Bordi i Shkëmbimit Arsimor SHBA-Kosovë (USKEB) ka marrë njoftim zyrtar nga Departamenti i Shtetit se të gjitha programet e studimeve përmes të cilave studentët kosovarë kanë pasur mundësi të studiojnë në SHBA, për momentin janë pezulluar.
Në një përgjigje për Gazetën Metro, USKEB ka konfirmuar se është njoftuar prej Departamentit të Shtetit se të gjitha aktivitetet e programeve studimore janë pezulluar për momentin.
Ky njoftim ka ardhur si rrjedhojë e vendimit të presidentit Trump për rishikimin e ndihmës për vendet e huaja, që pezullon për 90 ditë të gjitha ndihmat e SHBA-së për shtetet e tjera.
Edhe USKEB iu referua këtij urdhri ekzekutiv të presidentit Trump, duke treguar se që nga 24 janari janë pezulluar të gjitha aktivitetet që financohen nga Departamenti i Shtetit.
Në mesin e programeve të cilat janë aktive në Kosovë, bëjnë pjesë Fulbright për studentët e nivelit Master, Global UGRAD për shkëmbime studentore, YES Kosovo për nxënësit e shkollave të mesme dhe shumë programe tjera.
Për momentin, nuk dihet fati i këtyre programeve, të cilat mund të vazhdojnë njësoj, mund të modifikohen, por edhe të ndalen tërësisht, varësisht nga vendimi që merr administrata Trump pas mbarimit të periudhës 90-ditore të pezullimit.