Trefishohet numri i bankave vendore në veri të vendit

BQK - Buletini Ekonomik

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka njoftuar se në pajtim me qëllimin e katërt të Planit Strategjik (2024-2028) që ka në fokus qasjen në financa dhe gjithë-përfshirjen financiare, ka vazhduar angazhimin e saj në pajtim me objektivat ligjore dhe planet e saj, në respektim të legjislacionit dhe akteve tjera rregullative, të cilat sipas tyre, kanë rritur integritetin e sistemit financiar dhe kanë mundësuar njëkohësisht rritjen dhe zgjerimin e qasjes në financa në mbarë vendin, me theks të veçantë në komunat të banuara nga komunitetet.

Sipas BQK-së, zyrat e institucioneve financiare të licencuara në sektorin financiar të vendit në vitin 2024 krahasuar me vitin 2023 janë rritur për 40 njësi të shpalosura në tabelë.

Sa i përket efekteve më të rëndësishme të rregullativës së përmendur dhe masave të ndërmarra sipas planit të BQK-së, nga 1 janari 2024 deri tani janë larguar nga qarkullimi rreth 430 mijë copë bankënota të denominimit 500 euro, në vlerë prej 215 milionë euro, si dhe janë ndërmarrë aktivitete tjera që kanë luftuar paranë e falsifikuar duke mundësuar furnizim të ekonomisë me para, si dhe aktivitete tjera në zbatim të kornizës ligjore në fuqi lidhur me funksionimin e ligjor të institucioneve financiare, që kanë fuqizuar dukshëm integritetin e sektorit financiar.

Reklama e sponzorizuar

Sa i përket qasjes në financa në komunat në veri të vendit, BQK thotë se nga fundi i vitit 2023, numri i institucioneve financiare të cilat janë licencuar për të ushtruar aktivitetin e tyre në katër komunat veriore të vendit, pothuajse është trefishuar, siç thonë ata, si rezultat i masave të planit të BQK-së për mbështetjen e zgjerimit të qasjes në financa dhe aktiviteteve të përbashkëta me sektorin. Gjithashtu, edukimi financiar ka qenë në fokus të këtyre angazhimeve me efekte pozitive.

Derisa deri në gusht të vitit 2023 numri i përgjithshëm i zyrave të institucioneve financiare në veri të vendit ishte 17, prej të cilave 4 ishin zyra bankare (2 prej të cilave në pikat kufitare), me të dhënat aktuale sipas BQK-së, ky numër i përgjithshëm ka arritur në 46 institucione (shtim prej 29 institucione), prej të cilave 12 janë zyra bankare, duke trefishuar prezencën bankare në ato zona të vendit, duke përfshirë banka vendore dhe ndërkombëtare.

BQK: Nga të dhënat e fundit ju paraqesim numrin aktual të zyrave bankare, të institucioneve financiare jo-bankare dhe mikro-financiare si dhe kompanive të sigurimit.

BQK shton se rritja e vazhdueshme e përdorimit të Sistemit Ndër-bankar të Pagesave (KIPS) reflekton avancimin e infrastrukturës si dhe rritjen e qarkullimit financiar në vend, përfshirjen e instrumenteve dhe akterëve të ndryshëm të pagesave, por gjithashtu edhe rritjen e vazhdueshme të besimit të sistemeve elektronike të pagesave.

Në vitin 2024, përmes KIPS-it numri i transaksioneve është rritur për 1.8 milion apo 9.5%, kurse vlera e transaksioneve është rritur rreth 3.6 miliardë euro apo 16.3%. Në vitin 2024 janë procesuar rreth 21 milionë transaksione me vlerë totale rreth 25.4 miliardë euro, që është ekuivalent me rreth 2.4 herë e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Krahas avancimit të përdorimit të shërbimeve të pagesave në sektorin bankar vërehet një përpjekje e vazhdueshme për të zgjeruar qasjen në shërbimet financiare në vend ku numri i bankomatëve (ATM) dhe numri i POS terminaleve është rritur për 8.4% respektivisht 21.4% krahasuar me vitin paraprak.

Në fund të vitit 2024, janë raportuar 2.6 milionë llogari të klientëve, të cilat përfshijnë llogaritë rrjedhëse, llogaritë e kursimeve, llogaritë e depozitave të afatizuara si dhe llogaritë e parave elektronike për individë dhe biznese. Krahasuar me vitin 2023 evidentohet një rritje prej 61,166 llogari apo 2.4%. Një rritje e theksuar evidentohet tek llogaritë e parave elektronike të cilat në vitin 2024 kanë arritur në 79,706 llogari duke shënuar një rritje prej 34,049 apo 74.6% krahasuar me vitin 2023.

Krahas rritjes së përfshirjes financiare dhe përdorimit të instrumenteve të ndryshme për pagesa, vërehet një rritje e vazhdueshme edhe e numrit të kartelave dhe përdorimit të tyre, në pajtim me rekomandimet e Këshillit Kombëtar të Pagesave të cilin e kryeson BQK.

Në fund të vitit 2024, numri i kartelave të klientëve ka arritur rreth 1.7 milion kartela, të cilat përfshijnë kartelat e debitit, kartelat e kreditit, kartelat e debitit me vonesë për individë dhe biznese si dhe kartelat e pagesave me funksion të parave elektronike. Krahasuar me fundin e vitit 2023, numri i përgjithshëm i kartelave të klientëve është rritur për 71,660 apo 4.4%.

Në vitin 2024 krahasuar me vitin 2023, numri i transaksioneve me kartela ka arritur rreth 43 milionë duke shënuar një rritje prej 10.8 milionë apo 33.8%.

Përveç pagesave me kartela, me rastin e rritjes së shërbimeve dhe institucioneve të parave elektronike, vërehet një rritje e hovshme edhe e numrit të pagesave me para elektronike. Në vitin 2024 janë raportuar rreth 2.2 milion transaksione të pagesave me para elektronike duke shënuar një rritje prej 568,309 apo 35% krahasuar me vitin 2023.

BQK-ja vlerëson bashkëpunimin me institucionet shtetërore në zbatim të mandatit të saj ligjor, si dhe vlerëson angazhimin e sektorit financiar në funksion të zgjerimit të qasjes në financa, dhe se thotë që mbetet e përkushtuar që të avancojë edhe më tutje kornizën ligjore, rregullative dhe infrastrukturore (teknike) në zgjerim të qasjes në financa, gjithpërfshirjes financiare, konkurrueshmërisë dhe mbrojtjes se konsumatorit, përmes nismave ligjore dhe investimeve në infrastrukturë drejt zvogëlimit të parasë së gatshme dhe rritjes së përdorimit të instrumenteve elektronike të pagesave.