Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga anëtarja jo ekzekutive e Bordit, znj. Arta Hoxha dhe zëvendësguvernatorja Nesrin Shileku – Shala gjatë takimeve pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB), zhvilloi takime të rëndësishme të ndara me Drejtorët Ekzekutiv të Konstituencave të FMN-së dhe BB-së.
Në takimin me drejtorin Ekzekutiv i Konstituecnës së FMN-së, Yigit Yasar, u diskutuan projektet në proces me FMN-në si dhe mbështetja e mëtejshme për ngritjen e kapaciteteve institucionale të BQK-së si dhe mbikëqyrjen financiare. Guvernatori Ismaili falënderoi z. Yasar për mbështetjen e vazhdueshme që i është ofruar Kosovës në kuadër të Konstituencës së FMN-së, ku vendi ynë është anëtar, thuhet në komunikatë.
Po ashtu, në takimin me Nathalie Francken, Drejtore Ekzekutive në Bankën Botërore u vlerësua lartë bashkëpunimi i deritanishëm në kuadër të projekteve të sektorit financiar, përfshirë projektin për integrimin e Kosovës në SEPA (Zona e Pagesave në Euro) dhe zhvillimin sistemit të pagesave të shpejta TIPS Clone.
Guvernatori Ismaili falënderoi znj. Francken për mbështetjen profesionale që ekspertët e Bankës Botërore kanë ofruar në hartimin e kornizës ligjore dhe ngritjen e kapaciteteve, si dhe për ndihmën në fazën e implementimit të projektit, që paraqet një hap të rëndësishëm për avancimin e sistemit financiar të vendit dhe lehtësimin e shërbimeve për qytetarët.