Unifikimi i çmimeve të barnave, farmacistët ankohen për mungesë dhe kontradikta ligjore

Vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë për unifikimin e çmimeve të barnave, i cili hyri në fuqi më 1 shkurt, ka shkaktuar shqetësime të mëdha në mesin e farmacistëve. Ata ankohen për mungesë të disa barnave, kontradikta ligjore dhe probleme në zbatimin e vendimit.

Gzonit Salihaj, farmacist në Prishtinë, shprehet se ligji i ri është në kundërshtim me ligjin aktual, duke shkaktuar probleme me Administratën Tatimore të Kosovës (ATK). Sipas tij, farmacistët janë të detyruar të shesin barna me çmime më të ulëta se ato të blerjes, gjë që konsiderohet shkelje nga ATK.

“Një problematikë që është qe 25 vite prej një muaji nuk është në rregull të rregullohet. Gjithashtu edhe bie në kundërshtim me ATK e cila e ka vlerësua që bëjmë shkelje nëse barnat që i kemi blerë me çmime ma të larta i shesim me çmime ma të ulëta. Na u ka obligua edhe vendosja e çmimeve në barnatore që prapë është në kundërshtim me ligjin në fuqi. Na kanë shkaktua disa pengesa tash e tri javë ku jena në fuqizim të vendimit. Na kemi fillua zbatimin e ilaçeve që janë ardhë me çmim të ri por ato që nuk janë ardhë të nivelizume nuk kemi mundësi për disa arsye. Edhe si shkak i kostos edhe si shkak që bëjmë shkelje. Këto ditë veç kanë fillua edhe me pas mungesë të artikujve bazë në këtë rast të disa medikamenteve”, tha Salihaj për rtv21.

Reklama e sponzorizuar

Nënkryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Astrit Haxhijaha, paralajmëron se mungesa e barnave do të përkeqësohet. Ai thotë se pritet mungesa e rreth 1700 llojeve të produkteve të tjera, si pasojë e vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë.

“Ky vendim nga MSH ka sjellë tronditje të rëndë për tregun farmaceutik dhe ky është vetëm fillimi I mungesës së barnave dhe nga fillimi presim mungesën e rreth 1700 lloje të produkteve të tjera. Kjo është si pasoj e një formati të gabuar e të ngutshëm nga MSH e cila nuk është konsultuar me komitetin farmaceutik. Do të ketë mungesë më tutje të barnave sepse vendimi nuk është në përputhje me ligjin për unifikimin e çmimeve, duhet bazohet në shtetet referente dhe jo në paragrafët paraprak. Kjo gjë ua mundëson kompanive farmaceutike të tërhiqen nga tregu”, tha Haxhijaha.

Edhe Shoqata e Distributorëve të Produkteve Farmaceutike dhe Medicinale të Kosovës ka shprehur shqetësime lidhur me afatin e zbatimit të listës zyrtare të çmimeve të produkteve medicinale. Ata kanë kërkuar të mos preket stoku aktual i barnave dhe të zgjatet periudha e hyrjes në fuqi e çmimeve të reja.