Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, mori pjesë si folës në ngjarjen e organizuar nga Këshilli i Investitorëve Evropian me temën “Anëtarësimi i Kosovës në SEPA: Procesi, Përparimi dhe Përfitimet e Pritshme”.
Në këtë takim ishin të pranishëm përfaqësues të Këshillit të Investitorëve Evropian, përfaqësues nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, sektori bankar, kompanitë e sigurimeve dhe Fondi Kosovar për Garanci Kreditore.
“Gjatë fjalës së tij, guvernatori Ismaili prezantoi aktivitetet e ndërmarra nga BQK-ja në kuadër të procesit të anëtarësimit të Kosovës në Zonën Unike të Pagesave Euro (SEPA), duke paraqitur gjithashtu statusin aktual dhe sfidat e këtij procesi. Ai theksoi rëndësinë e SEPA-s për sektorin bankar dhe sistemin financiar të Kosovës, duke vënë në dukje përfitimet konkrete për ekonominë e vendit, qytetarët dhe bizneset. Gjithashtu, ai elaboroi rëndësinë e këtij procesi për bashkëpunimin rajonal dhe për rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit në BE”, njofton BQK
Në njoftim thuhet se në këtë kuadër, u diskutuan reformat e ndërmarra nga BQK-ja për përgatitjen e kornizës ligjore dhe rregullative, procesin e para-aplikimit në DG FISMA, zhvillimi i pagesave të shpejta lokale dhe ndërlidhja me sistemet e pagesave të shpejta rajonale përmes reformave infrastrukturore.
“Përfaqësuesit pjesëmarrës trajtuan gjithashtu sfidat dhe aktivitetet e nevojshme për fazën përgatitore dhe implementimin e qasjes në SEPA, si dhe nevojën për komunikim të duhur lidhur me pritjet nga ky proces. Procesi i shqyrtimit kushtetues të ligjeve që dalin nga anëtarësimi në SEPA si dhe zhvillimet infrastrukturore dhe teknike, paralelisht me modernizimin e sistemit të pagesave, u përmendën si sfida me ndikim në këto procese”, theksohet në njoftim.
Në përfundim të takimit u konkludua se anëtarësimi në SEPA do të sjellë përfitime afatgjata që shkojnë përtej uljes së kostove të pagesave ndërkufitare. Ky proces pritet të ndikojë pozitivisht në pranimin e fondeve nga Plani i Rritjes së BE-së në afatin e mesëm dhe të përmirësojë perspektivën e anëtarësimit të Kosovës në BE në afatin e gjatë. Gjithashtu, do të rrisë konkurrencën në tregun vendor të ofruesve të shërbimeve të pagesave (PSP), duke ulur kostot e transfertave bankare brenda vendit.
“Si rezultat, kjo ulje e kostove mund të nxisë pranimin e metodave të pagesave jo-cash, duke sjellë ulje të ndjeshme të kostove të pagesave, rritje të transparencës, likuditetit në sektor, ulje të ekonomisë informale dhe përmirësim të qasjes në tregun financiar për qytetarët e Kosovës. Një tjetër përfitim i rëndësishëm pritet të jetë ulja e kostove të dërgimit të remitancave përmes transfertave bankare, çka do të inkurajojë përdorimin e kanaleve formale të remitancave”, përfundon njoftimi.