Fillimviti i 2025-tës me çmime të larta të produkteve bujqësore në Kosovë

Trendi i ngritjes së çmimeve në tregjet e vendit ka vazhduar me ritëm agresiv edhe në këtë fillimvit. Në tregjet e Kosovës (tregjet e gjelbra dhe markete e supermarkete, ku më së shumti bëhet tregtimi i produkteve bujqësore), aktualisht çmimet e thuaja shumicës së produkteve, qofshin ato nga importi, qofshin nga arat dhe kopshtijet e Kosovës, kanë shkuar në qiell gjatë shkurtit dhe në këto ditë të marsit 2025.

Buletini Ekonomik

Trendi i rritjes së çmimeve të prodhimeve bujqësore në Kosovë ka vazhduar me ritëm të përshpejtuar edhe në muajin shkurt dhe në dhjetë ditët e para të marsit të sivjetshëm. Në bazë të çmimeve të shumë produkteve ushqimore të shënuara në këtë periudhë, mund të konstatohet se çmimet e këtyre produkteve tashmë kanë kaluar ndjeshëm ato të vitit 2024, që sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), indeksi vjetor i përgjithshëm i çmimeve të prodhimeve bujqësore kishte rritje për 46,8 për qind në vitin 2024, krahasuar me vitin 2020. Ose, në vitin 2024, indeksi vjetor i çmimeve të prodhimeve bimore kishte rritje për 46,9 për qind, krahasuar me vitin 2020, ndërsa indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale kishte rritje për 46,5 për qind në vitin 2024, krahasuar me vitin 2020.

Reklama e sponzorizuar

Duhet theksuar se në tregjet e Kosovës (tregjet e gjelbra dhe markete e supermarkete, ku më së shumti bëhet tregtimi i produkteve bujqësore), aktualisht çmimet e thuaja shumicës së produkteve, qofshin ato nga importi, qofshin nga arat dhe kopshtijet e Kosovës, kanë shkuar në stratosferë gjatë shkurtit dhe në këto ditë të marsit 2025. Dhe nëse vazhdon rritje në këtë mënyrë, fare lehtësisht do të lënë nën hije çmimet e rritura të këtyre produkteve në vitet paraprake (në vitet 2020-2024, ngritje enorme çmimesh të produkteve bujqësore të trajtuara nga ASK-ja).

Dhe, trendi i ngritjes së çmimeve në tregjet e vendit ka vazhduar me ritëm agresiv edhe në këtë fillimvit. Tregtarët në tregjet e gjelbra të Kosovës, por edhe në markete e supermarkete, po vazhdojnë t’i mbesin besnik trendit të kahershëm të përditësimit të çmimeve të perimeve dhe pemëve me ngritje të vazhdueshme. Duket sheshit, se fare pak, ose aspak, nuk kanë ndikuar bojkotet e pjesshme të konsumatorëve kosovarë dhe as paralajmërimet për bojkote të reja të mundshme të ndodhin në ditët në vazhdim për shkak të çmimeve të larta. Në këtë mënyrë, çmimet e produkteve bujqësore (të pemëve dhe perimeve veçmas, miellit të misrit dhe të tjera) në këtë fillimvit kanë shënuar ndryshime të vërejtshme, duke dominuar ngritja e tyre te shumica e perimeve dhe të pemëve (hiç portokallin, që nuk ka ndonjë ngritje enorme të çmimit krahasuar me bie fjala dhjetorin e 2024-tës, kur fillon sezoni i këtij fruti edhe te ne).

Një kilogram i specave djegës, me cilësi në pamje të jashtme të mirë, këto ditë në tregjet e gjelbra të kryeqytetit tregtohet me 3 deri 3,5 euro, kurse në disa markete edhe mbi 4 euro. Domatet, pokështu, kanë çmime të larta edhe për stinën e dimrit, kur rëndom te ne shtrenjtohen pemët, dhe sidomos perimet. Një kilogram i domateve të cilësisë së mire, dje në tregun kryesor të gjelbër të kryeqytetit tregtohej me së paku 2 euro, ndërsa në minimarkete dhe në disa shitore të pemëve dhe perimeve çmimi i domates ishte 2,5, 2,6 euro e përtej.

Qepët vazhdojnë të kenë çmim “të lirë” krahasuar me perime të tjera dhe kushtojnë nga 70 centë deri në 1 euro kilogrami, varësisht nga cilësia (në dhjetor 2024 dhe në fillim të janarit, qepët kanë pasur çmimin thuaja të standardizuar prej 50 centësh kilogrami). Sallatat jeshile të freskëta, prodhim nga serrat e mbuluara të vendit, kanë çmimin 70 centë, ndërsa ato ‘bajatet”, që kanë mbetur pa shitur nga ditët paraprake i gjen edhe me 50 centë.

Ndërkohë lakra, si e vjetra – si e reja, edhe në janar, në shkurt dhe në këto ditë të para të marsit të sivjetshëm, po tregtohet me çmim rekord për disa vitet e fundit. Një kilogram i lakrës së re, të ashtuquajturës “lakra e Belgjikës”, e importuar kryesisht nga Shqipëria, kushton nga 1,20 deri në 1,50 euro, ndërsa kilogrami i lakrës së vjetër tregtohet me 1 euro kilogrami.

Te pemët bie në sy ngritja e ndjeshme e çmimit të mollëve. Dje, një kilogram i mollës së mirë vendore kushtonte 1 euro, ndërsa i mollëve të importuara (sipas tregtarëve, nga Polonia) kilogrami kishte çmimin 1,3 euro. Dardhët tregtoheshin me çmimin nga 2,5 deri në 3 euro kilogrami (në markete dhe supermarkete mund të hasësh çmimin e një kilogrami të dardhës në dukje cilësore dhe nga importi – edhe rreth 4 euro), ndërsa portokalli, siç u tha më lartë, tregtohej me 1, 1,2 dhe 1,5 euro për kilogram, ose pak a shumë me çmimin e fillimsezonit të tij. Çmimi i bananeve, sipas blerësve, nuk ka ndonjë lëvizje dhe ka disa javë që ky frut tregtohet në tregjet tona nga 1, 2 euro kilogrami.

Ndërsa çmimi i vezëve, i ngritur suksesivisht deri në fund të shkurtit, me fillimin e muajit të Ramazanit, është ulur simbolikisht. Tani, në rrjetin e prodhuesit ndër më të njohurit të produkteve me origjinë të shpezëve, një komplet vezësh e cilësuar si “kategoria e parë”, nga 3,70 euro sa kanë pasur çmimin gjatë tërë muajve janar dhe shkurt, tregtohet me 3,5 euro. Ndërkohë, në markete dhe supermarkete çmimi i vezëve, hiç të ashtuquajturat “aksione”, është edhe më i lartë. Pak a shumë, ka ditë që edhe spinaqi, kryesisht i importuar nga Shqipëria, ka mbajtur një çmim të pranueshëm dhe në tregjet tona tregtohet në të shumtën 1-1,5 euro kilogrami, varësisht nga cilësia, por edhe 70 centë nëse nuk është i freskët. /Buletini Ekonomik/