Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka njoftuar vendosjen e tarifave të reja ndaj partnerëve tregtarë të SHBA-së. Në mesin e shteteve të vendosura tarifat e reja është edhe Kosova, e cila do të përballet me një tarifë prej 10 për qind. Me të njëjtën tarifë është ‘ndëshkuar’ edhe Shqipëria dhe Mali i Zi.
Ky vendim i presidentit Trump ka nxitur reagime në Kosovë, ku edhe i është bërë thirrje Qeverisë që të largojë tarifat doganore për produktet amerikane.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përsërit thirrjen e saj për Qeverinë e Kosovës që të miratojë një aranzhim të njëanshëm preferencial tregtar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke hequr tarifat doganore për produktet amerikane.
Në njoftimin e bërë për media thuhet se “Oda Amerikane mirëpret dhe mbështet fuqishëm deklaratën e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, e cila i bëri jehonë thirrjes sonë duke kërkuar pezullimin e të gjitha tarifave për mallrat amerikane”.
Sipas tyre, kjo thirrje thekson rëndësinë strategjike të thellimit të lidhjeve ekonomike me Shtetet e Bashkuara.
“Siç është thënë në deklaratën e djeshme të Odës Amerikane, një veprim i tillë do të ishte një hap i rëndësishëm, largpamës që tregon zotimin e Kosovës për tregti të lirë dhe të ndershme, duke e pozicionuar gjithashtu Kosovën drejt një marrëdhënie më të fortë tregtare dhe konsiderimin e mundshëm të një Marrëveshje për Tregti të Lirë në të ardhmen. Partneriteti disavjeçar me Shtetet e Bashkuara – si aleati më i rëndësishëm strategjik i Kosovës – duhet të përkthehet në vendime të guximshme e në momente të duhura politike”, thuhet në reagimin e tyre.
Tutje, theksohet se Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë beson se nismat që synojnë avancimin e marrëdhënieve SHBA-Kosovë, veçanërisht ato të bazuara në argumente të shëndosha ekonomike dhe vlera të përbashkëta, nuk duhet të bëhen objekt i polemikave të brendshme politike.
“Përkundrazi, ato kërkojnë unitet dhe veprim të shpejtë institucional, prandaj i bëjmë thirrje Qeverisë që të fokusohet në politikat që forcojnë partneritetin global dhe të ardhmen ekonomike të Kosovës”.
Edhe Oda Ekonomike e Kosovës mbështet fuqishëm thirrjen e presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani drejtuar Qeverisë së Kosovës për heqjen e tarifave doganore për mallrat amerikane.
“Kjo thirrje fuqizon thirrjen tonë për pezullimin e tarifave doganore për mallrat amerikane dhe nënvizon rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve ekonomike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është një hap i rëndësishëm për të avancuar tregtinë dhe bashkëpunimin ekonomik ndërkombëtar”, thuhet në reagimin e tyre.
Tutje, Oda Ekonomike e Kosovës konsideron se heqja e tarifave doganore për produktet amerikane do të hapte mundësi të reja për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe do të kontribuonte në rritjen e mundësive të tregtisë dhe investimeve.
“Ky veprim do të forconte marrëdhëniet me aleatin më të rëndësishëm strategjik të Kosovës, Shtetet e Bashkuara, dhe do të shënonte një hap të madh drejt një tregtie më të lirë”, thuhet në reagim.
Oda Ekonomike e Kosovës beson se veprimet që forcojnë lidhjet me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht ato që janë të bazuara në interesa të përbashkëta dhe vlera ekonomike, janë të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës.
“Në këtë kuadër, Oda Ekonomike e Kosovës fton Qeverinë e Kosovës që të veprojë shpejt dhe të marrë vendimet e duhura që do të mundësojnë heqjen e tarifave doganore dhe avancimin e partneritetit ekonomik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, theksohet në komunikatë.
Ndryshe, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka njoftuar vendosjen e tarifave të reja ndaj partnerëve tregtarë të SHBA-së. Në mesin e shteteve të vendosura tarifat e reja është edhe Kosova, e cila do të përballet me një tarifë prej 10 për qind. Me të njëjtën tarifë është ‘ndëshkuar’ edhe Shqipëria dhe Mali i Zi.
E, rreth kësaj ka reaguar edhe presidentja Vjosa Osmani, e cila ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që të pezullojë tarifat e importit për të gjitha produktet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)./Telegrafi/