KESCO këto ditë ka njoftuar se bizneset që kanë mbi 50 punëtorë apo ato që bëjnë qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, duhet të aplikojnë për të dalë në treg të hapur të furnizimit me energji elektrike. Kjo nënkupton që këto biznese dhe subjekte mund të zgjedhin vetë se ku duan ta marrin energjinë elektrike.
Duke filluar nga data 6 mars 2025 konsumatorëve komercialë do t’u dërgohet nga një shkresë, ku ata duhet të dëshmojnë plotësimin e kushteve për të vazhduar të jenë pjesë e konsumatorëve me tarifa të rregulluara, ose jo.
Sipas KESCO nga data 1 qershor 2025, konsumatorët komercialë që kanë qarkullim vjetor më të madh se 10 milionë euro, ose më tepër se 50 punëtorë do të dalin në treg të hapur, pra do ta kenë të obligueshme ta zgjedhin vet furnizuesin.
Por cilat janë kushtet dhe përfitimet për bizneset që dëshirojnë të furnizohen me energji solare. Zyra e Rregullatorit të Energjisë në një përgjigje për Express kanë sqaruar se cilat janë kriteret dhe lehtësirat eventuale për bizneset që duan të bëhen prosumatorë.
“Konsumatori duhet të ketë pëlqimin ekzistues të operatorit të rrjetit për të lidhur gjenerimin e tij me rrjetin e shpërndarjes. Konsumatori duhet të gjenerojë energji elektrike duke përdorur teknologji të burimeve të ripërtëritshme me pajisje të reja që nuk kanë pasur më parë operim (përjashtohen objektet vetë-gjeneruese që janë instaluar para hyrjes në fuqi të kësaj rregulle).Objekti i gjenerimit të energjisë duhet të lidhet me instalimet e brendshme të konsumatorit dhe të përmbushë kërkesat teknike për lidhjen me rrjetin”, janë tre kriteret e para që një biznes duhet t’i përmbushë.
“Kapaciteti i instaluar i objektit për prodhimin e energjisë elektrike duhet të jetë i barabartë ose më i vogël se kapaciteti i lidhjes së konsumatorit me rrjetin. ZRRE-ja shqyrton çdo rast individualisht nëse objekti vetë-gjenerues është instaluar para hyrjes në fuqi të kësaj rregulle. Sasia vjetore e energjisë elektrike të tepërt që injektohet në rrjet duhet të jetë më e ulët se sasia që është e lejuar sipas rregullave të përcaktuara”, sqaron tutje ZRRE.
Sipas Zyrës së Rregullatorit, këto kritere janë të rëndësishme për të mundësuar kalimin në statusin e prosumatorit dhe për të garantuar se sistemi i energjisë mbetet i balancuar dhe i sigurt, duke mundësuar përdorimin e burimeve të ripërtëritshme dhe rritjen e efikasitetit të energjisë.
Për t’u shndërruar në prosumatorë, ZRRE sqaron se çdo konsumator i energjisë elektrike që është i lidhur në rrjetin e shpërndarjes ose transmetimit ka të drejtë të bëhet prosumator.
“Kjo do të thotë se çdo individ ose biznes që është pjesë e rrjetit të shpërndarjes ka mundësinë të investojë në burime të ripërtëritshme dhe të prodhojë energji elektrike për përdorim të vet. ZRRE lëshon autorizimin për ndërtim dhe përcakton statusin e prosumatorit: Pas kërkesës me shkrim të konsumatorit, ZRRE-ja do të shqyrtojë dhe lëshojë autorizim për ndërtim dhe do të përcaktojë statusin e prosumatorit, pa marrë parasysh nëse kapaciteti i prodhimit të energjisë është nën apo mbi pragun e caktuar”, kanë thënë nga ZRRE për Express.