Guvernatori Ismaili merr pjesë në takimet për Perspektivën Ekonomike të Evropës

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, mori pjesë në takimin e organizuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) me Guvernatorët e bankave qendrore të vendeve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore, nën drejtimin e Drejtorit për Evropën në FMN, Alfred Kammer.

Ky takim i përvitshëm, i zhvilluar me dyer të mbyllura në kuadër të Takimeve Pranverore të FMN-së dhe Bankës Botërore në Washington D.C., adresoi Perspektivën Ekonomike për Evropën, duke prezantuar zhvillimet aktuale dhe pritjet për treguesit kryesorë ekonomikë dhe financiarë në kontekstin e dinamikave gjeopolitike dhe ekonomike globale.

Takimi shërbeu si një platformë e rëndësishme për diskutimin e sfidave dhe mundësive ekonomike në nivel rajonal.

Reklama e sponzorizuar

Në vijim, Guvernatori Ismaili mori pjesë edhe në takimin me Ministrat e Financave dhe Guvernatorët e Bankave Qendrore nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavisë, ku u diskutua mbi propozimin për themelimin e Qendrës së FMN-së për Asistencë Teknike në Evropën Juglindore (SETAC).

Takimi, i hapur nga Kammer dhe zëvendësdrejtori Mark Horton, adresoi fushat kryesore që do të mbulohen nga kjo Qendër, përfshirë politikën monetare dhe fiskale, stabilitetin financiar, mbikëqyrjen financiare, statistikat financiare, qeverisjen si dhe luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.