeve “të kripura”, tregtarët e Kosovës, fare haptaz kanë shpërfaqur ‘fuqinë’ e tyre kundrejt konsumaorëve të vendit dhe paprekshmërinë e tyre nga institucionet kompetente, duke rritur edhe më çmimin e shumë mallrave, ndër to edhe të produkteve ushqimore. Bie fjala, deri në ditën e thirrur dhe të planifikuar për bojkotin e parë nga konsumatorët për shkak të çmimeve enorma të larta, djathi “Rugova’, i amballazhuar në kutitë e plastikës, 800 gram, kushtonte 6,65 euro, ndërsa pas ditës së caktuar të bojkotit të parë, në disa supermarkete e ka çmimin e ngritur në 7,25 euro.

Më shtrenjtë tani kushtojnë edhe çokolatat, ato nga importi, shumë lloje detergjentesh dhe sapunrash, prodhime të ndryshme nga mielli etj. ASK ka potencuar kafenë, çajin dhe kakaon si produktet, çmimi i të cilave është rritur më së shumti. Me fjalë të tjera, derisa në shumë vende të rajonit, pas bojkotit të ambienteve të tregtimit me ditë të caktuara, pasuan ulje çmimesh, në Kosovë, tregtarët abuzivë e shpërfaqen në vepër rivalitetin tekanjoz kundrejt konsumatorëve bojkotues, duke ngritur, pa asnjë logjikë dhe asnjë arsye të vetme, çmimet e shumë produkteve. Janë rritur tani ndjeshëm edhe çmimet në gastronominë e vendit. Një çaj, i ashuquajturi “çaj rusi” në gota fare të vogla, në disa kafiteri të kryqytetit ka ditë që kushton 1 euro saktësisht, derisa para dy-tre muajsh, i njejti ka kushtuar më së shumti 50 centë. Çmimi i kafesë ekspresso tani thuaja është standardizuar në shumicën e kafeneve dhe restoranteve të kryeqytetit në 1,20 euro, ndërsa ka vende që ky çmim ka shkuar në 1,5 euro e përtej. Në Prishtinë aktualisht janë të rralla kafenetë ku mund të konsumosh ekspresson me çmimin 1 euro. “Çmimet aktuale në gastronomitë e kryeqytetit tonë janë të barabarta, dhe në raste edhe më të larta se çmimet në shumë vende të rajonit po se po, por edhe të Europës”, thotë një prishtinas, vrojtues i përkushtuar i ecurive të çmimeve në gastronominë kosovare.

Duke parë çmime të reja të ngritura në dy-tre javët e fundit, i bie saktësisht, se shumë nga tregtarët e vendit, mezi kanë pritur gjendjen e krijuar nga përqëndrimi politik e shoqërorë në kohën e zgjedhjeve, për t’i ngritur pakuptueshëm çmimet, sidomos të atyre ushqimore, të domosdoshme përditë për familjet tona. Në këtë mënyrë, ka vayhduar thuaja saktësisht trendi i rritjës së çmimeve të shumicës së mallrave, por edhe të shërbimeve gjatë vitit 2024.

Sipas të dhënave të ASK-së, të bëra publike ditë më parë, në vitin 2024, trendi i rritjes së çmimeve të produkteve bujqësore, ose siç e emërton ASK-ja “Indeksi vjetor i çmimeve të prodhimeve bimore” kishte rritje për 46,9 për qind, krahasuar me vitin 2020. Ndërkaq, indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale kishte rritje për 46,5 për qind në vitin 2024, krahasuar me vitin 2020.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës në publikimin e saj bënë të ditur se indeksi vjetor i përgjithshëm i çmimeve të prodhimeve bujqësore kishte rritje për 46,8 për qind në vitin 2024, krahasuar me vitin 2020. Sipas raportit të ASK-së, indeksi i çmimeve prodhimeve blegtorale kishte rritje për 5,7 për qind në vitin 2024, krahasuar me vitin 2023.

Sivjet, që nga fillimi i janarit thauja se, kanë ra në sy për të keq çmimet e ngritura jashtë çdo logjike të bukëpjekësve në kryeqytet.

Disa bukëpjekës të Prishtinës, pa asnjë arsye dhe logjikë të vetme ekonomike e financiare, siç është njoftuar disa herë nga mediet, ngritën çmimin në përqindje të madhe për një pjesë të produkteve të prodhuara në furrat e tyre. Ndërkohë, sivjet, pos rendimenteve rekorde të grurit në arat e Kosovës, nuk ka ngritje çmimesh as të miellit, as të energjisë elektrike, druve, qirave dhe të disa materialeve më të imta të nevojshme për ta bërë një bukë për treg.